Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Kosova mposht bindshëm Estoninë, thuajse siguron avancimin tutje

Kosova

Hendbollistet e përfaqësueses së Kosovës e kanë bërë hapin e madh drejt raundit të fundit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027.

Të premten mbrëma në Prishtinë, Kosova fitoi bindshëm, 39:22, ndaj Estonisë. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues. Ndeshja e dytë është menjëherë të shtunën prej orës 17:00 në palestrën e njëjtë.

Kosova në dy kampanjat e kaluara e mbylli me sukses raundin e parë kualifikues për Botëror. Dhe suksesin e njëjtë thuajse e siguroi pas ndeshjes së parë. 

Kroati Nenad Shoshtariq debutoi te Kosova me sukses. Në fakt Shoshtariq drejtoi Kosovën edhe në Lojëra Mesdhetare, ku përfaqësuesja u paraqit kryesisht me lojtare të reja. Tekniku i njohur kroat të premten e kishte sfidën e parë të vërtetë. 

Kosova llogaritej favorite ndaj Estonisë dhe këtë e dëshmoi me paraqitje në fushën e lojës. Që në pjesën e parë u krijua epërsi bindëse, që u mbajt vazhdimisht gjatë gjithë pjesës së dytë. 

Merlinda Qorraj ishte më efikasja te Kosova. Ajo i shënoi 13 gola nga 14 tentime. Kapitenia Mirjeta Bytyqi i shënoi pesë gola, sa i kishte edhe Elisa Mulaj. Katër gola i shënoi 17-vjeçarja Ardiola Surdulli, kurse nga tri i kishin Dafina Mustafa e Elsa Shala. Plot 20 pritje i bëri Aurora Kryeziu, derisa në mbrojtje dhe organizim të lojës u dallua Mirela Gjikokaj. Pos Surdullit e Shalës debutoi edhe Erza Dreshaj.

“Ishte një paraqitje dhe fitore bindëse. Kanë funksionuar shumë gjëra në lojën tonë, ndërsa tani na mbetet që ta konfirmojmë këtë fitore në ndeshjen e dytë dhe të bëhemi gati për kundërshtarin që na pret. Por natyrisht njëherë i gjithë fokusi është te ndeshja e dytë me Estoninë që duhet ta mbyllim me sukses”, ka thënë Qorraj.

Edhe Kosova gati për ndeshjet ndaj Estonisë Sporte të tjera Kosova gati për ndeshjet ndaj Estonisë

Përzgjedhësi Shoshtariq është ndarë i kënaqur me paraqitjen, por ka tërhequr vërejtjen se ekipi ka potencial për të ofruar edhe më shumë.

“Ka cilësi në këtë grup, ndërsa duhen ende përmirësime. Disa episode që u paraqitën në mungesë të disiplinës taktike duhet të shmangen. Por në përgjithësi ishte një paraqitje e suksesshme”, ka thënë Shoshtariq.

Synimi i madh i Kosovës është kualifikimi në Evropian apo Botëror.