Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Për ty Atdhe” i jep festës elegancë me tingujt e traditës shqiptare

filharmonia

Koncerti si “Për ty Atdhe” – të cilin Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës e kanë sjellë për 28 Nëntor – i jep peshë edhe muzikës me taban popullor, e promovon dhe e ruan prej tjetërsimit (Foto: Arben Llapashtica)

Një koncert si ai “Për ty Atdhe” lë prapa jehonë. Aso që festës, teksa i jep elegancë, shndërrohet në dëshmi se si ruhet e promovohet tradita. Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës, Ditën e Flamurit e kanë shënuar me një rrugëtim që bashkon hapësirat shqiptare nëpërmjet perlave të muzikës ku udhërrëfyese kanë qenë zërat e sopranove Arta Jashari, Zana Abazi-Ramadani e Elonë Sadiku, shoqëruar nga Orkestra Harkore, dirigjuar prej Edon Ramadanit. “Stacione” kanë qenë edhe veprat e Valton Beqirit dhe “Baresha” interpretuar nga Zanë Abazi në flaut

Vargu i dytë i ikonikes “Për ty, Atdhe” është “ma të bukurën kangë”, por Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës nuk e kanë futur në program këtë vepër me të cilën e kanë pagëzuar mbrëmjen. Kanë përzgjedhur më të bukurat këngë për koncertin festiv në Ditën e Flamurit. Ftohtësia e sallës së Atelieut të Pallatit të Rinisë është thyer që në dukje të parë me të kuqen kombëtare, një ndërhyrje minimaliste me drita. Minimaliste ka qenë edhe skena: simboli etno i projektuar në gjashtë ekrane ka krijuar me elegancë skenografinë dhe ka shërbyer edhe si një paralajmërim për krejt frymën e koncertit. Pjesë e skenografisë bëhet edhe publiku në të dyja anët, i cili “takohet” me instrumentistët tek dalin në skenë. Pas kësaj s’ka më “koreografi”. Orkestra Harkore akordohet, lëvizjet e publikut pakësohen dhe krejt bashkë presin urdhrin e dirigjentit Edon Ramadani, i cili nuk vlen vetëm për artistët, por është një lloj ftesë që krejt bashkë të futen në një rrugëtim tingujsh. E, ai me koncertin “Për ty Atdhe” – që e merr titullin prej këngës së Pjetër Gacit e kompozuar këtu e gjashtë dekada më parë – ka qenë një udhëtim në traditën muzikore shqiptare. Filharmonia e Kosovës ka kohë që datave të shënuara e festave ua jep magjinë me tis shiku, një kontrast organizimesh pa ndonjë koncept e larg vlerave. Me koncerte si këto, i jep peshë edhe muzikës me taban popullor, e promovon dhe e ruan prej tjetërsimit.

Filharmonia e Kosovës ka kohë që datave të shënuara e festave ua jep magjinë me tis shiku, një kontrast organizimesh pa ndonjë koncept e larg vlerave (Foto: Arben Llapashtica) 

“Suitë për orkestër harqesh” e Valton Beqirit ka qenë uvertura e shpalosjes së kapitujve të “Për ty Atdhe”. Nuk ka shërbyer thjesht si vënie e komunikimit midis dirigjentit e Orkestrës a si “ngrohje” harkorësh, por ka nisur lidhjen e fijeve të programit të kuruar kujdesshëm. Është një vepër që flet me gjuhën e bashkëkohores tek prek valsin, por përdor “alfabetin” e traditës. Programi ka vazhduar me triptikun e këngëve tradicionale me të cilat tri sopranot e këtij koncerti – Arta Jashari, Zana Abazi-Ramadani dhe Elonë Sadiku – kanë interpretuar njëra pas tjetrës. 

“Asaman”, aranzhuar nga Edon Ramadani, i ka dhënë Jasharit hapësirë për potencën e zërit që gjen lehtësisht harmoninë me orkestrën. Zëri i Zana Abazi-Ramadanit është perfekt për “O moj bukuroshe”, aranzhuar po nga maestro Ramadani, dhe i tillë ka qenë edhe interpretimi. “Tonet” janë zbutur me “Lamtumirë” të Muharrem Qenës, aranzhuar nga Valton Beqiri, interpretuar nga Elonë Sadiku me ndjeshmërinë e kërkuar për një këngë si kjo. 

“Asaman”, aranzhuar nga Edon Ramadani, i ka dhënë Arta Jasharit hapësirë për potencën e zërit që gjen lehtësisht harmoninë me orkestrën (Foto: Arben Llapashtica) 

Sopranot kanë “marrë frymë” për t’ia lënë vendin “Lojës” së maestros Beqiri. Kompozimi është koha e katërt e veprës së tij “Shpirti i traditës” për orkestër harqesh dhe perkusion. Për një atmosferë festive, “Loja” – së cilës i paraprijnë “Gjeneza”, “Ndikimi” e “Mbijetesa” – është më e qëlluara. Ritmi, kur perkusionet marrin primatin, ka efektin e vet edhe te publiku. “Shpirti i traditës”, e kompozuar më 2000 dhe e ripërpunuar pas më shumë se një dekade, ka kohë që ka zënë vend në repertor veçmas si një referencë e fuqishme për shpalosjen e rrëfimin muzikor mbi rrugëtimin e identitetit të muzikës shqiptare.

E, rrëfimi i koncertit ka vazhduar me perlat e radhës. Sopranoja Arta Jashari është rikthyer në skenë me “Pranvera filloi me ardh” të Tonin Harapit, aranzhuar nga Valton Beqiri, e Elonë Sadiku ka sjellë “Me lule t’bukura” të Tish Dajisë, në versionin e aranzhuar po nga Beqiri. Ritakimin me publikun Zana Abazi-Ramadani e ka bërë me “E kujtoj atë takim” të Pranvera Badivukut, aranzhuar nga Ramadani.

