Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

IHF-ja vlerëson suksesin e Kosovës

Hendboll

Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) ka cekur suksesin e Kosovës dhe tri përfaqësueseve tjera që siguruan kalimin në fazën e dytë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror që do të mbahet vitin tjetër.

Në një shkrim të publikuar të hënën, IHF-ja ka raportuar për suksesin e Kosovës në raundin e parë ndaj Estonisë. 

Kosova e nisi me fitore bindëse, duke triumfuar 39:22 në ndeshjen e parë. 

Në takimin e dytë, Estonia fitoi 27:25, por kjo nuk mjaftoi pasi që Kosova kaloi në fazën tjetër me rezultat të përgjithshëm 64:49.

“Të dyja ndeshjet u zhvilluan në Prishtinë, në fushën vendase të Kosovës, e cila siguroi kualifikimin që në ndeshjen e parë kundër Estonisë, të cilën e fitoi me rezultat 39:22. Merlinda Qorraj shënoi 13 gola, ndërsa portierja Aurora Kryeziu realizoi 20 pritje, me efikasitet prej 48 për qind”, ka shkruar IHF-ja. 

Përveç Kosovës, në fazën e fundit të kualifikimeve kaluan edhe Britania e Madhe, Lituania dhe Italia.
Shorti për fazën e dytë do të tërhiqet më 19 dhjetor, ndërsa ndeshjet e para janë paraparë të luhen më 7 dhe 8 prill. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 10 dhe 11 prill.