Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Neo Dardanus” ndërthur traditën me muzikën artistike moderne

Neo Dardanus

Koncerti është hapur me veprën “Quassi Kaba” të Valton Beqirit ku viola e interpretuar nga Entela Qarkagjija ka ndërtuar vijën melodike që ka imituar karakterin e kabasë duke krijuar një dialog muzikor me pianon e Beqirit. Tingujt janë zhvilluar përmes një bashkëbisedimi midis këtyre dy instrumenteve. Me hyrjen e sopranos Zana Abazi-Ramadani në skenë, programi ka marrë dimension tjetër

Ansambli “Neo Dardanus”, nën drejtimin e kompozitorit Valton Beqiri, ka sjellë programin ku motivet e muzikës tradicionale kanë marrë trajta të reja përmes interpretimit instrumental dhe me vokal të sopranos Zana Abazi-Ramadani. Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës, ansambli ka sjellë programin që ka vënë në dialog trashëgiminë muzikore shqiptare dhe interpretimin bashkëkohor. Nën temën “Reconnect”, edicioni i sivjetmë, siç është thënë, synon të krijojë lidhje midis brezave dhe krijimtarisë muzikore shqiptare

Muzika tradicionale shqiptare, e ndërthurur me gjuhën e muzikës artistike bashkëkohore, ka qenë boshti i koncertit hapës të edicionit të tretë të Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë. Ansambli “Neo Dardanus”, nën drejtimin e kompozitorit Valton Beqiri, ka sjellë programin ku motivet e muzikës tradicionale kanë marrë trajta të reja përmes interpretimit instrumental dhe me vokal të sopranos Zana Abazi-Ramadani. 

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës, ansambli ka sjellë programin që ka vënë në dialog trashëgiminë muzikore shqiptare dhe interpretimin bashkëkohor. 

Nën  temën “Reconnect”, edicioni i sivjetmë, siç është thënë, synon të krijojë lidhje midis brezave dhe krijimtarisë muzikore shqiptare. 

Koncerti është hapur me veprën “Quassi Kaba” të Valton Beqirit ku viola e interpretuar nga Entela Qarkagjija ka ndërtuar vijën melodike që ka imituar karakterin e kabasë, duke krijuar një dialog muzikor me pianon e Beqirit. Tingujt janë zhvilluar përmes një bashkëbisedimi midis këtyre dy instrumenteve.  

Me hyrjen e sopranos Zana Abazi-Ramadani në skenë, programi ka marrë dimension tjetër. Zëri i saj ka depërtuar mbi shoqërimin në piano të Beqirit në këngën “Ta dish”, duke i dhënë melodisë një shprehje më lirike dhe ngjyrim emocional. Më pas, Abazi-Ramadani ka interpretuar “Mallëngjimi” të kompozitorit Rashid Krasniqi, një vepër që bart histori të veçantë emocionale. 

Në koncert, sopranoja bashkë me ansamblin kanë interpretuar edhe “Pranvera ka nisë me ardh” të Tonin Harapit dhe “Agimet shqiptare” të Avni Mulës. Kjo e fundit, një prej krijimeve të njohura të repertorit vokal shqiptar, ka gjetur shprehje përmes vokalit të Abazi-Ramadanit, e cila ka ndërthurur fuqinë e zërit me ndjeshmërinë lirike të veprës. 

“Suitë” e Valton Beqirit ka sjellë tjetër atmosferë. Ka qenë si vals harmonik që ka nisur me ritme të bazuara në motive shqiptare për t’u zhvilluar më tej. Koncerti ka kulmuar me veprën “Shpirti i traditës” të Beqirit, të kompozuar për orkestër harqesh dhe perkusione, por kësaj here e adaptuar për formacion më të vogël harqesh dhe perkusione. E ndarë në katër pjesë – “Gjeneza”, “Ndikimi”, “Mbijetesa” dhe “Loja” – vepra ka ndërtuar rrëfimin muzikor mbi rrugëtimin e identitetit të muzikës shqiptare. 

