Rekordet personale dhe të Mallorcas vazhdojnë të bien gjatë ecurisë fantastike të Vedat Muriqi. Në Gjermani, Fisnik Asllani, por edhe Leon Avdullahu e Albian Hajdari, vazhdojnë të shkëlqejnë.
Dhe në prag të ndeshjes më të rëndësishme të Kosovës deri më tani, atë ndaj Sllovakisë, “Dardanët” kanë shumë e shumë arsye për optimizëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKosova më 26 mars, pra edhe 18 ditë, luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës. Sa afrohet ndeshja, forma e dy sulmuesve kryesorë të Kosovës bëhet edhe më e mirë.
31-vjeçari Muriqi kishte tjetër paraqitje impresive të shtunën. Shënoi dy golat e Mallorcas në barazimin 2:2 në fushën e vështirë të Osasunas. Në fund golat e prizrenasit kishin vlerën e një pike, por Muriqi vazhdon të mos falë në zonë. Dhe mprehtësia e tij do të jetë shumë e rëndësishme për Franco Fodan në ndeshjen në Bratislavë.
Muriqi u shpall lojtar i ndeshjes. Këtë edicion i ka plot 18 gola në 26 paraqitje në La Liga. Tashmë është bindshëm edicioni i tij më i mirë në Spanjë, por edhe në gjithë karrierën.
Kaq shumë gola në një edicion nuk ka shënuar as në Kosovë te Liria, as në Shqipëri te Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës, as në Turqi te Giresunspori, Gençlerbirligi, Rizespori e Fenerbahçe dhe as në Itali te Lazio.
Te Giresunspori në kategorinë e dytë turke dhe te Rizespori në Superligën turke i kishte nga 17 gola në edicion. Natyrisht goli në La Liga ka vlerë shumë më të madhe se goli në Turqi.
Mallorca e vazhdon garën për të mbetur në elitën spanjolle dhe është plotësisht e varur nga Muriqi. Edhe sulmi i Kosovës nuk mendohet pa Muriqin.
“Kemi filluar mirë të dy pjesët e ndeshjes, me epërsi golash. Por më pas rivalët shënuan dy gola për pesë minuta. Është pikë e rëndësishme, megjithatë është e vështirë të fitohet në ‘El Sadar’. Kemi mundur të fitojmë tri pikët, marrë për bazë si shkoi ndeshja, por jemi të lumtur me rezultatin”, ka thënë Muriqi, i njohur si “Pirati” i Mallorcas.
Ai ka kaluar rekordin e Samuel Eto’os për më së shumti gola në një edicion të La Ligas për Mallorcan. Eto’o i kishte 17 gola në edicionin 2003/04.
Edhe rekordi i kamerunasit legjendar për më së shumti gola për Mallorcan në La Liga, po bie. Ai i kishte 54 gola për Mallorcan në elitën spanjolle, kurse Muriqi tani është afruar në 52.
Në La Liga këtë edicion vetëm Kylian Mbappe ka më shumë gola se Muriqi, 23. Rrjedhimisht kosovari është prej sulmuesve më të mirë në futbollin evropian këtë edicion.
Në Bundesligën gjermane, Hoffenheimi u kthye te fitorja pas dy ndeshjeve. E mposhti të shtunën Heidenheimin me rezultatin 4:2. Fisnik Asllani, lojtari që pritet të jetë partner i Muriqit në sulmin e Kosovës, shënoi gol dhe asistoi në këtë fitore.
23-vjeçari Asllani tani ka tetë gola e pesë asistime në 24 paraqitje në Bundesligë. Asllani ishte prej më të mirëve te Hoffenheimi, që po ka edicion shumë të suksesshëm në kampionatin gjerman. Pas xhiros së 25-të e mban vendin e tretë me 49 pikë. Vetëm gjigantët e futbollit gjerman, Bayerni e Dortmundi janë më lartë në tabelë se Hoffenheimi. Shumë të rëndësishëm te kjo skuadër, sërish njëjtë si te Kosova, janë edhe Albion Hajdari në mbrojtje dhe Leon Avdullahu në mesfushë. Avdullahu pritet ta “komandojë” mesfushën e Kosovës në Bratislavë, ndërsa Hajdari vijën e fundit të mbrojtjes.
Me formën aktuale të Muriqit e Asllanit, përfundimi pa gola i ndeshjes në Sllovaki do të jetë pak i mundur.