Të dielën mbrëma, në Prizren është shfaqur filmi dokumentar “Jenin, Jenin” nga regjisori palestinez, Mohammad Bakri. Filmi 54-minutësh i vitit 2002 rrëfen se si gjatë atij viti gjatë pushtimit izraelit të kampit të refugjatëve në Jenin, gazetarët u ndaluan dhe ndaj tyre u shfaqën akuza për krime lufte. Regjisori Bakri hyri për të regjistruar dëshmitë e banorëve, duke u dhënë zë atyre që heshtën. Sipas shpjegimit, filmi u ndalua, duke shkaktuar beteja ligjore dhe akuza nga ushtarët. Vite më vonë, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë këtë ndalim, duke e rivënë rrëfimin e papërpunuar të komunitetit nën rrethim
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” kaherë e ka dëshmuar se ekrani i tij, në shumicën e rasteve, ndizet për kauza të ndryshme të shoqërisë. Njëlloj sikur me edicionin që shkoi, duke iu referuar luftërave në Palestinë e Ukrainë, konstatonte për “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”. Mbi të gjitha, festivali në Prizren është solidarizuar me këta popuj nëpërmjet revoltës e protestës që vjen nëpërmjet ekranit. E bën sa herë i vjen mundësia, e një ngjarjeje si “Palestine Cinema Days – Around the World” nuk e lë pa iu bashkuar.
Me të shpërthyer zyrtarisht lufta në Palestinë, festivali “FilmLab Palestine” u desh të ndërpriste edicionet e saj. U themelua në vitin 2014, në Palestinë, me qëllimin e vetëm frymëzimin e audiencës palestineze dhe fuqizimin e brezave të rinj të regjisorëve. Kinemaja në këtë vend është edhe mjet audiovizual për t’u shprehur, për të rrëfyer histori e për ta ruajtur kujtesën kolektive.
Festivali mbahej në tetor të secilit vit. Po këtë muaj, dy vjet më parë, ndërroi situata. Që nga kjo kohë, festivali ka gjetur një tjetër alternativë për ta ndezur ekranin e tij. Ka bërë jehonë edhe më të madhe dhe historia e vendit tani po rrëfehet në ekranet e gjithë botës.
Jo rastësisht është zgjedhur data 2 nëntor. Është përvjetori i zymtë i Deklaratës së Balfourit.
Deklarata publike e lëshuar nga Qeveria Britanike në vitin 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore e shpalli mbështetjen e saj për krijimin e një “atdheu kombëtar për popullin hebre” në Palestinë, në atë kohë një popullsi minoritare hebraike.
Të dielën, në 108-vjetorin e kësaj ngjarjeje, Prizreni është bërë një prej 425 qyteteve nga e gjithë bota që mirëpresin filmat nga Palestina. E kinemaja “DokuKino” – një prej 700 hapësirave nga gjithsej 94 shtete që janë solidarizuar me popullin e këtij vendi.
Të dielën mbrëma, në Prizren është shfaqur filmi dokumentar “Jenin, Jenin” nga regjisori palestinez, Mohammad Bakri. Filmi 54-minutësh i vitit 2002 rrëfen se si gjatë atij viti, gjatë pushtimit izraelit të kampit të refugjatëve në Jenin, gazetarët u ndaluan dhe ndaj tyre u shfaqën akuza për krime lufte.
Regjisori Bakri hyri për të regjistruar dëshmitë e banorëve, duke u dhënë zë atyre që heshtën. Sipas shpjegimit, filmi u ndalua, duke shkaktuar beteja ligjore dhe akuza nga ushtarët. Vite më vonë, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë këtë ndalim, duke e rivënë rrëfimin e papërpunuar të komunitetit nën rrethim.
E “DokuFest” e cilëson këtë film si “dëshmi e fuqishme e kujtesës dhe rezistencës”. Ngjarja është organizuar në bashkëpunim me fondacionin “Lumbardhi” në Prizren.
