Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tingujt romantikë e bashkëkohorë si uverturë për kulmim monumental

Ndonëse të ndryshme në kohë dhe stil, veprat janë bërë një në një program të shpalosur të enjten mbrëma. Ngjan më shumë në një lloj transparence me publikun e Filharmonisë që e përcjell përherë (Foto: Arben Llapashtica)

Ndonëse të ndryshme në kohë dhe stil, veprat janë bërë një në një program të shpalosur të enjten mbrëma. Ngjan më shumë në një lloj transparence me publikun e Filharmonisë që e përcjell përherë (Foto: Arben Llapashtica)

Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me Operën, kanë sjellë koncertin unik i cili nëpërmjet “Requiem für Mignon” nga Robert Schumann të Periudhës Romantike, ka kaluar te bashkëkohorja me “Ballin lart” të Valton Beqirit deri te përmbyllja monumentale me “Stabat Mater” e Antonín Dvořák. Koncerti në dirigjimin e Marion Wood është njëherësh edhe uverturë e rrugëtimit historik të Filharmonisë me debutimin në Berlin

Janë tri vepra që, ndonëse të ndryshme në kohë e stil, lidhen në një bosht të përbashkët emocional. Dhimbja, thellimi në tinguj dhe tejkalimi i kufijve përmes muzikës janë një lloj përmbledhjeje e prezantimit të radhës të Filharmonisë së Kosovës. Vepra monumentale e muzikës sakrale “Stabat Mater” e Antonín Dvořák e ka spikatur programin e dirigjuar nga anglezja Marion Wood.

Ndonëse të ndryshme në kohë dhe stil, veprat janë bërë një në një program të shpalosur të enjten mbrëma. Ngjan më shumë në një lloj transparence me publikun e Filharmonisë që e përcjell përherë. Kështu kishte ngjarë edhe me shpalosjen e programit në vend para koncerteve në Vjenë e në Varshavë. E koncerti i radhës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ka shpalosur programin që do të prezantohet në sallën ikonike të Filharmonisë së Berlinit, ku institucioni shtetëror muzikor debuton më 31 mars.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës së bashku me atë të Operës, do të bashkohen me “Konzertchor Münster” dhe “Choralspace Festival Choir”, të cilët janë partnerë të projektit. Sikurse ka ngjarë në Prishtinë, edhe atje, koncerti do të dirigjohet nga Marion Wood.

Në program, e para ka qenë “Requiem für Mignon” nga Robert Schumann. Sipas shpjegimit, vepra është shkruar me tekst nga Goethe, përkatësisht nga romani i tij “Mësimi i Wilhelm Meisterit” ku figura e Mignonit vjen me brishtësi, i mister dhe thellësi poetike.

E, vepra e përkthyer në gjuhë muzikore është dëshmuar si homazh emocional dhe shpirtëror për figurën e personazhit. Ajo është elegjiake, solemne e meditative. Që në hyrje ndihet atmosfera e zymtë dhe e qetë, e ndërtuar përmes harmonive të buta e të rrjedhshme. Ngjan se kori ka funksion qendror në vepër. Ngjyrat romantike janë element i rëndësishëm. Aty ka kalime të ndjeshme që thellojnë shprehjen emocionale. E po harmonia është bartëse e gjendjes shpirtërore.

Koncerti i radhës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ka shpalosur programin që do të prezantohet në sallën ikonike të Filharmonisë së Berlinit, ku institucioni shtetëror muzikor debuton më 31 mars (Foto: Arben Llapashtica)

Soliste në këtë vepër kanë qenë sopranot Kaltrina Miftari e Elona Sadiku si dhe altoja Flaka Goranci.

“Ballin lart” nga Valton Beqiri përmbledh ngarkesën emocionale, kombëtare e shpirtërore. Që nga titulli inkurajon për qëndresë krenarie e dinjiteti. Kjo e bën veprën jo vetëm artistike, por edhe simbolike. Vepra ngjan si himn krenarie dhe përcjellë mesazhin se njeriu, pavarësisht sfidave historike, personale a shoqërore, duhet të ruajë identitetin, besimin e dinjitetin.

Momentet që sjell vepra janë nga kontrastet drejt kulminacioneve të fuqishme që japin ndjesinë e fitores, krenarisë e çlirimit shpirtëror. E vepra është jo veç estetike në dëgjim, por edhe për nga niveli i ndikimit psikologjik.

Për dirigjenten Wood, ka qenë e rëndësishme ta zbulonte këtë vepër në vizitën e parë të saj në Kosovë.

“Ishte krejt kënaqësi që si një e huaj të mësoj një vepër të një kompozitori nga Kosova dhe të kap ritmet që mund të tingëllojnë si një Stravinsky. Është shumë e veçantë të shkosh në një vend dhe atje të kesh mundësi të mësosh muzikën e atij vendi”, ka thënë ajo.

Duke folur për programin, ka thënë se ai  ka qenë i qëlluar për t’u luajtur në Berlin edhe për ngjarjet me të cilat korrespondon.

