Nuk kishte fare rivalitet në ndeshjen e së dielës mbrëma në “Minatori”. Kampionia në fuqi e Kosovës në basketboll, Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultatin e thellë, 100:71.
Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së gjashtë të Superligës. Skuadra e Adis Beqiragiqit e fitoi çerekun e parë me rezultat 23:12. Më pas vetëm e rriti epërsinë që në fund ishte plot 29 pikë.
Trepça është në moment të mirë. Ka pesë fitore rresht. Ylli kishte tri fitore rresht, por u dorëzua herët në Mitrovicë.
Ja’Cori Payne udhëhoqi Trepçën me 18 pikë, pesë asistime e katër kërcime. James Graham i kishte 16 pikë e gjashtë kërcime. Drilon Hajrizi i kishte 17 pikë e tri kërcime.
Tek Ylli pak më i mirë ishte Davonte Bandoo me 19 pikë, katër asistime e tri kërcime. Khalil Shabazz i realizoi 22 pikë. Por kishte shumë gjuajtje të pasakta dhe plot nëntë topa të humbur.
Trepça ka katër fitore e dy humbje. Bilanci i Yllit është tri fitore e tri humbje.