Sipas njoftimit të festivalit “FilmLab Palestine”, këto aktivitete po organizohen gjersa po censurohet e shtrembërohet narrativa për popullin palestinez.
“Ndërsa lajmet ndërkombëtare, udhëheqësit botërorë dhe platformat kryesore të mediave sociale vazhdojnë të censurojnë dhe shtrembërojnë narrativën derisa nxisin dehumanizimin e palestinezëve dhe vuajtjet e tyre të vazhdueshme, ne po përdorim kanalet tona për të mbështetur Festivalin e Ditëve të Kinemasë Palestinë, të anuluar me forcë”, shkruhet aty.
Drejtori artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, Veton Nurkollari, ka thënë se pas ndalimit të këtij festivali, rrëfimi në jehon në të gjithë botën.
“Është iniciativë globale, ku do të shfaqen filma në më shumë se njëqind vende, nëpër kinema, në qytete. Iniciativa është për shkak të ngjarjeve në Palestinë, ku prej fillimit të luftës është ndërprerë festivali që mbahet në disa qytete në Palestinë”, ka thënë ai në një bisedë për KOHËN.
Edhe në 2 nëntorin e vitit të kaluar, “DokuFest” i ishte bashkuar kësaj ngjarjeje tashmë globale, duke shfaqur filmin “Resistance, Why” me regjisor Christian Ghazi, në kinemanë “DokuKino”.
“Ne e kemi bërë edhe viteve të tjera, nuk është kjo hera e parë, për t’u solidarizuar, ka qenë një përzgjedhje ku prej disa filmave e kemi zgjedhur filmin ‘Jenin, jenin’. Është një dokumentar i vjetër për një vendbanim, kamp refugjatësh. Në vende të tjera do të shfaqen edhe filma të tjerë, diku do të shfaqen më shumë filma, por ne e kemi përzgjedhur vetëm këtë film”, ka thënë Nurkollari.
Ka treguar se me përzgjedhjen e filmit dokumentar i janë përshtatur formatit të festivalit.
“Organizatorët kanë ofruar një numër të filmave, diku më pak se dhjetë filma, për të përzgjedhur se cilin duam ta shfaqim, ne e kemi zgjedhur këtë film. Edhe për t’iu përshtatur ‘DokuFestit’, edhe meqë është dokumentar”, ka thënë ai.
Filmat e tjerë që janë shfaqur në vende të tjera të botës janë: “Divine Intervention” nga Elia Suleiman, “Upshot” nga Maha Haj, “The Dupes” nga Tewfik Saleh, “A State of Passion” nga Carol Mansour dhe Muna Khalidi, “When I Saw You” nga Annemarie Jacir dhe filmi “Bye Bye Tiberias” nga Lina Soualem.
Nurkollari është shprehur se festivali, në të cilin mban pozitën e drejtorit artistik, po solidarizohet në atë formë që mund ta bëjë.
“Në Palestinë është duke ndodhur gjenocid dhe e vetmja gjë që ne mund të bëjmë është të solidarizohemi. Ky është solidarizim me popullin palestinez dhe mënyra se si mund ta bëjmë, është kështu: të shfaqim film, të mund të ndikojmë në ndërgjegjen e njerëzve dhe kaq. Nuk është se mund të bëjmë kush e di se çfarë, por kjo është mënyra se si ne mund të solidarizohemi me popullin palestinez”, ka thënë ai.
“DokuFest” me edicionin e 24-t, që u mbajt prej 1 deri më 9 gusht të këtij viti, pati temën “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk” si konstatim për gjendjen globale. Erdhi si revoltë e protestë, për luftërat dhe gjithçka që po ndodh me botën.
“Palestine Cinema Days – Around the World” është dëshmia e fuqisë së kinematografisë. Se si narracioni mund të shtrembërohet, por trashëgimia e kinemasë qëndron si sfond e dokumentim i gjithë asaj çfarë sot ndodh.