Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“DokuFest” dhe “Kino Armata” përgatiten për rrëfimet palestineze

Dokufest - Palestina

Në kuadër të programit të sivjetmë, “DokuFest” do ta shfaqë dokumentarin “With Hasan in Gaza” të regjisorit palestinez, Kamal Aljafari. Sipas të dhënave, filmi ndërtohet mbi materiale filmike të gjetura nga regjisori, të cilat ai fillimisht nuk e dinte se çfarë përmbanin. Pas digjitalizimit të tyre, Aljafari ka zbuluar se pamjet ishin regjistruar gjatë një vizite të tij në Gaza, shumë vjet më parë, kur kishte udhëtuar me Hasanin, një udhërrëfyes lokal

Festivali “Palestine Cinema Days” (Ditët e kinemasë së Palestinës) i cili zhvilloi tetë edicione, nga 2016 kur nisi, u ndal në vitin 2023 kur situata ndërroi.. Një vit më pas, festivali “iu la në dorë” botës për të ndezur ekranet për rrëfimin e Palestinës e popullit të saj. 

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” edhe sivjet i është bashkuar nismës së “Palestine Cinema Days – Around the World”, për të tretën herë me radhë. Kauzat globale janë përherë në agjendën e festivalit me nam edhe në skenën ndërkombëtare të kinematografisë. E bën sa herë i vjen mundësia, e një ngjarjeje të tillë nuk e lë pa iu bashkuar. 

Këtë vit nismës i është bashkuar edhe “Kino Armata” e cila, siç shprehen drejtuesit, është e qartë se “qëndrojnë kundër gjenocidit”. Jo më larg se muajin e kaluar, ata kishin ndaluar shfaqjen e filmit “In Pigeon’s Blood” në hapësirat e tyre në kuadër të edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Qe bërë me dije se filmi është ndaluar, pasi ai është i regjisorëve izraelitë, Chaya Moshayev dhe animatorit Hod Adler.

Përmes nismës “Palestine Cinema Days – Around the World”, e cila u mundëson institucioneve kulturore në vende të ndryshme të organizojnë shfaqje në shenjë solidariteti me popullin palestinez, edhe Kosova vazhdon të jetë pjesë e këtij rrjeti. “DokuFest” do ta organizojë një shfaqje më 2 nëntor në “DokuKino”, në Prizren, ndërsa “Kino Armata” do të mbajë një program dyditor, më 1 dhe 2 nëntor, në Prishtinë.

Nëpërmjet filmave që sjellin pamje të Gazës së dikurshme, dëshmi të jetës nën pushtim, kujtime të refugjatëve palestinezë dhe përplasje rreth të drejtave politike, programet synojnë ta vendosin kinemanë në funksion të ruajtjes së kujtesës dhe të diskutimit mbi përvojën e palestinezëve. 
Sipas të dhënave, nisma synon që, në mungesë të mundësisë për ta mbajtur festivalin në qytetet palestineze si më parë, rrëfimet e këtij populli të vazhdojnë të shihen dhe të dëgjohen në mbarë botën.
Siç bëhet me dije nga vetë festivali “Palestine Cinema Days”, ai u themelua nga organizata “Filmlab Palestine” më 2014, me synimin “për ta vendosur Palestinën në hartën e industrisë globale të filmit dhe për të promovuar filma palestinezë e ndërkombëtarë në qytete të ndryshme të vendit”. Festivali u zhvillua nga viti 2016 në disa qytete, përfshirë Jerusalemin, Ramallahun, Bethlehemin, Nablusin dhe Gazën. Pas  tetë edicionesh, festivali u ndërpre më 2023, kur lufta dhe bombardimet e pamundësuan vazhdimin e tij në formën e mëparshme.

Një vit më pas, nisma u shndërrua në platformë ndërkombëtare, përmes së cilës kinematë, festivalet dhe institucionet kulturore në vende të ndryshme nisën të organizojnë shfaqje të filmave palestinezë. 
Edhe vitin e kaluar, “DokuFest” i ishte bashkuar nismës me 93 vende të botës. 

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka treguar se festivali në Prizren i është bashkuar nismës që nga fillimi. 

“Ne jemi bashkuar në shenjë solidariteti, për shkak se festivali në pesë qytetet e Palestinës, prej momentit kur kanë nisur trazirat, bombardimet, është ndërprerë. Ata kanë ardhur me idenë për këtë nismë, kanë pyetur se kush dëshiron të bashkohet dhe ne e kemi bërë që në fillim. Është çështje solidariteti edhe me popullin palestinez, edhe me atë se çfarë po ndodh atje. Prej pamundësisë për të ndodhur festivali atje, tash po ndodh gjithandej nëpër botë”, ka thënë Nurkollari.

Ai ka treguar se lidhjet midis dy festivaleve janë krijuar shumë kohë para se festivali nga Prizreni t’i bashkohej “Palestine Cinema Days – Around the World”. 

“Ne jemi në kontakt me ta edhe para kësaj nisme. Unë kam qenë në këtë festival si anëtar jurie atje, pastaj drejtori i festivalit ka qenë anëtar jurie në ‘DokuFest’. Kështu që ekziston një relacion dhe një bashkëpunim me këtë festival që para se të fillojë kjo formë e festivalit”, ka treguar Nurkollari.
Në vitin 2018, Nurkollari ka qenë anëtar i jurisë së edicionit të pestë të “Palestine Cinema Days”, të mbajtur nga 17 deri më 23 tetor në pesë qytetet palestineze. Ai ishte pjesë e jurisë për Çmimin “Sunbird” për filmat e gjatë dokumentarë, së bashku me studiuesen e filmit Viola Shafik dhe regjisoren palestineze Mai Masri. Në anën tjetër, drejtori i festivalit palestinez, Hanna Atallah, ka qenë anëtar i jurisë në kategorinë “Best Green Dox” të “DokuFestit” në edicionin e vitit 2019. 

Ai ka kujtuar se një prej veçorive të festivalit palestinez ka qenë organizimi paralel në pesë qytete, përfshirë Gazën. 

“Mua më ka interesuar ky festival, i cili mbahej paralelisht në pesë qytetet e Palestinës, përfshirë Gazën. Aty shfaqen filmat që prodhohen në Palestinë, por edhe filmat e diasporës palestineze. Nuk është e lehtë të organizohet një ngjarje e tillë. Është aktualisht një vend nën ndikim, sundim e censurë të Izraelit”, ka thënë Nurkollari në një përgjigje për KOHËN. 

Në kuadër të programit të sivjetmë, “DokuFest” do ta shfaqë dokumentarin “With Hasan in Gaza” të regjisorit palestinez, Kamal Aljafari. Sipas të dhënave, filmi ndërtohet mbi materiale filmike të gjetura nga regjisori, të cilat ai fillimisht nuk e dinte se çfarë përmbanin. Pas digjitalizimit të tyre, Aljafari ka zbuluar se pamjet ishin regjistruar gjatë një vizite të tij në Gaza, shumë vite më parë, kur kishte udhëtuar me Hasanin, një udhërrëfyes lokal.

Siç shkruhet, filmi e ndjek këtë udhëtim nëpër Gaza dhe përmes pamjeve të së kaluarës krijon një portret të një vendi që ka ndryshuar rrënjësisht. Fati i Hasanit mbetet i panjohur, ndërsa xhirimet marrin kuptimin e një dëshmie filmike për jetën që ka ekzistuar përpara shkatërrimeve të viteve të fundit. 

“Është një film mjaft interesant i regjisorit palestinez në ekzil, Kamal Aljafari, i cili ka qenë në ‘DokuFest’ me film të tij më herët, pastaj ka qenë edhe anëtar i jurisë. Ky film është interesant për faktin që Kamal ka gjetur një kasetë me xhirime, në të cilën as nuk ka ditur se çfarë ka derisa e ka digjitalizuar. Aty ka kuptuar se xhirimet kanë qenë shumë herët, kur ai e ka vizituar Gazën dhe ka pasur një guidë me të. Filmi është për Gazën e para 20 vjetëve, mbase edhe më shumë. Është një kapsulë kohore e Gazës, e cila nuk ekziston më”, ka treguar Nurkollari.

Por rrëfimi filmik mbetet të shihet më 2 nëntor në orën 19:00, në “DokuKino” në Prizren. 

Në Prishtinë, “Kino Armata” do t’i kushtojë dy mbrëmje kinematografisë palestineze, duke përfshirë tri vepra dokumentare më 1 nëntor dhe një tjetër më 2 nëntor. 

Drejtoresha e “Kino Armatës”, Rozafa Maliqi, ka thënë se vendimi për t’iu bashkuar nismës buron nga rëndësia që ka informimi i publikut dhe krijimi i hapësirave për diskutim e solidaritet.

“Jemi bashkuar, sepse e shohim të rëndësishme ta njoftojmë publikun e Kosovës me çështjen e Palestinës. Në përgjithësi, të mblidhemi të gjithë bashkë dhe ta njohim historinë, të diskutojmë mbi mënyrat se si mund të solidarizohemi. Besoj se është shumë e qartë që qëndrojmë kundër gjenocidit dhe punën tonë kulturore e shohim si të pandashme në atë drejtim”, ka thënë Maliqi.

Programi do të hapet të dielën, më 1 nëntor, në orën 19:00/, me filmin “The Flowers Stand Silently, Witnessing” të Theo Panagopoulos, i cili , siç shkruhet për të, përmes materialeve filmike të vjetra të luleve të egra palestineze, vepra reflekton mbi lidhjen mes imazhit, tokës dhe fshirjes së kujtesës, duke e vendosur natyrën në raport me historinë politike të Palestinës.

Pas tij do të shfaqet “They Do Not Exist” i regjisorit palestinez, Mustafa Abu Ali. Dokumentari i vitit 1974 është një prej veprave të rëndësishme të kinemasë revolucionare palestineze. Mbrëmja do të përmbyllet me “The Dream” të regjisorit sirian, Mohammad Malas. I realizuar në vitin 1987, dokumentari mbështetet në intervista me palestinezë që jetonin në kampet e refugjatëve në Liban. 
Më 2 nëntor, ngjarja vazhdon me dokumentarin “Boycott” të regjisores Julia Bacha. Filmi ndjek historitë e tre amerikanëve që përballen me pasoja profesionale dhe ligjore pasi refuzojnë t’u binden ligjeve kundër bojkotit të Izraelit. 

Duke u bashkuar në “Palestine Cinema Days – Around the World”, “DokuFest” dhe “Kino Armata”, duke ndezur ekranet e tyre synojnë të solidarizohen me popullin dhe kinemanë palestineze.