Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Restaurimi 22-milionësh i Bibliotekës prapë drejt rivlerësimit të tenderit

Institucioni më i lartë kulturore në vend ngul këmbë që grupi i kompanive që ka bërë ofertën e vetme s’i plotëson kushtet për ta marrë këtë punë përsipër (Arben Llapashtica)

Institucioni më i lartë kulturore në vend ngul këmbë që grupi i kompanive që ka bërë ofertën e vetme s’i plotëson kushtet për ta marrë këtë punë përsipër (Arben Llapashtica)

Historia me nismën për restaurimin e Bibliotekës zë fill në gushtin e vitit të kaluar. Plotësohet me anulim të procedurës me arsyetimin se grupi i operatorëve s’i ka plotësuar kushtet. Më pas, ankesa në OSHP e ka kthyer lëndën në rivlerësim, e Ministria e Kulturës prapë e ka thënë fjalën e vet duke anuluar prapë procesin. Por ankesa e radhës del se do t’ua sigurojë edhe një rivlerësim ofertuesve. Të paktën kështu ka rekomanduar eksperti shqyrtues i OSHP-së

Ministria e Kulturës është lidhur nyje në procedurën e prokurimit për restaurimin e përgjithshëm të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Institucioni më i lartë kulturore në vend ngul këmbë që grupi i kompanive që ka bërë ofertën e vetme s’i plotëson kushtet për ta marrë këtë punë përsipër. E Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik së pari e ka kthyer në rivlerësim ofertën pas anulimit të procedurës nga Ministria e Kulturës. Tash për së dyti OSHP-ja është në rrugën e kthimit të rivlerësim. Kjo, pasi eksperti shqyrtues ka dhënë si rekomandim kthimin në rivlerësim. Krejt kjo bëhet fiks një vit pasi është hapur thirrja publike për investimin deri më tash më të madhin në një ndërtesë të trashëgimisë kulturore ku edhe strehohet institucioni më i lartë bibliotekar në vend. 

Historia me nismën për restaurimin e Bibliotekës zë fill në gushtin e vitit të kaluar. Plotësohet me anulim të procedurës me arsyetimin se grupi i operatorëve s’i ka plotësuar kushtet. Më pas ankesa në OSHP e ka kthyer lëndën në rivlerësim e Ministria e Kulturës prapë e ka thënë fjalën e vet duke anuluar prapë procesin. Por ankesa e radhës, del se do t’ia siguroj edhe një rivlerësim ofertuesve. Të paktën kështu ka rekomanduar eksperti shqyrtues o OSHP-së, Ilir Halili. 

“Duke shikuar arsyetimin e Autoritetit Kontraktues për refuzim të kërkesës për rishqyrtim, vlerësimi ekspertit shqyrtues është se nuk është zbatuar në mënyrë të drejtë vendimi i OSHP-së 240/26. Bazuar në këto që u cekën më lart, rekomandojmë që ankesa e operatorit ekonomik ankues të aprovohet e bazuar dhe lënda të kthehet në rivlerësim dhe të obligohet Autoriteti Kontraktues të zbatoj vendimin e OSHP-së nr240/26”, shkruhet në Raportin e ekspertit që kërkon rivlerësim. Krejt në fund, ai i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim. Kjo do të bënte që Ministria e Kulturës prapë t’i qaset kësaj lënde. 

Grupi i kompanive “Limitproject SH.P.K”, “Rinesa SH.P.K”, “Delta - CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K” që kanë konkurruar së bashku për ta realizuar projektin për 21 milionë e 956 mijë e 811 eurosh, për së dyti pretendojnë se Ministria e Kulturës nuk ka zbatuar vendimin e OSHP-së lidhur me eksperiencën e kompanisë, e po ashtu se lista e punëve të kryera është pranuar me vendimin për kthim në rishqyrtim nga vetë Autoriteti Kontraktues. Biblioteka është monument që gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Në fund të korrikut për herë të dytë procedura ishte anuluar me arsyetimin se pas vlerësimit të ofertës komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik dhe profesional. Është kërkuar që në tre vjetët e fundit grupi i ofertuesve të ketë kryer punë të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumën prej së paku 5 milionë eurove. Po ashtu, është kërkuar që të plotësojnë kushtin e ndërtimit ose renovimit të ndërtesave publike në vlerë prej 10 milionë eurosh.

“Operatori ekonomik duhet të paraqesë një listë (pranohet edhe në formë tabele) të punëve, projekteve të përfunduara, e cila duhet të jetë po ashtu e nënshkruar dhe vulosur ku përfshihet data e përfunduar, lloji i punës së përfshirë, (autoriteti kontraktues), autoriteti që ka pranuar punën kur ky i fundit është autoritet kontraktues sipas LPP-së, shuma financiare e kontratës. Lista e projekteve të përfunduara duhet të mbështetet me foto, prezantim grafik apo formë tjetër të dëshmisë së qartë të realizimit të projektit”, shkruhet në arsyetimin e Ministrisë. Po ashtu, është kërkuar që kompania lidere e grupit të përmbushë së paku 60 për qind të kësaj kërkese.

“Grupi i Operatorëve Ekonomikë nuk e plotëson këtë kërkesë, sepse dëshmitë e ofruara nuk e arrijnë vlerën financiare sipas kërkesës së autoritetit kontraktues”, shkruhet midis të tjerash në arsyetimin e Ministrisë së Kulturës. Sipas arsyetimit, te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë vlera financiare e projekteve të ngjashme nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove. Është ofruar dëshmi për 4 milionë e 925 mijë euro. Kurse kërkesa prej 10 milionësh, sipas Ministrisë del të jetë dëshmuar me vetëm 6 milionë e 651 mijë euro.

Në prill të këtij viti, Ministria e Kulturës e kishte anuluar për herë të parë këtë proces të prokurimit. Midis të tjerash, edhe me arsyetimin që e ka dhënë tash për anulimin e dytë. Por kompanitë i qenë drejtuar OSHP-së. E ky organ e ktheu në rivlerësim.

“Aprovohet, si e bazuar ankesa e O.E. LIMITPROJECT SH.P.K. me nr. 2026/0240, e datës 15/04/2026, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, me numër të prokurimit 207-25- 7189-5-1-1”, shkruhej në pikën e parë të vendimit të OSHP-së. Në pikën tjetër, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik kishte anuluar njoftimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës nëpërmjet të cilit anulohej krejt procedura e prokurimit.

“Në afat prej 10 ditësh, AK-ja duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën, OSHP-ja ka të drejtë të ndërmarrë masa ndaj AK-së për mosrespektim të vendimit sikurse parashihet me dispozitat e nenit 131 të LPP-së”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit.

Krejt konstatimet e MKRS-së i kishte kundërshtuar “Limitproject SH.P.K.” dhe, OSHP-ja ka vendosur që t’i japë të drejtë këtij operatori ekonomik.

“Paneli Shqyrtues, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe argumenteve ka ardhur në përfundim se Autoriteti Kontraktues gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk ka respektuar dispozitat ligjore të LPP-së, kështu që urdhëron AK-në që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit t’u përmbahet në tërësi dispozitave ligjore të LPP-së”, shkruhej në vendim.

Në prill, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kishte thënë se tenderi është anuluar, ngaqë konsorciumi i operatorëve ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender, nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.

“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, kishte thënë ajo.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova, kishte thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.

“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, kishte thënë Rugova.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti u bë më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës.

Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.

“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.

Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, në nëntor të vitit 2024, qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se të gjitha projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun.