Vërejtjet e deputetëve opozitarë nuk i kanë bindur ata të pushtetit për të mos i miratuar në Komisionin për Legjislacion raportet që kanë të bëjnë me Projektligjin Prokurorial. Në mbledhjen e Komisionit nxiti debat çështja nëse ndryshimet e bëra në dokument kanë marrë në konsideratë ose jo rekomandimet e Komisionit të Venecias
Komisioni parlamentar për Legjislacion ka miratuar raportet e komisioneve të përhershme për Projektligjin për Këshillin Prokurorial, pavarësisht pakënaqësive që për të shprehën deputetët opozitarë.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka arsyetuar votën kundër dhe ka paralajmëruar se nëse Projektligji miratohet në Kuvend, do të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Ai u ankua që kryesuesi i Komisionit, Adnan Rrustemi, nuk ka ndarë me anëtarët vërejtjet e fundit të ndërkombëtarëve.
“Është e papranueshme që letrat që na vijnë prej faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë e që më pas kjo reflekton në Raportin e Progresit që ata e qesin për Kosovën, që ti të mos e ndash me neve, por ta mbash për vete. Mendoj që është gabim, është shumë gabim dhe është detyrë e jotja që ti me e nda me neve, ndërkohë që unë po them që është mirë ta ndalni këtë proces edhe tash, përkundër që e keni miratuar ju si komision, ta ndalni dhe ta ktheni edhe një herë tek qeveria në mënyrë që propozimet e tjera të vijnë në përputhje edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, por edhe me idenë që reforma në sistemin e drejtësitë të jetë vërtet reformë dhe të mos deformohet sistemi”, ka thënë Selmanaj. “Unë normalisht që do të votoj kundër dhe po ju them që kjo çështje fatkeqësisht do të përfundojë përsëri në Gjykatë Kushtetuese, sepse jemi të vendosur që të mbrojmë kushtetutshmërinë në Kuvend”.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, tha se letra i ishte drejtuar atij dhe Komisionit, prandaj nuk e ka ndarë me anëtarët e tjerë. Sipas tij, versioni aktual i projektligjit ka marrë në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Letra e cila është dërguar nga Zyra e BE-së ka qenë në fazën të shqyrtimit të projektligjit në grupin punues. Dhe e kam trajtuar si letër drejtuar kryesuesit të grupit punues dhe ka pasur qasje secili që është përfshirë në këtë proces. Nuk ka qenë një letër në fazën e shqyrtimit në komision pasi që e ka përmbyllur grupi punues. Ka qenë në fazën e trajtimit në grup punues. Madje edhe komentet e Zyrës së BE-së kanë qenë për dispozitat specifike për të cilat jemi takuar dhe jemi ndalur me i adresu. Unë ndaj bindjen që janë adresuar mbase në forma të ndryshme, në situata të caktuara”, ka thënë Rrustemi. “Unë jam i bindur që projektligji adreson rekomandimet e Komisionit të Venecias, merr për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka asnjë arsye, asnjë element antikushtetues”.
Por, opozitarët insistuan se përmbajtja e dokumentit është jokushtetuese.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se ky projektligj nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese, meqë konsideroi se ka dhjetëra shkelje.
“Kjo mazhorancë e ka parë se i ka pasur numrat për të bërë reformë në drejtësi sikur ta kishte vullnetin, por prej fillimit ka luajtur pingpong. Edhe u lidh në ata numrat se qysh me e zgjedhë kryeprokurorin. Me pas njëmend që ta luftojë korrupsionin, nuk e kish lënë katër vjet Kosovën pa kryeprokuror. Katër vjet ne nuk kemi kryeprokuror e flasim për luftim të korrupsionit në Kosovë”, ka thënë Beqa. “Kryeprokurorin nuk e zgjedhin pse nuk po i pëlqen ‘x’ apo ‘y’, krejt ky ligj po bëhet se qysh me u zgjedhë kryeprokurori e jo qysh të bëhet reforma. Këtu është tema, për mendimin tim”.
E deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se me përbërjen e Këshillit Prokurorial, çfarë e synon projektligji, cenohet pavarësia institucionale.
“Me një lexim analitik dhe kritik të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, brenga kryesore ka qenë trupa e cila e udhëheq këtë institucion, që është Këshilli Prokurorial i Kosovës. Edhe kur flasim te kjo trupë, unë pajtohem me Adnanin që thotë se numrat kurrë nuk kanë qenë qëllim, sepse është e vërtetë, qëllimi ka qenë vendimmarrja, ndikimi politik në vendimmarrje përmes anëtarëve jo prokurorëve. U kam thënë edhe atëherë ‘moni bre, mos e rritni në 19 se u bonëm horë’. 19 njerëz as në Kampionatin Evropian nuk janë në fushë, 11 janë në fushë, të tjerët në rezervë. 19 prokurorë aty çfarë bëjnë”, ka thënë Tahiri. “Problemi kryesor për mua është përbërja. Unë mendoj se me këtë përbërje të KPK-së është kah cenohet pavarësia institucionale, pavarësia që i delegohet me kompetencë e mandat dhe, mbi të gjitha, po i hapen dyert këtij institucioni me pasë ndikim të drejtpërdrejtë politik”.
Ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial janë rrëzuar vitin e shkuar nga Gjykata Kushtetuese, pas ankesës që për të bënë PDK-ja dhe LDK-ja.
Krahas miratimit të raporteve të komisioneve të përhershme për Projektligjin për KPK-në, Komisioni parlamentar për Legjislacion ka miratuar edhe raportin për Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë, si dhe atë për Noterinë.
Autor: Riad Latifi