Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu për Ligjin për Specialen: Duhet të ketë efekt juridik, jo veç politik

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se fokusi për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë duhet të vendoset te hartimi i një strategjie, duke vlerësuar se nismat ligjore duhet të kenë efekt juridik, dhe jo vetëm politik.

Sa i përket ligjit për Gjykatën Speciale, Haxhiu ka deklaruar se e kanë mbështetur, por nuk kanë besuar se kjo nismë do të kishte ndonjë efekt juridik në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Haxhiu ka theksuar se Qeveria e Kosovës tashmë ka themeluar grupin për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, i cili ka zhvilluar disa takime dhe pritet që strategjia të publikohet së shpejti.

“Sa i përket qëndrimit tonë për ligjin, ju e dini, ne e kemi mbështetur, ndonëse nuk kemi besuar që ajo është rruga që do të ketë ndonjë efekt juridik në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së. Ne kemi thënë në vazhdimësi që fokusi do duhej të vendosej te strategjia. Dhe pikërisht për këtë arsye Qeveria e Republikës së Kosovës e ka themeluar grupin për strategjinë, për hartimin e strategjisë, i cili tashmë ka mbajtur disa takime dhe nga i cili do të dalë shumë shpejt, pra, strategjia për mbrojtje të atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë, pra në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se në takimet e vazhdueshme me përfaqësues të PDK-së ka insistuar që përpjekjet të përqendrohen në çështje që kanë efekt juridik, duke argumentuar se nismat me efekt politik mund të adresohen përmes rezolutave dhe deklaratave të Kuvendit.

“Është shumë e rëndësishme, këtë ua kam thënë edhe që, si me thënë, si qëndrim edhe PDK-së në takimet e vazhdueshme që kam pasur me ta, që fokusi duhet të vendoset tek çështje të cilat kanë efekte juridike. Nuk kemi nevojë për nisma të cilat kanë efekt politik, për shkak se për efekt politik janë rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka bërë të ditur se ligji, pas kthimit nga presidentja, ka mbetur ende në procedurë në Kuvend, ndërsa kanë pranuar një opinion nga zyra ligjore e Kuvendit, sipas të cilit çështja duhet të trajtohet në seancë plenare.

“Siç e dini tashmë, jemi në rrethanën kur ai ligj ka mbetur, përkatësisht pas kthimit të presidentes, ende në procedurë. Ne kemi pranuar një opinion nga zyra ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili thekson që duhet të adresohet në seancën plenare dhe pastaj seanca plenare të vendosë mbi veton e presidentes. Sigurisht që qëndrimet për këtë do t’i japim në seancën plenare”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka bërë thirrje që të gjitha palët të angazhohen për hartimin e një strategjie sa më efektive për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke mos i lënë të vetëm ata që, sipas saj, po mbahen padrejtësisht në Hagë. /EO