Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar se janë realizuar pagesat ndaj punëtorëve teknikë të cilët ishin në grevë.
Në një postim në Facebook ka shkruar se tash presin që puna në shkollat dhe çerdhet e kryeqytetit të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur.
“Pagesat janë ekzekutuar. Tash presim përgjegjësi dhe punë! Gjatë ditës së djeshme janë ekzekutuar pagesat ndaj operatorëve ekonomikë, punëtorët teknikë të të cilëve ishin në grevë. Presim që puna në shkollat dhe çerdhet tona të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të krijojnë një Task-Forcë për mbikëqyrjen e higjienës në çdo shkollë dhe çerdhe, për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve higjieno-sanitare dhe përgjegjësi nga secili operator dhe çdo punonjës i Drejtorisë së Arsimit.
Punëtorët teknikë të disa shkollave të mesme në kryeqytet, qysh në ditën e parë të shtatorit kanë nisur grevën për shkak të mospagesave fillimisht dhe kërkesës që të respektohet paga minimale. Ata kishin thënë se ajo do të ndërpritet vetëm kur të përmbushen të gjitha obligimet ndaj tyre nga Komuna e Prishtinës.
Kësaj greve në mesin e tetorit ju bashkuan edhe ata të shkollave fillore. Ata kanë hyrë në grevë për shkak të mosdhënies së pagave dhe vonesave në ekzekutimin e tyre. Gjithashtu as shuma e pagës nuk ishte ekzekutuar sa minimalja e përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, të cilën punëtorët teknikë e kanë kërkuar që nga fillimi dhe kishin paralajmëruar se nuk e ndalin grevën deri në plotësimin e kësaj kërkese.
Më nëntor Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është arritur marrëveshje me Sindikatën.