Përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës është bërë e ditur se një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Mashtrimi”.
Ai dyshohet se gjatë këtij viti, vuri në lajthitje disa shtetas të Norvegjisë duke i nxitur të ndërmarrim veprime në dëm të pasurisë së tyre.
“Po ashtu, dyshohet se pasi ka siguruar të dhënat e tyre bankare të personave të dëmtuar, i dyshuari ka përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht në ato që shiten pajisje elektronike dhe si pasojë e këtyre veprimeve, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, përkatësisht shtatë (7) telefona celular, dy (2) kompjutera, dy (2) USB, një (1) veturë si dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në kuadër të procedurës penale.