FIFA ka bërë të ditur se ishte viktimë e një sulmi kibernetik që bëri që hakerat të fitonin akses në atë që organi qeverisës botëror i futbollit e përshkruan si një “grup të kufizuar informacioni personal dhe biznesi”.
“FIFA po punon ngushtë me autoritetet përkatëse, përfshirë zbatimin e ligjit”, tha organizata në një deklaratë dërguar “Associated Press”.
FIFA nuk tha se kur ndodhi sulmi kibernetik, apo natyrën e saktë të informacionit të hakuar.
Javën e kaluar, një grup që e quante veten “Handsome Boy Hacking Club” postoi një pamje të ekranit në “X” të asaj që pretendonte se ishin skedarë FIFA. Tre ditë më vonë, duket se mori përsipër hakimin kur iu përgjigj një postimi që thoshte se më shumë se 12 gigabajt dokumente të brendshme ishin rrjedhur.
“FIFA dënon me fjalët më të ashpra të mundshme marrjen dhe publikimin e paligjshëm të informacionit, veçanërisht të dhënave personale”, tha organi drejtues në deklaratën e tij. “Veprime të tilla përbëjnë një shkelje serioze dhe të papranueshme të privatësisë dhe mund të kenë pasoja të rëndësishme për individët në fjalë”.
Shkelja e të dhënave vjen në një kohë kur FIFA dhe presidenti i saj, Gianni Infantino, janë përballur me akuza të ndryshme pas planit të dështuar dhe sekret për të shitur aksione në Kupën e Botës te investitorë privatë.
Infantino synon të zgjasë mandatin e tij 11-vjeçare në krye të FIFA-s deri në vitin 2031. Ai është favoriti kur zgjedhjet të mbahen më 18 mars. Kundërkandidat të Infantinos janë Kohzo Tashima i Japonisë dhe Philippe Diallo i Francës.