Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Kosova e fillon në Ishujt Faroe rrugëtimin që shpreson ta dërgojë në Evropian

Kosova

Hendbollistët e Kosovës e luajnë në Ishujt Faroe ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2028. Kualifikimi në një ngjarje të madhe mbetet synimi kryesor në përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Por ndeshja e parë dhe gjithë kampanja kualifikuese për Euro 2028, vlerësohet shumë sfiduese.

Kosova është në Grupin 4, ku janë edhe Hungaria dhe Mali i Zi. Dy të parët në grup avancojnë në Evropian, ndërsa kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, prej tetë grupeve sa janë gjithsej. Pikërisht prej vendit të tretë Kosova e kërkon rastin.

Ndeshja mes Ishujve Faroe dhe Kosovës zhvillohet të mërkurën prej orës 20:00 në Torshavn. Hendbollistët kosovarë të hënën kanë udhëtuar për në Ishujt Faroe, ndërsa kanë pranuar forcën e përfaqësueses vendase.

“Na pret ndeshje shumë e vështirë në udhëtim. Ishujt Faroe kanë rritur nivelin e tyre në vjetët e fundit. Kjo përfaqësuese është në momentin më të mirë, është top-përfaqësuese evropiane. Na duhet paraqitje e shkëlqyer për të pasur shanse”, ka thënë selektori i Kosovës, suedezi Jesper Ostlund.

Kosova me Ishujt Faroe u takua në kualifikimet për Euro 2026. Dy vjet më parë në Torshavn, në praninë e 1700 shikuesve, Ishujt Faroe fituan me rezultat 32:21. Ndërkohë më 8 maj 2025, Ishujt Faroe fituan në Prishtinë me rezultat 25:23. Nëse do ta fitonte atë ndeshje, Kosova do të kualifikohej në Evropian. Por rasti i madh humbi.

Ndërkohë erdhi Ostlund në postin e përzgjedhësit, por lojtarët e gjeneratës së suksesshme të Kosovës po shkojnë drejt fundit të karrierës. Përfaqësuesja nuk vlerësohet më në momentin më të mirë të saj.

“Na pret ndeshje e vështirë, ndaj një super-kombëtareje me hendbollistë të talentuar. Edhe ambienti do të jetë i jashtëzakonshëm, me tifozët fanatikë vendas. E dimë se çfarë lojtarësh kanë Ishujt Faroe dhe ku luajnë ata. Por do të japim gjithçka nga vetja dhe mbetet të shihet çka do të ndodhë në fund”, ka thënë aloja Drilon Tahirukaj.

Kosova do të jetë pa dy organizatorët kryesorë të lojës, kapitenin Valon Dedaj dhe Leonard Gegajn.

Menjëherë të dielën Kosova e pret Hungarinë në Ferizaj. Hungaria është favorite e grupit. Por fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja në Torshavnin e largët.