Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avokati i Popullit paralajmëron fushatë për pacientët që t’i kërkojnë kompensim shtetit

Avokati i Popullit

Avokati i Popullit pritet që pas publikimit të raportit të hetimit për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore të nisë edhe fushata informuese për pacientët, në mënyrë që ata të njihen me të drejtat e tyre dhe mundësitë për të kërkuar kompensim. Ndërkaq, sociologu Genc Xërxa vlerëson se mungesa e informimit dhe dështimi i sistemit për sensibilizimin e qytetarëve po bëjnë që pacientët të mos i kërkojnë të drejtat e tyre

Mungesa e terapive në klinikat e QKUK-së, që nga penjtë, albuminat e deri te barnat që kushtojnë mijëra euro, po i detyron pacientët t’i sigurojnë ato me shpenzimet e tyre, ndonëse bëjnë pjesë në Listën Esenciale, që nënkupton se duhet të sigurohen nga shteti. 

Për këto shpenzime, pacientët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim dhe nëse është e nevojshme, ta padisin shtetin.

Megjithatë, pavarësisht kësaj të drejte, ata rrallëherë u drejtohen institucioneve për ta kërkuar një gjë të tillë.

Sociologu Genc Xërxa vlerëson se një ndër arsyet që pacientët nuk i ndjekin këto 
rrugë është mungesa e informimit, por edhe barra e detyrimeve me të cilat përballen.

“Nuk është çështje e mentalitetit, është faj i sistemit dhe janë detyrime të shumta. Në anën tjetër, mungojnë edhe sensibilizimet apo listat e ndryshme të barnave, që njerëzit të njoftohen se cilat janë ato kategori apo barna që hyjnë në Listën Esenciale. Pra, kemi edhe mungesë informimi, mungesë të keqmenaxhimit, ashtu që njerëzit po bien në situata të palakmueshme”, ka thënë ai.

Për mungesën e barnave nga Lista Esenciale, Avokati i Popullit ka nisur hetim ndaj Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në kuadër të këtij hetimi, sipas zëdhënësit të Avokatit të Popullit, do të përfshihet edhe çështja e kompensimit të pacientëve që janë detyruar t’i blejnë vetë terapitë që u takojnë t’i marrin në institucionet publike.

Po ashtu, zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Çollaku, ka bërë të ditur se pas publikimit të raportit të hetimit, institucioni do të planifikojë fushata informuese për qytetarët.

“Ajo që na ka rezultuar deri tani është se qytetarët ballafaqohen me probleme të kësaj natyre dhe problemi tjetër është mungesa e një procedure që u garanton kompensimin kur ata detyrohen t’i blejnë barnat me mjete të tyre financiare. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit, pas publikimit të raportit, do të planifikojë se cila do të jetë forma më e mirë edhe në raport me fushatat informuese që do të ndërmarrë, me qëllim që qytetarët t’i njoftojë me qëndrimet e Avokatit të Popullit dhe për rekomandimet e drejtuara autoriteteve publike”, ka thënë ai.

KOHA ka kërkuar edhe sqarim nëse do të krijohet një mekanizëm konkret, përmes të cilit, pacientët mund t’i raportojnë rastet kur janë detyruar të paguajnë nga xhepi për barna që është dashur t’ua sigurojnë institucionet publike shëndetësore. 

Çollaku ka sqaruar se Avokati i Popullit do të trajtojë ankesa vetëm në rastet kur autoritetet kompetente nuk reagojnë.

“Avokati i Popullit trajton ankesa vetëm në rastet kur autoritetet kompetente nuk reagojnë, pra nuk është dera e parë ku qytetarët duhet të raportojnë sa herë që këta vihen në vështirësi në realizimin e të drejtave të tyre, sepse me ligj janë përcaktuar organet që duhen trajtuar ankesat e qytetarëve. Nga ana tjetër, paraqitja e ankesave në Institucionin e Avokatit të Popullit është shumë e thjeshtë, dhe ato mund të bëhen përmes vizitave në zyrat tona, përmes postës elektronike apo postës së rregullt, përmes rrjeteve sociale, përmes plotësimit të formularit online, dhe përmes telefonit”, ka thënë ai.

KOHA ka kontaktuar edhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, nëse pacientëve mund t’u ofrohet përfaqësim juridik gjatë gjithë procedurës, nga përgatitja e padisë deri te përfaqësimi në gjykatë.

Nga kjo agjenci kanë thënë se janë të gatshëm t’i ndihmojnë të gjithë pacientët që konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat.

“Përfaqësimi në procedurat gjyqësore realizohet përmes avokatëve të angazhuar sipas mekanizmave të përcaktuar me ligj. Secili rast vlerësohet individualisht, duke shqyrtuar natyrën e pretendimit, dokumentacionin dhe provat e paraqitura, si dhe bazën ligjore për ndërmarrjen e veprimeve ndaj institucioneve përgjegjëse. Në rastet kur miratohet kërkesa për ndihmë juridike falas dhe autorizohen shërbimet përkatëse, mund të sigurohet përgatitja e padisë, përfaqësimi nga avokati dhe ndërmarrja e veprimeve procedurale të nevojshme në kuadër të autorizimit të dhënë. Shtrirja dhe vazhdimësia e përfaqësimit përcaktohen në përputhje me vendimin për lejimin e ndihmës juridike falas, natyrën e rastit dhe dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Edhe në Raportin e Progresit për Kosovën për këtë vit, Komisioni Evropian ka kritikuar menaxhimin financiar në sektorin e shëndetësisë.

Sipas raportit, shpenzimet e drejtpërdrejta të qytetarëve për shëndetësi arrijnë në rreth 40 për qind. Barrën më të madhe për qytetarët vazhdojnë ta përbëjnë shpenzimet për barna, të cilat prekin veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.