Plot katër skuadra kosovare të hendbollisteve kanë garuar në garat evropiane këtë edicion. Të gjitha janë paraqitur në raundin e dytë të Kupës Evropiane.
Raundi i dytë në fakt ishte raundi që edhe e hapi garën në nivelin e tretë kontinental. Të gjitha skuadrat kosovare i luajtën nga dy ndeshje në shtëpi. Por suksesi mbeti shumë larg. Nuk u fitua asnjë prej tetë ndeshjeve evropiane që u zhvilluan këtë muaj.
Në garat evropiane në hendboll lejohet zhvillimi i dy ndeshjeve në të njëjtin vend, nëse klubet arrijnë marrëveshje.
Ferizaj i luajti në palestrën në fshatin Greme dy ndeshjet me skuadrën nga Ishujt Faroe, VIF. Të premten pësoi me rezultatin 34:23, ndërsa të dielën mbrëma humbi me shifrat 28:17.
Ferizaj për herë të shtatë ka garuar në Evropë. Dhe nuk e ka fituar asnjë prej 14 ndeshjeve të deritashme.
Të dielën, Sevdanur Ozkan ishte më efikasja te Ferizaj me gjashtë gola. Katër i kishte Elsa Kongjeli e nga tri Luna Gonçalves e Agnesa Hysa. Nëntë pritje i bëri Edona Rogova.
Të shtunën garimin evropian e përfundoi Shqiponja e Gjakovës. Në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Shqiponja i humbi të dy ndeshjet nga skuadra izraelite, Bnot-Herzliya. Të premten pësoi me shifrat 43:24, ndërsa të shtunën humbi me rezultat 29:27.
Istogu luajti javën e kaluar. Të dy ndeshjet i organizoi në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Përballë e kishte skuadra nga Bosnjë-Hercegovina, Haxhiqi. Fillimisht humbi 30:25 e më pas edhe më thellë, 28:19.
Nga ndeshjet në shtëpi, nuk përfitoi as kampionia, Samadrexha. Po javën e kaluar, Samadrexha humbi 28:23 dhe 25:24 nga Neistini i Ishujve Faroe. Dy ndeshjet u luajtën në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë. Në fakt Samadrexha i pësoi humbjet me rezultatet më të ngushta prej të gjitha skuadrave kosovare.
Shpesh skuadrat kosovare vendosin që dy ndeshjet t’i luajnë në udhëtim. Dhe për këtë nuk kanë munguar kritikat. Këtë herë vendosën që të gjitha ndeshjet t’i luajnë në shtëpi. Dhe sërish rezultatet janë negative, me gjithë faktin se të gjitha skuadrat kanë në përbërje numër të madh të hendbollisteve të huaja.
Ka pyetje të vazhdueshme nëse Kosova ka potencial për të garuar në Evropë me katër skuadra të hendbollisteve. Rezultatet tregojnë që jo.