Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kompany dërgohet me emergjencë në spital

Vincent Kompany

Vazhdojnë shqetësimet për shëndetin e trajnerit të Bayern Munichut, Vincent Kompany. 40-vjeçari është dërguar me ambulancë në spital të premten. Ndërkohë në mëngjesin e së premtes, një helikopter kishte aterruar në qendrën stërvitore në “Sabener Strasse”. 

Kompany është prekur nga një infeksion viral më herët gjatë kësaj jave. Gjatë fitores 6:1 ndaj Leipzigut të shtunën e kaluar, Kompany u foli lojtarëve, por mes pjesëve dhe pas përfundimit të ndeshjes, ishte dashur të shtrihej në divanin e dhomës së stafit të trajnerëve. Pak pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit në atë ballafaqim, belgu ishte ulur për t’i analizuar disa pamje të ndeshjes në laptopin e tij. Në intervistat menjëherë pas ndeshjes folën drejtorët sportivë. Infeksioni kishte ndikuar në shëndetin e tij, sa që belgu kishte pasur vështirësi edhe të ngjitej shkallëve.

Kompany nuk e mbajti stërvitjen të hënën. 

Ai nuk ishte i pranishëm as në stërvitjen e fundit para ndeshjes me Arsenalin që u mbyll 2:2. Në konferencë për shtyp ishte asistenti Aaron Danks. 

“Gjëja më e rëndësishme është që ai të pushojë dhe ta marrë kohën që i duhet, sado që i duhet kohë”, kishte thënë Danks. Të mërkurën, Kompany e udhëhoqi ekipin ndaj Arsenalit. 

“Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh e të arrish diçka. Jam prekur nga një virus shumë i vështirë javën e kaluar, dhe natyrisht, unë nuk e dëgjova trupin tim. Në një pikë, trupi më tha, ndalu tani!”, kishte thënë Kompany në konferencën për shtyp pas duelit me Arsenalin në Champions. 

Bayern Munichu të dielën nga ora 17:30 luan në udhëtim te Freiburgu. Ndeshja i takon xhiros së shtatë të Bundesligës. Bayerni është lider me 14 pikë, sa ka edhe Dortmundi në pozitën e dytë. 

Freiburgu i treti dhe Bayer Leverkuseni në vendin e katërt i kanë nga 13 pikë.