Ndikimi i Vincent Kompany si trajner është prej arsyeve kryesore pse Bayern Muncheni është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Dhe tani Bayerni duhet t’ia dalë pa të.
Bayerni po përgatitet për ndeshjen ndoshta më të vështirë të edicionin, me trajnerin Kompany të pezulluar. Ndihmësi Aaron Danks do ta marrë përsipër detyrën e drejtimit të skuadrës të martën prej orës 21:00 në “Parkun e Princave”. Bayerni e luan në udhëtim ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit ndaj fituesit në fuqi, Paris Saint-Germainit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKompany e udhëhoqi skuadrën në stërvitje të hënën, para udhëtimit për në Francë. Por ai nuk do të lejohet në dhomën e zhveshjes dhe në stolin e ekipit të martën mbrëma.
“Do të na mungojë në stol. Ai është shefi ynë, një trajner që do të donte shumë të ishte atje me ne”, ka thënë ylli i bavarezëve, Harry Kane.
Situata është krijuar për shkak të kartonit të verdhë që Kompany e mori në fitoren ndaj Real Madridit në çerekfinale. Ai u ndëshkua pasi kundërshtoi vendimin e gjyqtarit për ta lejuar Madridin ta vazhdonte lojën dhe të shënonte pas një ndërhyrjeje të fortë ndaj mbrojtësit të Bayernit, Josip Stanishiq.
Ishte kartoni i tretë i verdhë i Kompanyt në ndeshjen e 12-të të Bayernit në Ligën e Kampionëve këtë edicion. Ai argumentoi se UEFA duhet të lehtësojë rregullat për shkak të numrit më të madh të ndeshjeve se në të kaluarën.
“Është format ndryshe, me më shumë ndeshje, dhe vendimi varet nga gjyqtarët. Ndonjëherë kartoni mund të jepet pa të drejtë. Dhe çka ndodh më pas?”, kishte pyetur Kompany pas ndeshjes.
“Nuk jam i lumtur për shkak të kësaj, por nuk është e rëndësishme. Ekipi mund t’ia dalë dhe unë do të jem për ndeshjen e kthimit. Kam besim të plotë në ekip, në staf, që jo vetëm se do t’ia dal, por do të motivohet nga kjo”.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique ka vlerësuar punën që Kompany ka bërë prej se arriti në krye të Bayernit, dy vjet më parë.
“Vincent Kompany është trajner i nivelit më të lartë. Bayerni është prej ekipeve që kam më së shumti dëshirë t’i shikoj. Më pëlqejnë të gjithë trajnerët, por sidomos ata me lojë sulmuese. Dhe ai pa asnjë dyshim është një prej tyre”, ka thënë Enrique, që udhëhoqi Parisin drejt titullit të parë.
Bayerni ka fituar titullin e kampionit në Bundesligë dhe po thyen rekorde në Gjermani. Në fundjavë ishte duke pësuar 3:0 dhe u kthye për fitoren 4:3.
Belgu 40-vjeçar, Kompany, vlerësohet shumë meritor për formën e lartë të skuadrës bavareze. Ai ka punuar vetëm te Anderlechti dhe Burnley para se të merrte drejtimin e Bayernit. Si lojtar luajti me plot sukses te Manchester City.
Bayerni është edhe në finale të Kupës së Gjermanisë, por klubi nuk mjaftohet me tre trofe. Edhe ekipi i futbollisteve të Bayernit po i kërkon tre trofetë e mëdhenj. Nëse fitohen gjashtë trofetë nga Bayerni, do të ishte e arritur e paparë.
“Nuk mendoj se mungesa e trajnerit në stol ka ndikim në ekip. Natyrisht, Vincent Kompany është trajneri ynë dhe ne të gjithë do të dëshironim që ai të ishte me ekipin. Është mëkat, por është kështu si është dhe ne duhet ta përballojmë këtë”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl.