Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tenderi 21-milionësh për restaurimin e Bibliotekës, në rivlerësim

Biblioteka Kombetare e Kosoves

“Lufta” për tenderin prej 21 milionë eurosh është e gjatë dhe me shumë kapituj. I radhës do të jetë rivlerësimi. Krejt pasi procesi është në prag të një viti prej kur qe hapur thirrja publike për projektin e konservimit dhe restaurimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, më ambiciozin në një ndërtesë të trashëgimisë kulturore e po ashtu për mirëmbajtjen e një institucioni qendror të kulturës

Foto: Alban Bujari

Konservimi dhe restaurimi i objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ende është larg punëve në terren përderisa ka ngjarë ajo që ishte paralajmëruar dy ditë më parë: tenderi është kthyer në rivlerësim. Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka anuluar njoftimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës nëpërmjet të cilit anulohej krejt procedura e prokurimit kur ishte konstatuar se operatori ekonomik nuk e kishte plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik profesional

Ministrisë së Kulturës i ka dalë punë me tenderin për restaurimin e tërësishëm të ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Pas anulimit të procedurës, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik e ka kthyer këtë lëndë në rivlerësim.

“Lufta” për tenderin prej 21 milionë eurosh është e gjatë dhe me shumë kapituj. I radhës do të jetë rivlerësimi. Krejt pasi procesi është në prag të një viti prej kur qe hapur thirrja publike për këtë projekt, më ambiciozin në restaurimin e një ndërtese të trashëgimisë kulturore e po ashtu për mirëmbajtjen e një institucioni qendror të kulturës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Aprovohet, si e bazuar ankesa e O.E. LIMITPROJECT SH.P.K. me nr. 2026/0240, e datës 15/04/2026, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, me numër të prokurimit 207-25- 7189-5-1-1”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të OSHP-së që për kryetar të panelit shqyrtues ka pasur Vedat Poterqoin. Në pikën tjetër, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka anuluar njoftimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës nëpërmjet të cilit anulohej krejt procedura e prokurimit.

“Në afat prej 10 ditësh, AK-ja duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën, OSHP-ja ka të drejtë të ndërmarrë masa ndaj AK-së për mosrespektim të vendimit sikurse parashihet me dispozitat e nenit 131 të LPP-së”, shkruhet në pikën e tretë të vendimit.

Ministrisë së Kulturës i ishte dashur shumë kohë për të dalë me njoftimin për anulim të procesit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit anulon aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës’”, njoftonte Ministria e Kulturës në fillim të prillit për procesin e nisur qysh në gusht të vitit të kaluar.

Grupi i kompanive që ofertuan janë “Limitproject SH.P.K.”, “Rinesa SH.P.K.”, “Delta - CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K”. Ofertuan që restaurimin ta bëjnë për 21 milionë e 956 mijë e 811 euro.

Sipas arsyetimit të vendimit të Ministrisë së Kulturës, pas vlerësimit të ofertës, komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik profesional. Sipas MKRS-së, është dashur të ofrohet dëshmi e kompetencës për përvojën e mjaftueshme në sektorin përkatës dhe, për këtë qëllim, duhej dëshmuar se gjatë tre vjetëve të shkuar ka zbatuar kontrata të arkitekturës dhe inxhinierisë për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumën prej së paku 5 milionë eurove. Po ashtu, është kërkuar edhe dëshmi pune për zbatimin e projekteve të hollësishme të arkitekturës dhe inxhinierisë për ndërtimin ose renovimin e ndërtesave publike në shumën prej së paku 10 milionë eurove.

“Te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë është llogaritur vlera financiare e projekteve të ngjashme dhe, pas vlerësimit, nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove... Grupi i operatorëve ekonomikë për këtë kriter ka ofruar dëshmi në lista të kontratave, kontrata të ngjashme që kapin vlerën totale prej 4 milionë e 925 mijë eurosh”, shkruhet në arsyetimin e vendimit. 
Po ashtu, sipas arsyetimit, del se nuk është plotësuar as kriteri i 10-milionëshit, pasi grupi i operatorëve ekonomikë ka sjellë dëshmi që kapin vlerën e 6 milionë e 651 mijë eurove.

“Ne e kemi marrë atë vendim, por tash ta shohim se si do të ecë procedura, pasi mund të ketë ankesa”, i kishin thënë KOHËS asokohe në Ministrinë e Kulturës.

Krejt konstatimet e MKRS-së i kishte kundërshtuar “Limitproject SH.P.K.” dhe, OSHP-ja ka vendosur që t’i japë të drejtë këtij operatori ekonomik. 

“Paneli Shqyrtues, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe argumenteve ka ardhur në përfundim se Autoriteti Kontraktues gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk ka respektuar dispozitat ligjore të LPP-së, kështu që urdhëron AK-në që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit të iu përmbahet në tërësi dispozitave ligjore të LPP-së”, pasi janë marrë në shqyrtim shkresat e lëndës. Sipas OSHP-së, konstatimi i Ministrisë së Kulturës për vlerën financiare të punëve të kryera është i paqëndrueshëm. 

Sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik po ashtu mbështetja nga banka ndaj operatorëve ekonomikë është e qartë dhe e pakushtëzuar.

Në prill, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kishte thënë se tenderi është anuluar, ngaqë konsorciumi i operatorëve ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender, nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.

“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, kishte thënë ajo.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova, kishte thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.

“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, kishte thënë Rugova.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti u bë më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës.

Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.

“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.

Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, në nëntor të vitit 2024, qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se të gjitha projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun. Për Bibliotekën kishte thënë se nuk ishte vizion aksidental.

“Evropa është e vogël dhe ka identitetin e vet arkitekturor. Pjesa jonë e Evropës ka për bazë arkitekturën bizantine. Ka një traditë të gjatë të formave bizantine. Drita natyrore është menduar të jetë e gjithanshme. Aspekt tjetër është në lidhje të gjithmonshme me natyrën”, kishte thënë Mutnjakoviq.

Sa u përket ndërhyrjeve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një prej intervenimeve të fundit ishte ai i vitit 2020, kur u bë izolimi i kulmit. Me afro 200 mijë euro qe sanuar një problem i kahershëm.