Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: 10 vjet pa vendim për nisjen e hetimeve për Deharin, Prokuroria ende vetëm grumbullon prova

Tome Gashi

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka deklaruar se Prokuroria Speciale ende nuk ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve për vrasje në rastin e Astrit Deharit, por ende vazhdon të jetë në fazën e grumbullimit të provave. 

Ai ka kritikuar trajtimin e rastit, duke kërkuar që Prokuroria të përcaktojë drejtimin e hetimeve. 
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Gashi ka thënë se është e papranueshme që për një dekadë rasti të mbetet në të njëjtën fazë, ndërkohë që përgjegjësinë për trajtimin e tij e kanë pasur pesë prokurorë të ndryshëm.

Sipas tij, Prokuroria nuk ka dhënë ende një zgjidhje konkrete dhe nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t'i dhënë rastit një drejtim të qartë hetimor.

“Sikur në ditën e parë, prokuroria vetëm grumbullon prova. Ende nuk ka (v.j. vendim për nisjen e hetimeve për vdekjen e Astrit Deharit). Ne po kërkojmë që prokurori të nxjerrë një aktvendim për hetimin e rastit të vrasjes së Astrit Deharit me persona të panjohur. Prokuroria për 10 vjet është ende në fazën e grumbullimit të provave, nuk ka një afat ligjor nëse e nxjerr një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në drejtim të vrasjes sepse nuk po themi që prokurori duhet që në ditën e parë që e merr rastin ta identifikojë vrasjen sepse rasti është më i komplikuar. Por jo që rasti të kalojë në duart e pesë prokurorëve. Ne nuk jemi të njoftuar që ka prova të tjera”, ka thënë ai.

Gashi ka deklaruar gjithashtu se provat dhe fotografitë e lëndimeve në trupin e Astrit Deharit, të siguruara nga Prokuroria Speciale, sipas vlerësimit të tij, dëshmojnë se ai është vrarë.

Sipas avokatit, Prokuroria i ka në dispozicion mjetet juridike për të avancuar rastin, por nuk po i shfrytëzon ato. 

Edhe Misteri i vdekjes së Astrit Deharit, sot në “60 Minuta” me avokatin Tomë Gashi Arbëri Misteri i vdekjes së Astrit Deharit, sot në “60 Minuta” me avokatin Tomë Gashi

Ai ka vlerësuar se ndërrimi i pesë prokurorëve brenda dhjetë vjetësh dhe mungesa e rezultateve e bëjnë trajtimin e çështjes krejtësisht joefikas.

“Rasti po trajtohet në mënyrë krejtësisht joefikase sepse nuk është normale që brenda 10 vjetëve të ndërrohen pesë prokurorë dhe të mos kemi një rezultat. Prokuroria i ka mjetet juridike që nuk po i shfrytëzon. Nuk kemi mungesë të dijes së prokurorëve, por nuk kemi guxim për ta thënë të vërtetën dhe ajo e vërtetë është vetëm një drejtim, që Astrit Dehari është vrarë”, ka theksuar ai.