Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Qeveria ua ndalon kompanive serbe tregtimin e rrymës në Kosovë

Mbledhja e Qeverisë

Foto: Driton Paçarada

Qeveria ua ka ndaluar tregtinë me rrymë operatorëve serbë në tregun e energjisë elektrike të Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare të interkoneksionit. Ky vendim, sipas deputetëve të pushtetit dhe të opozitës, dëshmon se deri tash është blerë rrymë nga Serbia, gjë që është mohuar sërish nga Qeveria

Kompanive nga Serbia u është ndaluar të hënën tregtimi i energjisë elektrike për në Kosovë. 

Vendimi është marrë në mbledhjen e 11-të të ekzekutivit, ku janë prezantuar edhe dy masa të tjera me synim garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me rrymë dhe parandalimin e rritjes së çmimeve.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se masat mund të ashpërsohen nëse nuk ka ndryshim të qasjes nga Beogradi zyrtar.

“Do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, ka thënë Kurti.

Në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar se vendimi është kundërmasë ndaj Serbisë. 

Sipas saj, bllokimi i linjave të interkoneksionit Kosovë B–Nish dhe Podujevë–Krushevc po u kushton qytetarëve miliona euro në vit, ndërsa Serbia po injoron vendimin e Komunitetit të Energjisë për zhbllokimin e tyre.

Megjithatë, Rizvanolli ka insistuar se deri më tani nuk ka pasur blerje të energjisë nga kompanitë serbe.

“Kjo nuk do të thotë se deri tash kemi pasur shkëmbime të energjisë elektrike me Serbinë. Siç e kemi thënë më herët, ndërmarrjet publike KOSTT dhe KEK nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe përgjatë qeverisjes sonë. Sipas informatave që i kemi nga KEDS dhe KESCO, si operator i distribucionit dhe respektivisht furnizues i shërbimit universal, as ata nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe”, ka thënë ajo.

Krahas këtij ndalimi, qeveria ka miratuar edhe dy masa të tjera emergjente për stabilizimin e tregut: KEK-u është obliguar të sigurojë një pjesë të kapaciteteve ndërkufitare për periudhën 1 deri më 31 dhjetor, për të parandaluar shtrenjtimin e tyre; Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” është obliguar të prodhojë energji gjatë kohës kur kërkesa është më e lartë dhe t’ia shesë atë furnizuesit të shërbimit universal.

Vendimi i ekzekutivit ka nxitur reagime të menjëhershme jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë radhët e partisë në pushtet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka thënë se ky vendim dëshmon se në të kaluarën është blerë rrymë nga Serbia.

“D.m.th. paskemi blerë rrymë nga Serbia dhe prapë kemi mbetur pa rrymë. Dy herë dështim. Dy herë gabim. A mos ka ardhur koha të fillojmë me u mësu me përgjegjësinë morale si koncept edhe në politikën e Kosovës? Sepse asnjë fajtor, asnjë përgjegjës, pavarësisht çka ndodh në këtë vend, seriozisht nuk shkon”, ka shkruar Kraki.

Të njëjtin qëndrim e ka ndarë edhe deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, sipas të cilit, qeveria e ka pranuar vetë atë që e ka mohuar më parë.

“Për të gjithë ata që mohonin se Kosova po blen energji elektrike nga Serbia, sot vetë Qeveria e Kosovës dëshmoi se PO. Pra, ishte e vërtetë se miliona euro të qytetarëve të Kosovës kanë përfunduar në Serbi. Tash kanë vendosur ta ndalin këtë praktikë, të cilën deri dje e mohonin se ekzistonte”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar vendimin si të vonuar.

“Shtatë vjet kanë përfituar tregtarët e energjisë. E me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë lejuar këtë gjendje. Tash me këtë vendim na shiten si patriotë të kësaj dekade. Po hajde, tregojuni qytetarëve ku kanë përfunduar paratë e tyre: në fitime të majme për tregtarët e energjisë për manipuluesit e tregut dhe ata që e kanë lejuar këtë gjendje”, ka shkruar ajo në një postim.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë 10 muajve të këtij viti është importuar energji elektrike nga Serbia në vlerë prej 712 mijë eurosh. 

Sipas ministres Rizvanolli, kjo shumë i takon kompanisë “Elektrosever”, e cila furnizon me rrymë konsumatorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ndërmarrje kjo që nuk preket nga vendimi i fundit i qeverisë.


Miratohen nëntë projektligje, ndahen mjete për sigurinë e ujit dhe bursat e studentëve

Përveç vendimeve në sektorin e energjisë, Qeveria në mbledhjen e së hënës miratoi gjithsej nëntë projektligje, si dhe një sërë vendimesh të tjera. Mes projektligjeve është edhe ratifikimi i marrëveshjeve për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike me Francën, ratifikimi i Konventës së Ljublanës për hetimin e krimeve ndërkombëtare, Projektligji për sigurimin e depozitave, si dhe ai kundër dukurive negative në sport. Ekzekutivi po ashtu miratoi koncept-dokumentin për kuletën e identitetit digjital, vendosi regjimin e vizave për shtetasit e Belizesë, ndau mbi 1.37 milion euro për projektin e sigurisë së ujit dhe miratoi zbatimin e bursave të mobilitetit për studentë.