Për Beqirin, ky program ka qenë rezultat i bashkëpunimit të gjatë midis instrumentistëve, por edhe i bindjes se muzika tradicionale mund të bashkëjetojë me krijimtarinë artistike bashkëkohore.
“Ky është viti i tretë ose i katërt që veprojmë nën emrin e Ansamblit ‘Neo Dardanus’. Megjithatë, me shumicën e kolegëve që kanë marrë pjesë në ansambël kemi performuar së bashku që nga vitet e studimeve. Njihemi prej kohësh me njëri-tjetrin si instrumentistë, por shpesh ka pasur nevojë të përgatisim programe më të veçanta, duke përfshirë edhe elemente nga këngët e traditës sonë”, ka thënë Beqiri.

Për këtë edicion, sipas tij, programi është përzgjedhur duke iu përshtatur karakterit të festivalit, por edhe nevojës për ta ndërthurur traditën me muzikën artistike moderne.

“Për këtë edicion, besoj se programin e kemi përzgjedhur duke iu përshtatur edhe karakterit të festivalit të kompozitorëve. Pavarësisht se bëhet fjalë për Festivalin e Kompozitorëve Kosovarë, në program kemi përfshirë edhe vepra të kompozitorëve nga Shqipëria. Besoj se ekziston nevoja për ndërthurjen e vlerave të traditës sonë me muzikën artistike moderne”, ka theksuar ai.

Një vepër tjetër që ishte planifikuar të interpretohej gjatë mbrëmjes, por që nuk është realizuar, ka qenë “Aura Antica” e kompozitorit Drinor Zymberi, për instrumente me tela dhe orkestër. Beqiri ka thënë se kjo vepër do të prezantohet në një koncert të ardhshëm.

Sopranoja Zana Abazi-Ramadani ka treguar se programi është përzgjedhur në bashkëpunim me Beqirin dhe se disa prej veprave janë aranzhuar ose orkestruar nga kompozitori.

“Programi është përzgjedhur kryesisht nga unë dhe profesori Valton Beqiri. Disa nga veprat që i interpretova sonte janë aranzhuar ose orkestruar nga profesori Beqiri. Me këtë program kemi performuar edhe në Zvicër, prandaj dëshiruam që kësaj radhe ta dëgjonte edhe publiku i Prishtinës dhe i Kosovës”, ka thënë ajo. 

Ka thënë se do të donte të kishte më shumë publik. 

“Për mua, kjo është hera e parë që këndoj në Festivalin e Kompozitorëve Kosovarë. Është një festival i ri dhe shpresoj që me kalimin e kohës të rritet gjithnjë e më shumë. Kësaj radhe publiku nuk ishte aq i pranishëm sa do të dëshironim. Do të kisha pasur dëshirë të shihja më shumë të pranishëm, sidomos nxënësit e shkollave të mesme që ndjekin drejtimin e muzikës, si dhe studentët e fakultetit, sepse nga secili koncert kanë mundësi të mësojnë diçka të re”, është shprehur sopranoja Abazi-Ramadani. 

Të hënën mbrëma, kur është mbajtur koncerti, salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare ka qenë shumë e ftohtë. Në fund, sopranoja është shprehur se do të kushtet nuk ishin të përshtatshme aty për realizimin e koncertit. 

“Shpresoj që në të ardhmen të kemi edhe kushte më të mira. Kushtet nuk ishin edhe aq të përshtatshme, pasi salla ishte krejtësisht e ftohtë. Megjithatë, ia dolëm ta realizonim koncertin”, ka thënë ajo më tej. 

Drejtori artistik i festivalit, Ersan Januzi, ka shpjeguar se tema “Reconnect” është konceptuar si lidhje ndërmjet brezave të kompozitorëve shqiptarë dhe krijimtarisë së tyre.

“Në program janë përfshirë vepra të disa kompozitorëve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kanë lënë gjurmë në muzikën tonë. Disa prej këtyre veprave, që i përkasin kryesisht repertorit tradicional, janë riorkestruar dhe përshtatur nga profesori dhe kompozitori Valton Beqiri, në bashkëpunim me ansamblin ‘Neo Dardanus’ dhe solisten, sopranon Zana Abazi-Ramadani”, ka thënë Januzi.

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë do të përmbyllet më 12 nëntor me natën e dytë, e cila i kushtohet brezit të ri të krijuesve. Sipas Januzit, ky koncert do të sjellë ndërthurje të muzikës së shkruar me atë digjitale. Veprat e kompozitorëve të rinj do të prezantohen përmes audio-regjistrimeve, ndërsa partiturat e tyre do të shfaqen në ekran nga studentët.