“Është gjë e mirë që po performohet ‘Stabat Mater’ në Berlin, një javë para Pashkëve. Ndoshta me një dirigjente ka kuptim krejt tjetër. Është ndoshta një këndvështrim ndryshe. Pastaj ‘Requiem for Mignon’ e Schumannit është po ashtu rreth tragjedisë por që ka fund të lumtur”, ka thënë dirigjentja angleze Marion Wood, e njohur për punën e saj me kore dhe orkestra. Ajo studioi muzikë në University of Keele dhe më pas ndoqi studimet pasuniversitare për dirigjim orkestral në Royal College of Music në Londër, ku pati si lëndë dytësore edhe këndimin. Gjatë karrierës së saj ka punuar si dirigjente e pavarur me ansamble të ndryshme korale dhe orkestrale, si dhe ka qenë drejtoreshë muzikore në “University of Exeter”. Më pas ajo u angazhua edhe në fushën akademike dhe kërkimore, duke lidhur muzikën me studime mbi perceptimin dhe leximin muzikor. Marion Wood njihet për një profil të gjerë artistik, që përfshin dirigjimin, kompozimin dhe pedagogjinë muzikore.

Ajo ka thënë se përshtypja për Filharmoninë e Kosovës ka qenë puna ekipore e anëtarëve të saj.

“Secili prej tyre sonte ishin duke punuar si ekip. Të ndërtosh ekip duhet të kesh një orkestër ku secili punon së bashku me tjetrin. Ata janë ekip dhe kanë sensin e të ndërtuarit ide. Ishin të hapur për gjithçka që u kam sugjeruar. Ata filluan të sugjerojnë gjithashtu, dhe ndodhi ky bashkëpunim. Kjo për mua është shumë e rëndësishme”, ka thënë ajo.

Vepra monumentale e muzikës sakrale “Stabat Mater” e Antonín Dvořák e ka spikatur programin e dirigjuar nga anglezja Marion Wood (Foto: Arben Llapashtica)

Në pjesën e dytë të koncertit është luajtur edhe “Stabat Mater” nga Antonín Dvořák, një nga veprat më të njohura të muzikës sakrale. E shkruar për solistë, kor dhe orkestër, ajo mbështetet krejtësisht mbi tekst liturgjik latin. Bazuar në historikun e veprës, Dvořáku e shkroi atë  pas humbjes së tre fëmijëve të tij, gjë që e bën veprën jo vetëm fetare, por edhe shprehje të thellë të pikëllimit personal. Për këtë arsye, muzika e saj tingëllon tepër e sinqertë dhe e ndjerë.

Në fillim të veprës krijohet një atmosferë e rëndë, por shumë fisnike ku ndenja e vuajtjes shprehet me qetësi dhe madhështi. Kori luan një rol qendror dhe përfaqëson zërin kolektiv të lutjes, dhembjes dhe besimit. Ritmet bartin një ndjeshmëri të ëmbël, ndonjëherë të pikëlluar, por gjithmonë të ngrohtë. Edhe në momentet më të trishta, muzika e Dvořákut ruan një bukuri të brendshme dhe një dritë njerëzore.

Në këtë vepër solistë kanë qenë sopranoja Kaltrina Miftari, altoja Flaka Goranci, tenori Andre Khamasmie dhe basi Simon Robinson.

Robinson ka vlerësuar veprën sikurse edhe bashkëpunimin me Filharmoninë e Kosovës.

“Jemi pritur shumë mirë nga të gjithë. Njerëzit ishin shumë të dashur, muzikantët shumë të hapur për ide të reja. Të dy veprat që kemi interpretuar ‘Requiem for Mignon’ nga Schumann dhe ‘Stabat mater’ nga Dvořák ishin vepra krejtësisht ndryshe midis vete. ‘Requiem for Mignon’ ishte hera e dytë që e kam performuar, ndërsa ‘Stabat Mater’ është hera e katërt. Ishte mbrëmje e veçantë sepse është interesante të performosh për audienca të ndryshme. Ndien energjinë që të kthehet nga publiku. Dhe sonte mund të ndjenim se të gjithë i kishin hapur veshët. Morëm energji shumë të mirë”, ka thënë basbaritoni i njohur për veprimtarinë e tij si në skenën operistike, ashtu edhe në repertorin koncertal.

Ai është vlerësuar për zërin e tij të thellë, të pasur dhe shumë ekspresiv. Ka interpretuar një repertor të gjerë, sidomos në muzikën vokalo-korale dhe në veprat e mëdha të traditës klasike, duke u bërë një emër i kërkuar në koncerte dhe produksione operistike. Kritika dhe biografitë profesionale e përshkruajnë si një artist të gjithanshëm, me ngjyrime të shumta vokale dhe me prani të fortë skenike.

“Jam shumë i lumtur që Kori dhe Orkestra do të vijnë. Do të jetë performancë krejt ndryshe ngase të gjithë kanë ngjyrat e tyre dhe të gjitha orkestrat kanë personalitetet e tyre, sikurse ne njerëzit. Dhe këtë do ta sjellin në Berlin. Jam i sigurt se do të shkojë gjithçka mbarë”, ka thënë ai.

Edhe në Berlin, koncerti premton të jetë moment i veçantë për fuqinë e muzikës që flet me gjuhë universale edhe për institucionin e Filharmonisë së Kosovës në skenën elitare të muzikës klasike botërore.