Riemërtimi i aeroportit të Dubrovnikut ka ndezur një grindje të re etnike midis kroatëve dhe serbëve, këtë herë për prejardhjen e një prej dijetarëve më të shquar të Kroacisë.
Pas një riemërtimi të aeroportit këtë muaj, fluturimet për në qytetin me dalje në Adriatik tani aterojnë në aeroportin Rugjer Boshkoviq, i emërtuar në nder të një astronomi, matematikani dhe dijetari të shekullit të 18-të.
I njohur gjithashtu si Ruggiero Giuseppe Boshkovich për italianët, ose me kthimin në anglisht të emrit të tij, Roger Joseph Boscovich, ai përshkroi një ligj të vetëm që rregullon forcat natyrore, një pararendës i teorisë atomike dhe vërtetoi mungesën e një atmosfere në Hënë.
Dubrovniku njihej me emrin Raguza kur Boshkovich lindi në republikën vetëqeverisëse në vitin 1711. Nëna e tij ishte italiane dhe ai u nis për në Romë në moshën 14-vjeçare për të ndjekur arsimin dhe më pas karrierën e tij.
Mirëpo është identiteti dhe prejardhja e babait të tij që tani vihet në pikëpyetje. Në përgjithësi, zgjedhjet dhe përkatësitë fetare të bëra shekuj më parë janë ngurtësuar në identitet etnik: katolikët në kroatë, të krishterët ortodoksë në serbë dhe myslimanët në boshnjakë.
Nikola Boshkoviq ishte një tregtar raguzan nga fshati Orahov Do, në malet që shtrihen mbi Dubrovnik. Ai fshat tani shtrihet në gjysmën e Bosnjës e cila drejtohet nga serbët e njohur si Republika Srpska. Udhëheqësit separatistë të këtij entiteti duan të ndërtojnë aeroportin e tyre në Trebinje, jo shumë larg nga Orahov Do, dhe duan ta emërtojnë atë edhe me emrin Rugjer Boshkoviq. Argumenti i tyre është se Nikola Boshkoviq dhe klani i tij kanë qenë serbë përpara se të konvertoheshin në fenë katolike.
Studiuesit serbë argumentojnë se konvertimi i Nikollës ishte thjesht transaksional dhe u bë në mënyrë që ai të mund të martohej me një vajzë nga një familje katolike në Raguzë ose të vazhdonte karrierën e tij, dhe për këtë arsye nuk e ndryshoi identitetin thelbësor serb të familjes.
Ish-presidenti serb Boris Tadiq e përshkroi Boshkoviqin si “katolik serb”.
Danilo Kovaç, historian në Universitetin Sapienza të Romës, ka thënë: “Kur shqyrtohet çështja e origjinës etnike të Boshkoviqit, është e rëndësishme të pranohet se koncepti i identiteteve kombëtare kishte kuptime të ndryshme gjatë kohës së paraardhësve të tij”.
Duke iu referuar veprave të studiuesve serbë dhe malazezë që argumentojnë se familja në thelb ishte serbe, ai shtoi se: “Të dhënat historike vërtetojnë padyshim se Nikola vizitoi dhe përshkroi kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë”.
Ivan Maslaq, drejtori komercial i aeroportit të Dubrovnikut, i hodhi poshtë pretendimet e tilla.
“Emërtimi i aeroportit është puna jonë dhe sigurisht që nuk do ta pyesim askënd për këtë”, ka theksuar ai, sipas gazetës Slobodna Bosna. “Sigurisht që Rugjer Boshkoviq nuk është serb”.
Domagoj Vidoviq, gjuhëtar në Institutin e Gjuhës dhe Gjuhësisë rroate, i cili bëri një studim për Orahov Do, ka thënë: “Xhaxhai i Rugjer Boshkoviqit ishte një prift katolik, Don Ilija Boshkovi. Deri në fillim të shekullit të 20-të, në Orahov Do nuk jetonte asnjë i krishterë ortodoks. Origjina katolike e Boshkoviqit daton më shumë se 400 vjet. Për këtë ka dëshmi në raportet, regjistrat dhe regjistrimet në dioqeza”.
Mirëpo grindjet e tilla për dijetarë nuk janë asgjë e re. Në vitin 2006, Serbia e emërtoi aeroportin e Beogradit sipas Nikola Teslës, shpikësit të famshëm. Tesla ishte një serb i lindur në fshatin Smiljan, në mesin e shekullit të 19-të, në kufirin ushtarak të Perandorisë Austro-Hungareze, dhe atë që sot është Kroacia.
Ani pse ai mezi shkeli në Serbinë e sotme, Beogradi pretendon se Tesla është i tij. Hiri i tij ndodhet në një muze të Beogradit dhe kisha ortodokse serbe ka bërë fushatë për t’i zhvendosur në një katedrale, pavarësisht pikëpamjes së tij që kishte për fenë. Serbia reagoi kur Kroacia vendosi fytyrën e shpikësit në monedhat e saj 50, 20 dhe 10 cent kur u bashkua në Eurozonë në fillim të vitit.
Banka Kombëtare e Serbisë i tha "AFP" se duke bërë këtë, Zagrebi “po uzurponte trashëgiminë kulturore dhe shkencore të popullit serb”.
Tesla, i cili u bë shtetas amerikan, ndoshta do të ishte tmerruar nga argumentet.
“Jam po aq krenar për origjinën time serbe dhe atdheun tim kroat. Rrofshin të gjithë jugosllavët”, ka thënë ai një herë./ The Guardian