Edhe “Neo Dardanus” ndërthur traditën me muzikën artistike moderne Kulturë “Neo Dardanus” ndërthur traditën me muzikën artistike moderne

Ndonëse këngë të tilla kanë interpretime e versione të panumërta, treshja e sopranove i risjell ato me freskinë që ua kanë dhënë edhe aranzhimet e dy mjeshtërve, Beqiri e Ramadani.

Zëri i Zana Abazi-Ramadanit është perfekt për “O moj bukuroshe”, aranzhuar po nga maestro Ramadani, dhe i tillë ka qenë edhe interpretimi (Foto: Arben Llapashtica) 

Me freski ka ardhur edhe “Baresha” e Rexho Mulliqit, interpretuar në flaut nga Zanë Abazi.

“Kroi i fshatit tonë” e Kristo Konos e “Mallëngjimi” nga Razhid Krasniqi kanë qenë “takimi” i radhës i Jasharit e Sadikut me publikun, e “Agimet shqiptare” të Avni Mulës, interpretuar nga Zana Abazi-Ramadani, ka qenë kurora e koncertit “Për ty Atdhe”. 

Por ky s’ka qenë fundi. “Veprën” e radhës, tok me Orkestrën, dirigjentin dhe solistet e ka interpretuar edhe publiku: kanë qenë duartrokitjet.

Dirigjenti Edon Ramadani ka thënë se interpretimi i një programi solemn me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe me solistët është gjithmonë një kënaqësi.

“Siç e dimë, kjo është njëra prej festave tona më të mëdha kombëtare. Ky ishte koncerti solemn i organizuar nga Filharmonia dhe Ministria e Kulturës. Sonte keni pasur rastin të dëgjoni një program të përmbledhur me vepra nga të gjitha trojet shqiptare, perla të muzikës shqipe të stilizuara për formacionin e Orkestrës Harkore. Natyrisht, gjithmonë është kënaqësi të interpretoj me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe me solistet e mrekullueshme që ishin sonte”, ka thënë dirigjenti Edon Ramadani, fill pas koncertit. Salla ka qenë plot, por kjo s’është premierë për Filharmoninë e Kosovës. 

Edhe Homazh për Nënë Terezën me traditën muzikore shqiptare e polake Kulturë Homazh për Nënë Terezën me traditën muzikore shqiptare e polake

“Nga reagimi i publikut e pamë se ai ishte shumë i kënaqur me këtë program festiv në kuadër të kësaj feste”, ka thënë Ramadani. Ka theksuar se në program janë munduar të prekin këngë nga të gjitha trojet shqiptare, ndër to edhe “Baresha”, siç e ka cilësuar ai, “ikona e muzikës shqipe”.

“Jemi munduar të përmbledhim disa perla nga troje të ndryshme, nga Shkodra deri në veriun e Shqipërisë, pa i anashkaluar këngët tona nga Kosova. Kemi përfshirë edhe disa këngë nga ikona jonë e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Kemi përzgjedhur ato që kemi menduar se janë këngët më ikonike dhe kemi ndërtuar këtë program”, ka thënë Ramadani.

“Tonet” janë zbutur me “Lamtumirë” të Muharrem Qenës, aranzhuar nga Valton Beqiri, interpretuar nga Elonë Sadiku me ndjeshmërinë e kërkuar për një këngë si kjo (Foto: Arben Llapashtica) 

Për sopranon Elonë Sadiku, pjesëmarrja në këtë koncert ishte shumë e veçantë, duke marrë parasysh rëndësinë dhe domethënien e performancës.

“Ishte një ndjenjë e veçantë të isha pjesë e këtij koncerti madhështor për festën e 28 Nëntorit. Ajo që e bëri edhe më të veçantë ishte pikërisht kjo festë. Kisha vërtet shumë emocione teksa performoja para një publiku të mrekullueshëm, i cili na priti shumë mirë, sepse dihet që këngët shqipe na emocionojnë më shumë se të gjitha të tjerat”, ka thënë ajo.

Interpretimi në flaut i “Bareshës” ikonike të muzikës shqipe merr tjetër dimension.

“Fillimisht, është nder dhe privilegj të performoj bashkë me kolegët dhe ish-profesorët e mi. ‘Baresha’ është një këngë me të cilën jemi rritur të gjithë dhe që është pjesë e trashëgimisë sonë muzikore. Fatmirësisht, këtë vepër kam pasur mundësi ta interpretoj në formacione të ndryshme, por ky version, si soliste me Filharmoninë e Kosovës, sjell një ndjenjë edhe më të veçantë dhe përmbushëse, sidomos në një festë siç është 28 Nëntori”, ka thënë flautistja Zanë Abazi.

Edhe Orkestra e Korçës në Prishtinë shkruan historinë nëpërmjet tingujve Kulturë Orkestra e Korçës në Prishtinë shkruan historinë nëpërmjet tingujve
Me freski ka ardhur edhe “Baresha” e Rexho Mulliqit, interpretuar në flaut nga Zanë Abazi (Foto: Arben Llapashtica) 

“Për ty Atdhe” është një lloj koncerti që lë prapa jehonë. Aso që festës, teksa i jep elegancë, shndërrohet në dëshmi se si ruhet e promovohet tradita.

Ritmin, ngjyrat dhe dinamizmin, Filharmonia e Kosovës do t’i rikthejë në skenë më 11 dhjetor me vepra të Alberto Ginasterës, Arturo Márquezit dhe Silvestre Revueltasit në një koncert “me ansamblin e jashtëzakonshëm të perkusionistëve ‘La Maquina’ nga Holanda, nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette”. “Një program tejet energjik” është paralajmërimi.