Futboll

Opsione të bollshme për sulmin, por Muriqi mbetet i pakonkurrencë

Albion Rrahmani

Albion Rrahmani

Kur Vedat Muriqi të pensionohet nga përfaqësuesja e Kosovës, vendin në sulm do ta lërë në duar të sigurta.

Janë dy qendërsulmues që në të ardhmen mund ta marrin barrën për shënimin e golave të “Dardanëve”.

Këtë të paktën e kanë dëshmuar gjatë dy miqësoreve që Kosova i luajti brenda një jave.

Të hënën mbrëma kundër Komoreve, Albion Rrahmani shënoi “hat-trickun” e parë me fanellën e Kosovës, kurse Fisnik Asllani realizoi golin e tij të parë për përfaqësuese. Dy sulmuesit shfaqën efikasitetin në fitoren 4:2 ndaj përfaqësueses afrikane. Rrahmani shënoi dy herë edhe në fitoren 5:2 kundër Armenisë, në ndeshjen e luajtur të premten e kaluar.

Asllani 22-vjeçar shënoi golin e parë me fanellën e “Dardanëve” gjashtë minuta pasi u inkuadrua në fushë. Ai e zëvendësoi Rrahmanin.

Komoret dhe Armenia nuk janë përfaqësuese që Kosova duhet t’i përballojë për të arritur suksesin e synuar. Megjithatë në ranglistën e FIFA-s janë afër Kosovës.

Rrahmani dhe Asllani luajtën në mungesë të Muriqit, i cili si shumë lojtarë të tjerë të rëndësishëm u pushua nga këto dy ndeshje.

Sulmuesi i Mallorcas, Muriqi, me fanellën e Kosovës ka shënuar 31 gola në 60 ndeshje. 31-vjeçari është bindshëm golashënuesi më i mirë i Kosovës. Sulmuesi i krahut, Milot Rashica, ka shënuar 12 gola në 61 ndeshje. Albion Rrahmani në total ka gjashtë gola në 15 ndeshje.

Rrahmani premton të tjerë gola me fanellën e Kosovës.

“Jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar që shënova gola. Golat patjetër që u dedikohen familjes sime dhe të gjithë tifozëve tanë. Të shënosh tre gola për Kosovën është diçka e rrallë, sepse nuk ka shumë lojtarë që shënojnë nga tre gola për një ndeshje. Por ky është ‘hat-tricku’ im i parë dhe patjetër që do të jetë ndër kujtimet më të mira për mua”, ka thënë Rrahmani për sajtin zyrtar të FFK-së.

Sulmuesi 24-vjeçar luan për Sparta Pragën në Çeki. Pritjet te Sparta Praga ishin të mëdha nga Rrahmani. Por ai shënoi vetëm dhjetë gola dhe asistoi dy herë në 34 ndeshje me fanellën e klubit çek.

“Dikur e kisha ëndërr të shënoja golin e parë për Kosovën, ndërsa një gjë të tillë e arrita sot. Jam shumë i lumtur. Besoj se e kam bërë krenare familjen. Mund të arrijmë shumë lart, nëse vazhdojmë të punojmë kështu si ekip”, ka thënë Asllani.

Sulmuesi shtatlartë kishte edicion të mirë me skuadrën e Elversbergut në Bundesliga 2. Shënoi 18 gola dhe asistoi tetë herë në 33 ndeshje. Edhe në plejofin për ngritje në Bundesligë, Asllani shënoi gol dhe asistoi një tjetër në dy ndeshje. Por Elversbegu nuk arriti të ngrihet në Bundesligë. Asllani ka gjasa që në sezonin e ri të paraqitet në Bundesligë. Shumë skuadra elitare të Gjermanisë kanë shprehur interesim për Asllanin.

Në shtator Kosova fillon kualifikimet për Botëror. Ndeshjen e parë e ka ndaj Zvicrës. Lojtarët e rëndësishëm do të kthehen, ndërsa vendi në sulm sërish do të jetë i Muriqit, nëse ai nuk ka ndonjë shqetësim fizik. Asllani e Rrahmani pritet të jenë mbështetje e tij. Miqësoret e këtij muaji dëshmuan se megjithatë janë mbështetje e sigurt.