Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Kosova e kalon me sukses raundin e parë kualifikues për Botëror

Kosova e kalon me sukses raundin e parë kualifikues për Botëror

Hendbollistet e Kosovës e kanë bërë edhe një tjetër hap të madh drejt Kampionatit Botëror 2027. Për herën e tretë rresht, “Dardanet” kanë avancuar në raundin e fundit të kualifikimeve për ngjarjen globale. 

Kosova të shtunën u mposht nga Estonia në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Por fitorja prej 17 pikëve të premten mbrëma, 39:22, e bëri dallimin në kualifikimin e Kosovës. 

Të shtunën Kosova humbi me dy gola dallim, 27:25. Ishte ndeshja e dytë e raundit të parë kualifikues. 
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll baras, 14:14. 

E barabartë ishte ndeshja edhe dhjetë minuta pas pushimit. Estonezet u shkëputën deri në pesë gola deri në minutën e 50-të. Por, ngadalë diferenca e pikëve u ngushtua pasi Kosova aplikoi lojë më të mirë në mbrojtje dhe ishte efikase në sulm. 

Për përzgjedhësin kroat të Kosovës, Nenad Shoshtariq, është suksesi i parë. Ai e udhëhoqi Kosovën në Lojërat Mesdhetare, ku përfaqësuesja u paraqit kryesisht me lojtare të reja. Tekniku kroat të premten e të shtunën i pati dy sfidat e vërteta, të cilat i kaloi me sukses. 

“Dardanet” e dëshmuan rolin e favorites ndaj Estonisë. Pavarësisht disfatës me dy gola diferencë, nuk lejuan befasi. 

Merlinda Qorraj u dallua edhe të shtunën me paraqitje. Ajo i shënoi nëntë gola nga 13 tentime. Mirela Gjikokaj pati lojë të mirë po ashtu me katër gola. Nga dy gola realizuan Elisa Mulaj dhe Arona Krasniqi, ndërsa me një gol ishin Melisa Mulaj, Yllka Shatri, Elvina Qorraj, Vanesa Kastrati, Mirjeta Bytyqi, Elsa Shala, Dafina Mustafa dhe Erza Dreshaj. 12 pritje nga 31 gjuajtje i kishte portierja Aurora Kryeziu. 
Te estonezet më e efikasja ishte Polina Gorbatsjova me shtatë gola. Adriana Jakimova i shënoi gjashtë gola. 

Kosova dy kampanjat e kaluara i mbylli me sukses në raundin e parë, por nuk e bëri hapin tjetër për t’u paraqitur në Botëror. 

Në dhjetor, Kosova e mëson kundërshtarin e radhës për raundin e dytë dhe të fundit kualifikues. 
Botërori i vitit të ardhshëm do të organizohet në Hungari prej 30 nëntorit deri më 19 dhjetor. Hungaria është nikoqire e Botërorit për herën e parë që prej vitit 1982.