Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

E arrestuara nën dyshimin për narkotikë vdes në Spitalin e Prizrenit

Policia

Një 26-vjeçare e ndaluar në Vërmicë, në veturën e së cilës Policia njoftoi se ka gjetur mbi 100 gramë substanca narkotike të llojit kokainë, ka vdekur pak orë pas dërgimit në Spitalin e Prizrenit. Ndonëse në ekzaminimet e para mjekësore nuk janë evidentuar gjetje pozitive, ajo është kthyer në emergjencë pa shenja vitale. Ndërsa të dyshuarit tjetër që po e shoqëronte tashmë, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve

Një grua ka vdekur pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore në kohën kur pritej të niste intervistimi i saj në Polici. 

Ajo është ndaluar në Vërmicë të dielën mbrëma, së bashku me një burrë, e në veturën me të cilën udhëtonin janë gjetur dhe sekuestruar mbi 100 gramë kokainë.

Në një komunikatë të përbashkët, Policia dhe Prokuroria, të hënën, kanë bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, nga ku më pas janë njoftuar për vdekjen e saj.

“Sipas procedurës, palëve u është caktuar avokati mbrojtës, ku pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull kosovar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara femër kosovare, përderisa ka qenë duke filluar intervistimin me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e përbashkët.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, 26-vjeçarja është pranuar fillimisht nga Policia, nën dyshimin se ka gëlltitur një qese që dyshohej se përmbante substancë narkotike. 

Spitali ka bërë të ditur se asaj i janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostike.

“Me rastin e pranimit, pacientes i janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë ekzaminimin radiologjik (RTG nativ të traktit torako-abdominal), ultrazërin e abdomenit, si dhe ekzaminimin gjinekologjik. Sipas rezultateve të ekzaminimeve të realizuara, nuk janë evidentuar gjetje pozitive. Pacientja ka qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe, pas vlerësimit mjekësor, është liruar nga emergjenca. Rreth orës 00:45, e njëjta paciente është sjellë sërish në Shërbimin e Emergjencës, nga ekipi i Urgjencës dhe nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pa shenja vitale. Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të reanimimit kardiopulmonar (RKP), si dhe është konsultuar mjeku anesteziolog”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Prizrenit në Facebook.

Edhe Vdiq gruaja që iu përkeqësua gjendja gjatë intervistimit në polici nën dyshimin për narkotikë Kronikë Vdiq gruaja që iu përkeqësua gjendja gjatë intervistimit në polici nën dyshimin për narkotikë

E që 26-vjeçarja është dërguar dy herë në spital, nuk është përmendur në njoftimin e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë. 

KOHA i është drejtuar Policisë së Kosovës me pyetjen se ku ka qëndruar ajo pas lirimit nga spitali e deri në rikthimin e saj në orën 00:45, por nuk ka marrë përgjigje.

Hetimet për këtë rast janë duke u bërë për tri vepra penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoke”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Hetim i vdekjes”.