Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Asllani “ruajti” golin për momentin më të mirë

Fisnik Asllani

Sulmuesi që shënon gola në Bundesligë, nuk ka se si të mos jetë i rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës. Dhe Fisnik Asllani e dëshmoi këtë të hënën mbrëma, në momentin më të mirë. 

Asllani shënoi golin e parë në ndeshje garuese për Kosovën, në fitoren 1:0 ndaj Suedisë në Goteborg.

Në minutën e 32-të, 23-vjeçari shfrytëzoi maksimalisht një top që i erdhi nga Veldin Hoxha. Shënoi golin për festën e madhe të lojtarëve të Kosovës dhe mijëra shikuesve shqiptarë në tribuna.

Asllani startoi përkrah Vedat Muriqit në sulm.

Ka pasur vlerësime se kjo dyshe nuk përshtatet. Por fitorja 1:0 në Suedi dhe goli i Asllanit dëshmon të kundërtën.

Edhe Shkëlqimi i Muriqit te Kosova e dështimi i yjeve suedeze – notat e futbollistëve Futboll 9 muaj më parë Shkëlqimi i Muriqit te Kosova e dështimi i yjeve suedeze – notat e futbollistëve

Për shtatlartin është goli i dytë për Kosovën, i pari në ndeshje garuese.

Ai realizoi edhe në fitoren në miqësore ndaj Komoreve, më 9 qershor.

Asllani e luajti ndeshjen e dhjetë për Kosovën.

Me fitore, Kosova u forcua në vendin e dytë në grupin kualifikues për Botëror.

"Ishte një ditë shumë e madhe për Kosovën, për gjithë shqiptarët nëpër botë. Një fitore shumë me rëndësi dhe shpresoj t'i kemi bërë të gjithë krenarë", ka thënë Asllani për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai foli edhe për emocionet që ia solli goli.

Edhe Fitore e mahnitshme e Kosovës në Suedi Futboll 9 muaj më parë Fitore e mahnitshme e Kosovës në Suedi

"Është ndjenjë e papërshkrueshme pasi ishte goli i parë në ndeshje garuese, por gol shumë i rëndësishëm. Jam shumë, shumë i lumtur. Ishte për gjithë shqiptarët nëpër botë.

Po ndihem shumë mirë. E falënderoj Zotin që kam mundur të përjetoj këtë ndjenjë", ka theksuar Asllani.

Ai debutoi te Kosova më 6 shtator të vitit të kaluar.

Shtatlarti po luan në Bundesligë për Hoffenheimin dhe në gjashtë paraqitje i ka katër gola e një asistim. Në edicionin e kaluar shpërtheu tek Elversbergu në Bundesliga 2. 

Asllani shpejt pritet të bëjë transferim të madh, ndërsa e ardhmja e tij vlerësohet e ndritur. Edhe te Kosova.

"Dardanët" muajin e ardhshëm luajnë me Slloveninë në udhëtim dhe me Zvicrën në shtëpi. Janë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Botërorin që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. 

Edhe Asllani vazhdon me gola në Bundesligë, Hoffenheimi në Evropë Futboll 2 muaj më parë Asllani vazhdon me gola në Bundesligë, Hoffenheimi në Evropë

"Edhe muajin tjetër duhet të japim maksimumin që të provojmë t'i fitojmë ato ndeshje dhe të marrim sa më shumë pikë", ka theksuar Asllani. 

Nëse Asllani vazhdon me gola dhe me formën aktuale, gjasat e Kosovës për sukses do të jenë dukshëm më të mëdha.