Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ankesa – kapitulli i radhës në vitin e tentimit për restaurimin e Bibliotekës

Biblioteka Kombëtare

Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme

Procedura e prokurimit për të gjetur kompani që do të bënte restaurimin e plotë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka nisur para një viti. Dy anulime, një ankesë e një rivlerësim qenë kapitujt e deritashëm. Ndërsa ankesa e re ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik hap një kapitull të ri. Në fund të korrikut për herë të dytë procedura ishte anuluar me arsyetimin se pas vlerësimit të ofertës komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik dhe profesional

Këtë muaj bëhen një vit prej kur Ministria e Kulturës nisi procedurat për të gjetur kompani që me vlerë të parashikuar 22 milionë euro do të bënte restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Por ende vazhdojnë procedurat e prokurimit. Anulim i procedurës, ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, rivlerësim dhe anulimi i dytë qenë kapitujt e deritashëm. Historia vazhdon me ankesën e re të grupit të operatorëve ekonomikë. 

Grupi i kompanive “Limitproject SH.P.K”, “Rinesa SH.P.K”, “Delta - CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K” që kanë konkurruar së bashku për ta realizuar projektin për 21 milionë e 956 mijë e 811 euro, tash pretendojnë se Ministria e Kulturës nuk ka zbatuar vendimin e OSHP-së lidhur me eksperiencën e kompanisë e po ashtu se lista e punëve të kryera është pranuar me vendimin për kthim në rishqyrtim nga vetë Autoriteti Kontraktues. Biblioteka është monument që gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme.

Në fund të korrikut për herë të dytë procedura ishte anuluar me arsyetimin se pas vlerësimit të ofertës komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik dhe profesional. Është kërkuar që në tre vjetët e fundit grupi i ofertuesve të ketë kryer punë të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumën prej së paku 5 milionë eurove. Po ashtu, është kërkuar që të plotësojnë kushtin e ndërtimit ose renovimit të ndërtesave publike në vlerë prej 10 milionë eurosh.

“Operatori ekonomik duhet të paraqesë një listë (pranohet edhe në formë tabele) të punëve, projekteve të përfunduara, e cila duhet të jetë po ashtu e nënshkruar dhe vulosur ku përfshihet data e përfunduar, lloji i punës të përfshirë, (autoriteti kontraktues), autoriteti që ka pranuar punën kur ky i fundit është autoritet kontraktues sipas LPP-së, shuma financiare e kontratës. Lista e projekteve të përfunduara duhet të mbështetet me foto, prezantim grafik apo formë tjetër të dëshmisë së qartë të realizimit të projektit”, shkruhet në arsyetim. Po ashtu, është kërkuar që kompania lidere e grupit të përmbushë së paku 60 për qind të kësaj kërkese.

“Grupi i Operatorëve Ekonomikë nuk e plotëson këtë kërkesë, sepse dëshmitë e ofruara nuk e arrijnë vlerën financiare sipas kërkesës së autoritetit kontraktues”, shkruhet midis të tjerash në arsyetim. Sipas arsyetimit të Ministrisë së  Kulturës, te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë vlera financiare e projekteve të ngjashme nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove. Është ofruar dëshmi për 4 milionë e 925 mijë euro. Kurse kërkesa prej 10 milionësh del të jetë dëshmuar me vetëm 6 milionë e 651 mijë euro.

Edhe Tenderi 22-milionësh i restaurimit të Bibliotekës anulohet për së dyti Kulturë Tenderi 22-milionësh i restaurimit të Bibliotekës anulohet për së dyti

Në prill të këtij viti, Ministria e Kulturës e kishte anuluar për herë të parë këtë proces të prokurimit. Midis të tjerash, edhe me arsyetimin që e ka dhënë tash për anulimin e dytë. Por kompanitë i qenë drejtuar OSHP-së. E ky organ e ktheu në rivlerësim.

“Aprovohet, si e bazuar ankesa e O.E. LIMITPROJECT SH.P.K. me nr. 2026/0240, e datës 15/04/2026, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, me numër të prokurimit 207-25- 7189-5-1-1”, shkruhej në pikën e parë të vendimit të OSHP-së. Në pikën tjetër, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik kishte anuluar njoftimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës nëpërmjet të cilit anulohej krejt procedura e prokurimit.

“Në afat prej 10 ditësh, AK-ja duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën, OSHP-ja ka të drejtë të ndërmarrë masa ndaj AK-së për mosrespektim të vendimit sikurse parashihet me dispozitat e nenit 131 të LPP-së”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit.

Krejt konstatimet e MKRS-së i kishte kundërshtuar “Limitproject SH.P.K.” dhe, OSHP-ja ka vendosur që t’i japë të drejtë këtij operatori ekonomik.

“Paneli Shqyrtues, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe argumenteve ka ardhur në përfundim se Autoriteti Kontraktues gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk ka respektuar dispozitat ligjore të LPP-së, kështu që urdhëron AK-në që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit t’u përmbahet në tërësi dispozitave ligjore të LPP-së”, shkruhej në vendim.

Në prill, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kishte thënë se tenderi është anuluar, ngaqë konsorciumi i operatorëve ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender, nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.

Edhe Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës, në rivlerësim Kulturë Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës, në rivlerësim

“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, kishte thënë ajo.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova, kishte thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.

“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, kishte thënë Rugova.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti u bë më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës.

Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.

Edhe Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës drejt rivlerësimit Kulturë Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës drejt rivlerësimit

“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.

Arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, në nëntor të vitit 2024, qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se të gjitha projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun.