Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Berlini – kulmimi historik i Filharmonisë së Kosovës edhe me vepra shqipe

Berlini – kulmimi historik i Filharmonisë së Kosovës edhe me vepra shqipe

Interpretimi në Filharmoninë e Berlinit konsiderohet si kulminacion për çdokënd. E ky ka qenë stacioni i radhës për Filharmoninë e Kosovës (Foto: Arben Llapashtica)

“Ballin lart!”, është titulli i veprës së Valton Beqirit e cila ka qenë në repertorin e koncertit historik të Filharmonisë së Kosovës në Filharmoninë e Berlinit. Ballëlartë janë kthyer instrumentistët prej atje, duke e përshkruar koncertin si një kapitull të jashtëzakonshëm jo vetëm për institucionin. Së bashku me “Choralspace Festival Choir” dhe “Konzertchor Münster” në dirigjimin e Marion Wood kanë sjellë edhe vepra të Robert Schumannit e të Antonín Dvořák, në një përvojë unike

Filharmonia e Kosovës brenda muajit shkurt dhe mars ka debutuar në tri kryeqytet evropiane, që njëkohësisht përbëjnë edhe qendrat më në emër të muzikës klasike në nivel kontinenti e më gjerë.

Pas Vjenës e Varshavës, Orkestra dhe Kori i Filharmonisë kanë koncertuar në Filharmoninë e Berlinit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me program ndërkombëtar dhe shqiptar, institucioni më i lartë i muzikës në vend ka interpretuar në sallën kamertale të ndërtesës ikonike që daton prej viteve ’60 të shekullit të kaluar. 

Të martën mbrëma salla e dytë për nga madhësia e Filharmonisë së Berlinit që u bën vend një mijë e 171 vetave ka qenë e rezervuar për Filharmoninë e Kosovës së bashku me “Choralspace Festival Choir” dhe  “Konzertchor Münster”. Pos Orkestrës, pjesa artistike ka pasur edhe 480 anëtarë të tre koreve që kanë zënë vend në karriget e publikut përreth orkestrës. Nën dirigjimin e Marion Wood e me veprën e Robert Schumann, “Requiem für Mignon, op. 98b”, atë të Valton Beqirit, “Ballin lart!” dhe “Stabat Mater, op. 58” të Antonín Dvořák të pranishmëve u është dhuruar një mbrëmje e veçantë muzikore. Të pranishmit në sallën “sold out” ka gjasë që veprën e Schumann dhe atë të Dvořák t’i kenë dëgjuar edhe më parë. Por “Ballin lart!” është diçka tjetër. Ka çuar në Berlin një rrëfim të Kosovës. Nën autorësi të kompozitorit Valton Beqiri, vepra  përmbledh ngarkesën emocionale, kombëtare e shpirtërore. Që nga titulli inkurajon për qëndresë krenarie e dinjiteti. Kjo e bën veprën jo vetëm artistike, por edhe me simbolika të forta. Vepra ngjan si himn krenarie dhe përcjell mesazhin se njeriu, pavarësisht sfidave historike, personale a shoqërore, duhet të ruajë identitetin, besimin e dinjitetin. Momentet që sjell vepra janë nga kontrastet drejt kulminacioneve të fuqishme që japin ndjesinë e fitores, krenarisë e çlirimit shpirtëror. E vepra përshkruhet si jo veç estetike në dëgjim, por edhe për nga niveli i ndikimit psikologjik.

Të martën mbrëma salla e dytë për nga madhësia e Filharmonisë së Berlinit që u bën vend një mijë e 171 vetave ka qenë e rezervuar për Filharmoninë e Kosovës së bashku me “Choralspace Festival Choir” dhe  “Konzertchor Münster” (Foto: Arben Llapashtica)

Kompozitori Valton Beqiri i cili ka qenë i pranishëm gjatë interpretimit të “Ballin lart!” në Berlin ka thënë se pavarësisht prezantimit të krijimtarisë së tij në vende të ndryshme të botës, e ndien veten të privilegjuar me paraqitjet në dy salla më ikonike evropiane, “Musikverein” në Vjenë më 2011 dhe tani në sallën e Filharmonisë së Berlinit. Ka falënderuar instrumentistët dhe koristët për emocionin e përcjellë, si dhe dirigjenten Marion Wood për përkushtimin dhe punën.

“Vepra ishte në program bashkë me dy vepra vokalo-instrumentale të kompozitorëve të njohur evropianë, prandaj duartrokitjet e publikut për ‘Ballin lart!’ janë dëshmi e suksesit dhe ndikimit që kjo vepër pati te publiku. Kjo arritje është gjithashtu një dëshmi e vlerave që ka Filharmonia e Kosovës dhe, njëherësh, e konsideroj jo vetëm si sukses individual, por edhe si prezantim të vlerave të krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë”, ka thënë Beqiri, i cili bashkë me pjesëtarët e Filharmonisë të mërkurën mbrëma kanë aterruar në Prishtinë. Koncerti është dhënë paraprakisht para pak ditësh në Prishtinë. Dirigjentja Marion Wood kishte thënë se ka qenë e rëndësishme ta zbulonte veprën e Beqirit në vizitën e parë të saj në Kosovë.

Pos Orkestrës, pjesa artistike ka pasur edhe 480 anëtarë të tre koreve që kanë zënë vend në karriget e publikut përreth orkestrës (Foto: Arben Llapashtica)

“Ishte krejt kënaqësi që si një e huaj të mësoj një vepër të një kompozitori nga Kosova dhe të kap ritmet që mund të tingëllojnë si një Stravinsky. Është shumë e veçantë të shkosh në një vend dhe atje të kesh mundësi të mësosh muzikën e atij vendi”, kishte thënë ajo.

Duke folur për programin, kishte thënë se ai ka qenë i qëlluar për t’u luajtur në Berlin edhe për ngjarjet me të cilat korrespondon.

“Është gjë e mirë që po performohet ‘Stabat Mater’ në Berlin, një javë para Pashkëve. Ndoshta me një dirigjente ka kuptim krejt tjetër. Është ndoshta një këndvështrim ndryshe. Pastaj ‘Requiem for Mignon’ e Schumannit është po ashtu rreth tragjedisë por që ka fund të lumtur”, kishte thënë dirigjentja angleze Marion Wood, e njohur për punën e saj me kore dhe orkestra. Po ashtu kishte thënë se përshtypja për Filharmoninë e Kosovës ka qenë puna ekipore e anëtarëve të saj.

“Secili prej tyre sonte ishte duke punuar si ekip. Të ndërtosh ekip duhet të kesh një orkestër ku secili punon së bashku me tjetrin. Ata janë ekip dhe kanë sensin e të ndërtuarit ide. Ishin të hapur për gjithçka që u kam sugjeruar. Ata filluan të sugjerojnë gjithashtu, dhe ndodhi ky bashkëpunim. Kjo për mua është shumë e rëndësishme”, kishte thënë ajo.

Të pranishmit në sallën “sold out” ka gjasë që veprën e Schumann dhe atë të Dvořák t’i kenë dëgjuar edhe më parë. Por “Ballin lart!” është diçka tjetër (Foto: Arben Llapashtica)

Filharmonia e Kosovës pas koncertit në Berlin ka njoftuar se ka realizuar me sukses koncertin në të cilin publiku përjetoi një eksperiencë të veçantë korale në 360 shkallë. Sipas njoftimit të Filharmonisë publiku në Berlin përjetoi një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike me interpretimet e solistëve si sopranot Kaltrina Miftari dhe Elona Sadiku, mexosopranoja Flaka Goranci, tenori André Khamasmie dhe basi Simon Robinson.

“Ky koncert shënoi një moment të rëndësishëm për Filharmoninë e Kosovës, duke shënuar debutimin e saj në kryeqytetin gjerman dhe duke u pritur me entuziazëm nga publiku. Një falënderim i veçantë për ‘Choralspace’, për gjithë ekipin dhe veçanërisht për Gent Lazrin si dhe për të gjithë artistët, partnerët dhe publikun që e bënë këtë mbrëmje kaq të veçantë”, shkruhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës.

Filharmonia e Kosovës pas koncertit në Berlin ka njoftuar se ka realizuar me sukses koncertin në të cilin publiku përjetoi një eksperiencë të veçantë korale në 360 shkallë (Foto: Arben Llapashtica)

Paraprakisht në shkurt Filharmonia e Kosovës ka shënuar përvjetorin e shtetit më të ri në Evropë në Vjenë. Në Sallën Mbretërore, kryesorja e ndërtesës ikonike “Haus der Industrie” nën dirigjimin e Edon Ramadanit ka interpretuar “Simfoninë për harqe, nr.10” nga Felix Mendelssohn,  “Sinfonietën” e kompozitorit Drinor Zymberi, disa këngë shqipe për të vazhduar me “Suitën për harqe” të kompozitorit Valton Beqiri si dhe kohën e tretë dhe të katërt të veprës “Shpirti i traditës”, saktësisht “Ndikimi” dhe “Loja” të pikërisht këtij kompozitori. E pas Vjenës qe radha e Varshavës ku në sallën koncertale të Universitetit të Muzikës “Fryderyk Chopin”, ku programi është hapur me “Forsaken” e Mendi Mengjiqit për të vazhduar me “Sinfonietën” e Zymberit, disa këngë shqipe, “Koncertin për piano dhe harqe” të polakut Henryk Górecki për ta mbyllur programin me “Shpirtin e traditës” të Valton Beqirit.