Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tenderi 22-milionësh i restaurimit të Bibliotekës anulohet për së dyti

Restaurimi dhe konservimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, konsiderohet si projekti më madhor, por që po dështon në gjetjen e punëkryesit

Restaurimi dhe konservimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, konsiderohet si projekti më madhor, por që po dështon në gjetjen e punëkryesit

Me arsyetimin se kompanitë e bashkuara për ta implementuar projektin e restaurimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara, për të dytën herë është anuluar aktiviteti i prokurimit. Biblioteka po hyn në vitin e parë prejse ka nisur procedurat për ta gjetur punëkryesin i cili do ta implementojë projektin që peshon gati 22 milionë euro, e që përfshin restaurimin e konservimin e monumentit nën mbrojtje të përhershme

Historia e nismës për restaurimin e tërësishëm të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës tashmë numëron disa kapituj pa kurrfarë rezultati. Për pak ditë bëhet një vit prejse ka nisur procesi i hapjes së thirrjes për kompanitë punëkryese. E, tash Ministria e Kulturës për të dytën herë ka anuluar aktivitetin e prokurimit. Anulimi i bërë në fillim të këtij viti qe pasuar me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pas vendimit të OSHP-së, oferta e grupit të operatorëve ekonomikë është kthyer në rivlerësim. Prapë është refuzuar me arsyetimin se kompanitë e bashkuara për të implementuar këtë projekt nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anulon aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës’ pasi për këtë aktivitet të prokurimit nuk kemi oferta të përgjegjshme”, shkruhet në vendimin e marrë nga Ministria e Kulturës në ditën e 21-të të këtij muaji. Për këtë edhe e ka njoftuar grupin e kompanive “Limitproject SH.P.K”, “Rinesa SH.P.K”, “Delta - CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K” që kanë konkurruar së bashku për ta realizuar projektin për 21 milionë e 956 mijë e 811 euro.

Në arsyetimin e vendimit bëhet e ditur se pas vlerësimit të ofertës komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik dhe profesional. Është kërkuar që në tre vjetët e fundit grupi i ofertuesve të ketë kryer punë të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumë prej së paku 5 milionë eurove. Po ashtu, është kërkuar që të plotësojnë kushtin e ndërtimit ose renovimit të ndërtesave publike në vlerë prej 10 milionë eurosh.

“Operatori ekonomik duhet të paraqesë një listë (pranohet edhe në formë tabele) të punëve projekteve të përfunduara e cila duhet të jetë po ashtu e nënshkruar dhe vulosur ku përfshihet data e përfunduar, lloji i punës të përfshirë, (autoriteti kontraktues), autoriteti që ka pranuar punën kur ky i fundit është autoritet kontraktues sipas LPP-së, shuma financiare e kontratës. Lista e projekteve të përfunduara duhet të mbështetet me foto, prezantim grafik apo formë tjetër të dëshmisë së qartë të realizimit të projektit”, shkruhet në arsyetim. Po ashtu, është kërkuar që kompania lidere e grupit të përmbushë së paku 60 për qind të kësaj kërkese.

“Grupi i Operatorëve Ekonomikë nuk e plotëson këtë kërkesë, sepse dëshmitë e ofruara nuk e arrijnë vlerën financiare sipas kërkesës së autoritetit kontraktues”, shkruhet midis të tjerash në arsyetim. Sipas arsyetimit të Ministrisë së  Kulturës, te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë vlera financiare e projekteve të ngjashme nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove. Është ofruar dëshmi për 4 milionë e 925 mijë euro. Kurse kërkesa prej 10 milionësh del të jetë dëshmuar me vetëm 6 milion e 651 mijë euro.

Edhe Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës drejt rivlerësimit Kulturë 1 muaj më parë Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës drejt rivlerësimit

Në prill të këtij viti, Ministria e Kulturës e kishte anuluar për herë të parë këtë proces të prokurimit. Midis të tjerash, edhe me arsyetimin që e ka dhënë tash për anulimin e dytë. Por kompanitë i qenë drejtuar OSHP-së. E ky organ e ktheu në rivlerësim.

“Aprovohet, si e bazuar ankesa e O.E. LIMITPROJECT SH.P.K. me nr. 2026/0240, e datës 15/04/2026, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, me numër të prokurimit 207-25- 7189-5-1-1”, shkruhej në pikën e parë të vendimit të OSHP-së. Në pikën tjetër, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik kishte anuluar njoftimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës nëpërmjet të cilit anulohej krejt procedura e prokurimit.

“Në afat prej 10 ditësh, AK-ja duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën, OSHP-ja ka të drejtë të ndërmarrë masa ndaj AK-së për mosrespektim të vendimit sikurse parashihet me dispozitat e nenit 131 të LPP-së”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit.

Krejt konstatimet e MKRS-së i kishte kundërshtuar “Limitproject SH.P.K.” dhe, OSHP-ja ka vendosur që t’i japë të drejtë këtij operatori ekonomik.

“Paneli Shqyrtues, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe argumenteve ka ardhur në përfundim se Autoriteti Kontraktues gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk ka respektuar dispozitat ligjore të LPP-së, kështu që urdhëron AK-në që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit t’u përmbahet në tërësi dispozitave ligjore të LPP-së”, shkruhej në vendim.

Në prill, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kishte thënë se tenderi është anuluar, ngaqë konsorciumi i operatorëve ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender, nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.

Edhe Dështon tentimi i parë për restaurimin 22 milionë eurosh të Bibliotekës Kulturë 3 muaj më parë Dështon tentimi i parë për restaurimin 22 milionë eurosh të Bibliotekës

“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, kishte thënë ajo.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova, kishte thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.

“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, kishte thënë Rugova.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e projektuar nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti u bë më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës.

Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.

Edhe Ankesa kthen në “lojë” procesin për restaurimin 22-milionë eurosh të Bibliotekës Kulturë 2 muaj më parë Ankesa kthen në “lojë” procesin për restaurimin 22-milionë eurosh të Bibliotekës

“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.

Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, në nëntor të vitit 2024, qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se të gjitha projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun.