Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Përfundon faza e ligës në Champions: City nuk lejon turpërimin, fiton dhe kualifikohet

man city

(E përditësuar 23:29) Manchester City nuk ka lejuar që të turpërohet duke u eliminuar në fazën e ligës në Champions. City fitoi 3:1 ndaj Club Brugge të mërkurën në “Etihad” dhe siguroi biletën për fazën e plejofit. Kampionit anglez i duhej fitorja për të shmangur eliminimin.

Pjesa e parë nuk ishte e suksesshme për skuadrën e Pep Guardiolas. Raphael Onyedika shënoi për 1:0 në të mirë të klubit belg në minutën e 45-të. Por City shfaqi forcën në pjesën e dytë.

Mateo Kovaçiq shënoi për 1:1 në minutën e 53-të. Joel Ordonez shënoi autogol në minutën e 62-të, ndërsa Savinho shënoi golin e tretë në minutën e 77-të. Ardon Jashari startoi te Brugge. E kompletoi ndeshjen.

City avancon në plejof nga pozita e 22-të e fazës së ligës. Mblodhi 11 pikë. Avancon në plejof edhe Club Brugge, që renditet i 24-ti po me 11 pikë. Brugget i shkuan në favor disa rezultate të tjera.

Dinamo Zagrebit i ka munguar fati për të avancuar në plejof. Kampioni kroat e mposhti 2:1 Milanin e famshëm, por kjo fitore nuk ishte e mjaftueshme.

Dinamo përfundoi e 25-ta, përkatësisht në pozitën më të lartë që nuk siguroi avancimin. Dinamo mblodhi 11 pikë, sa i kanë edhe City, Sportingu e Brugge. Por për shkak të goldallimit, Dinamo është e fundit prej këtyre skuadrave. 

Dinamos i është dashur fitore edhe për tre gola më e thellë për t’u kualifikuar. Martin Buturina e Marko Pjaca shënuan golat për Dinamon. Për Milanin realizoi Christian Pulisic. Milani prej minutës së 39-të luajti me një lojtar më pak në fushë. Milani përfundoi i 13-ti dhe me 15 pikë dhe po ashtu avancon në plejof.

Dinamo ishte në lojë për kualifikim deri në fazë të vonshme të ndeshjeve të së mërkurës mbrëma. 

Por barazimi 1:1 i Sportingut me Bolognan e nxori nga loja. Bologna ishte në epërsi 1:0 prej minutës së 21-të, ndërsa Sportingu golin e barazimit vendimtar e shënoi në minutën e 77-të. 

Sportingu u kualifikua në plejof nga pozita e 23-të, ndërsa Bologna mblodhi gjashtë pikë dhe u eliminua.

Të mërkurën mbrëma janë zhvilluar të gjitha 18 ndeshjet e xhiros së fundit, përkatësisht të tetë të fazës së ligës. Më interesantja ishte gara për të shmangur eliminimin.

Paris Saint-Germaini ka fituar thellë në Gjermani ndaj Stuttgartit dhe ka bërë po ashtu vend në plejof. Me humbje do të eliminohej.

Parisienët fituan 4:1. Ousmane Dembele shënoi “hat-trick” për Parisin, ndërsa një gol e shënoi Bradley Barcola. Willian Pacho i Parisit shënoi autogol në minutën e 77-të për rezultatin final, 4:1 për Parisin.
Parisi avancon në plejof nga pozita e 15-të e fazës së ligës.

Stuttgartit i kushtoi humbja me eliminim. Përfundoi i 26-ti  me 10 pikë. Parisi i mblodhi 13 pikë. 

Liverpooli e ka pësuar humbjen e parë në fazën e ligës në Champions. Liverpooli pësoi 3:2 në Holandë nga PSV-ja. Liverpooli kishte shtatë fitore rresht, ndërsa pushoi shumë lojtarë për këtë sfidë.

Liverpooli përfundoi i pari me 21 pikë, dy më shumë se Barcelona e Arsenali. Barcelona  luajti 2:2 me Atalantan, ndërsa Arsenali fitoi 2:1 ndaj Gironas.

Johan Bakayoko, Ismael Saibari dhe Ricardo Pepi shënuan në pjesën e parë për PSV-në. Edhe Liverpooli i realizoi golat në pjesën e parë, përmes Cody Gakpos nga penalltia dhe Harvey Elliotit.

PSV-ja përfundoi në pozitën e 14-të.

Direkt në një të tetën e finales janë kualifikuar Liverpooli, Barcelona, Arsenali, Interi, Atletico Madridi, Bayer Leverkuseni, Lille e Aston Villa.

Në plejof të Championsit janë kualifikuar 16 skuadra. Bartës në shortin e plejofit janë: Atalanta, Borussia Dortmundi, Bayerni, Real Madridi, Milani, PSV-ja, PSG-ja e Benfica. Jo bartës në short janë: Monaco, Bresti, Feyenoordi, Juventusi, Celticu, Manchester City, Sportingu e Club Brugge.

Ndërkohë skuadrat e eliminuara në fazën e ligës janë: Dinamo Zagrebi, Stuttgarti, Shakhtar Donetsku, Bologna, Cërvena Zvezda, Sturm Grazi, Sparta Praga, RB Leipzigu, Girona, Red Bull Salzburgu, Slovan Bratislava e Young Boysi.


Xhiroja e fundit e Championsit 

Rezultatet e xhiros së tetë (të fundit) në fazën e ligës në Champions:

Aston Villa – Celtic 4:2

Barcelona – Atalanta 2:2

Bayer Leverkusen – Sparta Praga 2:0

Bayern – Slovan Bratislava 3:1

Brest – Real Madrid 0:3

Dinamo Zagreb – Milan 2:1

Dortmund – Shakhtar Donetsk 3:1

Girona – Arsenal 1:2

Inter – Monaco 3:0

Juventus – Benfica 0:2

Lille – Feyenoord 6:1

Manchester City – Club Brugge 3:1

PSV – Liverpool 3:2

Salzburg – Atletico Madrid 1:4

Sporting – Bologna 1:1

Sturm Graz – RB Leipzig 1:0

Stuttgart – PSG 1:4

Young Boys – Cërvena Zvezda 0:1

Parisi nuk lejon befasi, shënon golin e tretë

1 v. më parë / 29 jan 2025 21:37
psg

Photo: Associated Press

PSG-ja nuk po lejon fare befasi në ndeshjen ndaj Stuttgartit në Gjermani. Tashmë kampioni francez ka realizuar tri gola.

Për 3:0 shënoi Ousmane Dembele në minutën e 35-të.

Real Madridi në epërsi ndaj Brestit

1 v. më parë / 29 jan 2025 21:33
rma

Real Madridi ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Brestit në Francë.

Rodrygo shënoi gol të bukur në minutën e 27-të.

Realit i duhet fitorja për të shpresuar në kualifikim direkt në 1/8 e finales së Championsit.

Dinamo Zagrebi në epërsi ndaj Milanit

1 v. më parë / 29 jan 2025 21:22
dinamo

Martin Baturina ka shënuar në minutën e 19-të për epërsinë 1:0 të Dinamo Zagrebit ndaj Milanit. 

Dinamos i duhet fitorja për të shpresuar në kualifikim në plejof të Championsit.

Parisi e shënon golin e dytë

1 v. më parë / 29 jan 2025 21:20
psg

PSG-ja ka shënuar golin e dytë në ndeshjen ndaj Stuttgartit. 

Në minutën e 19-të, Ousmane Dembele shënoi me asistim të Barcolas.

Parisi në epërsi ndaj Stuttgartit

1 v. më parë / 29 jan 2025 21:12
psg

Parisi ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Stuttgartit në Gjermani.

Që në minutën e shtatë për parisienët shënoi Bradley Barcola.

PSG-së i duhet fitorja për të konfirmuar kualifikimin në plejofin e Championsit.