Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Në Mynih “pjesa e dytë” e spektaklit të futbollit

dembele

Bayern Muncheni ka punuar shumë për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa lojtarët dhe tifozët po përgatiten për një moment të paharrueshëm në ndeshjen e dytë gjysmëfinale. Kështu ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, të martën në konferencë për shtyp.

Ndeshja e kthimit mes Bayernit dhe Paris Saint-Germainit zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në Mynih.

Parisi është fitues në fuqi i Championsit. Skuadra parisiene arriti fitore 5:4 në ndeshjen e parë. Bayerni u kthye nga disavantazhi 5:2 në ndeshjen që u vlerësua prej më të bukurave të dekadës së fundit.

Kompany ka thënë se e ndien që lojtarët dhe tifozët e Bayernit janë gati për të siguruar një vend në finalen evropiane.

“Është kjo ndjenjë që së bashku do të bëjmë hapin tutje”, ka thënë Kompany. “Pak e kanë besuar në fillim të edicionit që në ndeshjen e fundit në shtëpi do ta kemi rastin ta sigurojmë finalen e Ligës së Kampionëve. Tani jemi këtu, kemi shijuar momente të shkëlqyera dhe tifozët besojnë se do t’ia dalim. Dhe së bashkua duam ta bëjmë këtë moment të paharrueshëm”.

Edhe Kompany flet për herë të parë për triumf në Champions Futboll Kompany flet për herë të parë për triumf në Champions

Në vitin e dytë të Kompany si trajner, Bayerni e ka siguruar titullin në Gjermani dhe mund ta fitojë edhe Kupën gjermane. Do të luajë në finale me Stuttgartin më 23 maj.

Kompany ka thënë se është plotësisht i qetë para ndeshjes me Parisin.

“Ne duam ta fitojmë ndeshjen. Kemi idetë që mendojmë se do të na ndihmojnë për këtë. Gjëja më e rëndësishme është ta fitojmë ndeshjen dhe ky është prioriteti”, ka theksuar Kompany.

Triumfi në edicionin e kaluar natyrisht që i shërben parisienëve. Trajneri Luis Enrique e ka mbajtur ekipin që solli trofeun e shumëpritur. Ai nuk do të mund të llogarisë në Achraf Hakimin, që u lëndua në ndeshjen e parë.

“Do të luajmë në Mynih dhe duhet të jemi garues si asnjëherë më parë. E admirojmë Bayernin, por është motivuese të jesh më i mirë. Do të mundohemi ta mposhtim një ekip që luan futboll sensacional”, ka thënë Enrique.

Ndeshja e parë u çmua për faktin se dy ekipet kërkuan vazhdimisht golin, pa u fokusuar shumë në taktikë. Njëjtë pritet të jetë edhe në Gjermani.

Enrique ka thënë se Bayerni aktual është ekipi më i fortë me të cilin janë përballur ndonjëherë.

Edhe Zaire-Emery parashikon rezultat të çmendur edhe në Mynih Futboll Zaire-Emery parashikon rezultat të çmendur edhe në Mynih

“Kemi epërsi prej një goli, por kjo nuk do të thotë asgjë në futboll. E kemi përvojën e vitit të kaluar. Ne gjithnjë provojmë të arsyetojmë pritjet e tifozëve tanë”, ka thënë Enrique.

Dy skuadrat shquhen për sulmuesit cilësorë, ndërsa mbrojtjes janë sfiduar seriozisht në ndeshjen e parë. Nëntë gola janë dëshmi për këtë. Derisa asnjëra mbrojtje nuk mund të krenohet me sigurinë që shfaqi, tifozët e futbollit nëpër botë shpresojnë në një tjetër ndeshje të ngjashme për të mërkurën mbrëma.