Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Hendbollistja nga Kosova në klubin me më së shumti tituj në Danimarkë

Verona Rexhepi

Hendbollistja nga Kosova, Verona Rexhepi, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Nga edicioni i ardhshëm, Rexhepi do të luajë për skuadrën që ka më së shumti tituj të kampionit të Danimarkës, Viborg HK. Aktualisht Rexhepi luan për skuadrën tjetër të elitës daneze, Ringkobing, dhe do ta përfundojë te kjo skuadër edicionin 2026/2027.

Rexhepi, që luan në pozitën e organizatores, është në momentin më të mirë të karrierës. Është realizatorja më e mirë e kampionatit danez me 53 gola nga shtatë ndeshje. Vetëm një gol e ka nga penalltia. 

Danimarka e ka hendbollin e vajzave thuajse më të zhvilluar në Evropë.

Viborgu, si asnjë klub tjetër, i ka 14 tituj të Danimarkës. Kampionatin e kaluar e përfundoi në vendin e pestë.

“E shoh Viborgun si vend të duhur për të vazhduar zhvillimin si hendbolliste. Është klub tradicional me ambicie të mëdha dhe ambient profesional. Mendoj se mënyra se si Viborgu luan hendboll më përshtatet shumë. Mezi pres të bëhem pjesë e ekipit, që të ndërtoj në lojën time dhe të vazhdoj zhvillimin sportiv. Pres të kontribuoj për ekipin dhe shpresoj se mund të ndihmoj që të luajmë për medalje në edicionin e ardhshëm dhe të realizojmë ambiciet e klubit”, ka thënë Verona Rexhepi.

Te Viborgu e vlerësojnë kosovaren, ndërsa presin të përfitojnë prej kualiteteve të saj në fushën e lojës.

“Jemi shumë të lumtur ta mirëpresim Veronën në Viborg. Besojmë se ajo mund të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin e mëtejmë të ekipit”, ka thënë drejtori i klubit, Jens Steffensen.

Edhe Hendbollistja kosovare, më e mira e muajit në elitën daneze Sporte të tjera Hendbollistja kosovare, më e mira e muajit në elitën daneze

Rexhepi në edicionin aktual shpesh është zgjedhur në ekipin më të mirë të xhiros, njëjtë si edicionin e kaluar. Ajo ka pasaportë të Kosovës, por nuk ka luajtur ende për Kosovën. Në shtabin teknik të Kosovës ka shpresë se 22-vjeçarja shpejt mund të bashkohet me përfaqësuese dhe kështu të jetë përforcim i madh.

Më herët Verona ka luajtur për skuadrën Skanderborg. Ajo i takon një familjeje sportistësh. Dy motrat e saj kanë luajtur për Kosovën në të kaluarën. Vëllai i saj zhvillon karrierën në Danimarkë në futboll dhe luan për grupmoshat e reja të Kosovës.

Te Ringkobingu kanë shprehur keqardhje që Verona Rexhepi do të largohet në verë. Kanë njoftuar se kanë bërë përpjekje për ta mbajtur në skuadër, por se ajo është kërkuar nga të gjitha skuadrat e mëdha daneze pas formës së shfaqur. Verona ka premtuar maksimumin deri në fund të edicionit për skuadrën aktuale.