Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shtyhet për në dhjetor gjykimi në mungesë ndaj të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit

diana kastrati

Seanca gjyqësore ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, është shtyrë për 23 dhjetor, pasi avokati mbrojtës, Haxhi Millaku, ka kërkuar kohë për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për të pasur qasje në dosjen e rastit, raporton Ekonomia Online.

Millaku ka pretenduar se, pavarësisht se autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011, gjatë procedurës paraprake nuk i ishte mundësuar qasja në dokumentet e rastit.

Ai ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritej dhe t’i jepej kohë e arsyeshme për t’u njohur me dosjen.

“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”, tha ai.

Ndërkaq, prokurorja Fatmire Cacaj ka deklaruar se shkresat e lëndës i janë dorëzuar avokates Ardita Berisha, e cila ishte caktuar më herët për mbrojtjen e të akuzuarit, duke shtuar se Millaku ka pasur mundësi të interesohej për to.

Edhe Policia e shpall në kërkim Adnon Jasharin, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit para 15 vjetësh Kronikë Policia e shpall në kërkim Adnon Jasharin, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit para 15 vjetësh

“Sa i përket shkresave të lëndës, të njëjtat janë dorëzuar që nga muaji prill i këtij viti avokates Ardita Berisha që është caktuar, nga ajo kohë deri tani avokati ka pasur mundësi që të interesohet sa i përket shkresave të lëndës”, tha ajo.

Pas kërkesës së mbrojtjes dhe deklarimeve të palëve, gjyqtarja Sulltane Hoti ka aprovuar propozimin e avokatit, duke shtyrë seancën për 23 dhjetor, në orën 09:00, si dhe duke obliguar prokurorinë që të dorëzojë shkresat e lëndës.

“Aprovohet propozimi i avokatit, seanca e radhës caktohet me datën 23 dhjetor në ora 09:00. Po ashtu obligohet prokurori të japë shkresat e lëndës”, tha ajo.

Seanca po zhvillohet në kuadër të gjykimit në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Edhe Pas 15 vjetëve ndryshon aktakuza fillestare për vrasjen e Diana Kastratit – kërkohet gjykim në mungesë LAJMET E MBRËMJES Pas 15 vjetëve ndryshon aktakuza fillestare për vrasjen e Diana Kastratit – kërkohet gjykim në mungesë

Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, teksa po shkonte në fakultet, kur u qëllua me armë zjarri.

Rasti kishte nxitur reagime të shumta publike, pasi viktima kishte kërkuar më parë urdhër mbrojtës emergjent nga institucionet, por mbrojtja nuk i ishte ofruar me kohë.