Jo të gjithë u pajtuan me humbjen e thellë të Kosovës nga Ishujt Faroe në Torshavn javën e kaluar. Në ndeshjen e xhiros së parë të kualifikimeve për Euro 2028 në hendboll, Ishujt Faroe fituan me rezultat 37:30, para 2800 shikuesve. Të dielën, ekipi përfaqësues i Ishujve Faroe barazoi 34:34 me Malin e Zi në Podgoricë.
Në fakt hendbolli në Ishujt Faroe është dukshëm më i zhvilluar se në Kosovë. Dhe fitorja e Ishujve Faroe ndaj Kosovës nuk ishte befasi. Ishte rezultat i pritur.
Ndonëse me vetëm 55 mijë banorë, Ishujt Faroe e kanë hendbollin shumë të zhvilluar. Madje edhe kryeministri i këtij vendi është hendbollist aktiv.
Lojtarët nga Ishujt Faroe luajnë në top-liga evropiane. Përfaqësueset e Ishujve Faroe kanë pasur suksese të mëdha në vitet e fundit. Oli Mittun, motra e tij, Jane dhe kushëriri i tyre, Elias Ellefsen a Skipagotu, janë prej më të njohurve në Ishujt Faroe, që janë territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Për rëndësinë e hendbollit për Ishujt Faroe së fundi për faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Hendbollit foli kryeministri Beinir Johannesen. Vetëm 29-vjeçar, Johannesen është prej drejtuesve më të rinj qeveritar në Evropë. I lindur më 12 shkurt 1997 në Klaksvik, politikani nga Partia Popullore konservatore u bë kryeministër i Ishujve Faroe më 13 prill 2026. Ai vazhdon të luajë hendboll, ndërsa paraqitet në nivelin më të lartë të Ishujve Faroe. Madje ka edhe përvojë ndërkombëtare. Luajti në Kupën Evropiane për ekipin e Klaksvikut në edicionin 2023/2024.
Edhe
Kosova mposhtet nga Ishujt Faroe në nismë të kualifikimeve për Euro 2028
Edhe kryeministri i kaluar i Ishujve Faroe, Steig Nielsen ishte hendbollist. Ai kishte luajtur për përfaqësuesen e Ishujve para se të bëhej kryeministër.
“Qartë se është e shpeshtë që politikanët të jenë nga sporti në Ishujt Faroe. Tre kryeministrat e kaluar ishin të përfshirë në futboll apo në hendboll. Kështu që është normale për ne që të kemi një ish-sportist për kryeministër”, ka thënë Johannesen për “eurohandball.com”.
Ai ka theksuar se hendbolli dhe politika janë kombinim i përkryer.
“Ka shumë vlera që të duhen në sportin ekipor, në politikë dhe në të gjitha profesionet e tjera, si disiplina dhe aftësia për të punuar si pjesë e ekipit. Gjithnjë duhet të bashkëpunosh me të tjerët”, ka theksuar kryeministri i Ishujve Faroe.

Johannesen ka treguar se luan si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, por ka theksuar se në sulm është më i mirë. Ai luan në pozitën e pivotit.
Edhe
Kosova e fillon në Ishujt Faroe rrugëtimin që shpreson ta dërgojë në Evropian
Të luash kundër kryeministrit të vendit, nuk ndodh shpesh.
“Në fillim ka pasur disa komente lidhur me këtë. Por tashmë është bërë plotësisht normale për bashkëlojtarët e mi dhe kundërshtarët. Ata më njohin mirë, pasi kanë luajtur kundër meje para se të bëhesha kryeministër. Ndoshta kundërshtarët janë më të përkushtuar për të më ndalur në fushë, pasi jam bërë kryeministër”, ka theksuar Johannesen.
Ai është ndëshkuar me të kuq në ndeshjen e parë si kryeministër. Tregon se arbitrat nuk kanë hezituar ta ndëshkojnë.
Rreth 15 për qind e banorëve të Ishujve Faroe udhëtojnë për të përcjellë përfaqësuesen e hendbollit në ngjarjet e mëdha.
Edhe
Hendbollistja nga Kosova në klubin me më së shumti tituj në Danimarkë
“Çmenduria për hendbollin filloi kur ekipet tona u bënë të suksesshme dhe u kualifikuan në ngjarje të mëdha. Këto rezultate ndryshuan çdo gjë. Kur hendbolli transmetohet në televizion, ju mund të shihni ndikimin në gjithë Ishujt Faroe. Rrugët janë të zbrazëta dhe i gjithë vendi duket i qetë”, ka thënë kryeministri Beinir Johannesen.
Ai thotë se ekipet dhe sportistët e Ishujve Faroe janë ambasadorë të shkëlqyer të vendit. Kryeministri është i kënaqur me avancimin e bërë në hendboll dhe sukseset e deritashme.