Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes ka refuzuar kërkesën e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, që drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, të ftohet për javën e ardhshme për raportim lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Musliu në kërkesën e saj tha se drejtori Hoxha duhet që të qartësojë situatën, pasi Zekaj pak orë para vrasjes ishte kthyer në shtëpi nga Policia, ku denoncoi ish-bashkëshortin për kanosje. I dyshuar për vrasjen është kunati. E burri është në ndalim dhe është kërkuar paraburgimi.
“U ngritën shumë dilema, konsideroj qe si komision duhet ta ftojmë Policinë, t’i dëgjojmë çka kanë me na thënë lidhur me rastin. Nëse del se nga ana policisë ka shkuar gjithçka në rregull duhet t’i heqim dilemat. Shumë e domosdoshme është që të zbardhet rasti. Konsideroj si komision na takon me dëgju rrëfimin nga policia e Kosovës”, ka thënë ajo, transmeton KosovaPress.
Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Hoxha do të raportojë në Kuvend pas katër javësh, për çështjet që tashmë janë ngritur nga deputetët. Ai ka shtuar se tashmë është krijuar një komision hetimor për këtë rast, i cili do të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale.
“Do të ketë komision hetimor dhe ai komision do të kryejë punën e vet. Ai komision do të zbardhë të vërtetën se cili institucion e ka neglizhuar punën nëse ka pasur ne rastin e të ndjerës”, ka thënë ai.
Zekaj, 49-vjeçare, u qëllua për vdekje me sëpatë, mbrëmjen e së dielës, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar është kunati i saj, që sipas autoriteteve gjendet në arrati. Tri ditë para se të vritej, nëpërmjet një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë ajo kishte njoftuar për rrezikun.
Edhe
Në Vitomiricë vritet gruaja e cila tri ditë më herët kërkoi mbrojtje nga shteti
Të hënën u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit. Deputetët kërkuan hetim, përgjegjësi e ndjekje penale për të gjithë zyrtarët që neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt.
Vetëm këtë vit, në Kosovë janë vrarë tetë gra, derisa që nga paslufta, 97 grave u është marrë jeta nga bashkëshortët apo familjarët e tyre.
-
Gashi paralajmëron masa “nëse konstatohet neglizhencë nga zyrtarët përgjegjës” në rastin e vrasjes në Pejë
-
Çitaku për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë: Llogaridhënie e dorëheqje nga ata që kishin detyrë ta mbronin
-
Para se të vritej Arlinda Zekaj kërkoi mbrojtje nga shteti
-
Prokuroria kërkon paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt