Futboll

Bayerni e vazhdoi kontratën me Kompanyn

Vincent Kompanyt

Bayern Muncheni ia ka zgjatur kontratën trajnerit Vincent Kompanyt deri më 30 qershor të vitit 2029. 
39-vjeçari Kompany e udhëhoqi Bayernin edicionin e kaluar drejt titullit të kampionit në Bundesligë. Ai me Bayernin e fitoi edhe Superkupën e Gjermanisë. 

Belgu Kompany deri më tani e ka drejtuar Bayernin në 67 ndeshje. Ka 49 fitore, nëntë barazime dhe nëntë humbje. 

“Jam mirënjohës, i nderuar dhe dua të falënderoj Bayernin për besimin dhe mjedisin e punës që më ka ofruar që nga dita e parë. Ndihem sikur kam qenë këtu për një kohë shumë më të gjatë dhe se e njoh mirë klubin. Ka qenë një përvojë e shkëlqyer deri më tani. Kemi filluar një udhëtim të mrekullueshëm. Le të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të festojmë shumë më tepër suksese”, u shpreh ish-mbrojtësi i njohur i Manchester Cityt për faqen zyrtare të klubit bavarez. 

Lajmit për vazhdimin e kontratës iu gëzua edhe presidenti i Bayernit, Herbert Hainer.

“Vincenti gëzon respekt të madh nga lojtarët, menaxhmenti i klubit dhe tifozët. Jemi të lumtur për vazhdimin e hershëm të bashkëpunimit tonë”, ka thënë Hainer.