Driton Selmanaj, kandidat për deptutët nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në emisionin “Tempus”, në KTV tha se gjyqtarët dhe prokurorët jo që korruptohen por po i nënshtrohen poltikës pa korruptuar, që nënkupton mungesë inegriteti.
“Jo që po korruptohen gjyqtarët dhe prokurorët, por më shumë po i nënshtrohen politikës pa u korruptuar fare, ose të fortëve. Domethënë, më shumë mungesë e integritetit për të ushtruar profesionin e gjyqtarit dhe prokurorit”, tha Selmanaj.
Gjithashtu, ai tha se gjatë bisedave me ndërkombëtarët dhe Komisionin e Venecias në Kosovë, u është thënë se po ballafaqohen më shumë me inkompetencën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Selmanaj tha se ajo çka na duhet është një analizë e thellë se çka mund të bëjnë në mënyrë që të grantohet profesionalizëm, integritet, llogaridhënie, performancë, ngase këto janë telashet kryesore. /BetimipërDrejtësi
Gruda: Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial ta caktojnë vetë buxhetin dhe të kalohet në Kuvend
Përparim Gruda, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka deklaruar se modeli i menaxhimit të buxhetit për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial duhet të përshtatet sipas praktikave evropiane, ku këto institucione caktojnë vetë buxhetin e tyre dhe e dërgojnë për miratim në Kuvend.
Gruda tha në emisionin “Tempus” në KTV, se qasja e re e PDK-së, në rast të ardhjes në qeverisje, do të sigurojë që propozimet e KGJK-së dhe KPK-së të respektohen dhe të mos pengohen nga burokracia ose vonesat financiare.
“Mendoj që duhet ta aplikojmë atë që është modeli i të gjitha vendeve evropiane, që KGJK dhe KPK e caktojnë vetë buxhetin. Ai vjen mandej në qeveri dhe kalon direkt në Kuvend. Kuvendi mund ta ndryshojë mandej. Qasja jonë e re nëse vijmë në qeverisje do të jetë kjo, që ato që propozon KGJK dhe KPK të miratohen”, theksoi ai.
Gruda vuri në dukje se KPK aktualisht ka borxhe rreth 3 milionë euro, gjë që sipas tij ndikon në mungesën e stafit dhe vonesa në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Do të rriten rrogat e prokurorëve dhe gjyqtarëve për 50% më të larta sesa i kanë sot. Do të rritet numri i gjyqtarëve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional”, deklaroi ai.
Sipas Grudës, këto masa synojnë të forcojnë pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe të sigurojnë që pozitat vakante të plotësohen në mënyrë të qëndrueshme./BetimipërDrejtësi
Driton Selmanaj: Nisën me Vettingun, dështuan; nisën me Byronë, dështuan – çka u bë me rastin Dehari?
Driton Selmanaj, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kritikuar ashpër Qeverinë për, siç tha ai, dështimet e njëpasnjëshme në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe për mungesën e rezultateve konkrete në rastet e ndjeshme, përfshirë rastin Dehari.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Selmanaj përsëriti se askush nuk mund t’i mohojë tjetrit të drejtën për të qenë pro Vettingut, duke rikujtuar se procesi është iniciuar nga vetë Qeveria, por ka përfunduar pa sukses.
Ai shtoi se problemet nuk qëndrojnë vetëm te Vettingu, por edhe te nisma të tjera të Qeverisë në fushën e drejtësisë, të cilat, sipas tij, janë shpallur kundërkushtetuese.
“Nisën me Vetting, e dështuan. Nisën me Byronë, e dështuan. Herën e parë ishte kundërkushtetuese, herën e dytë brenda një dite i kaluan dy lexime që të mos kishte vërejtje dhe prapë përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Mbi 10 ligje kanë rezultuar antikushtetuese”, theksoi ai.
Selmanaj ngriti pikëpyetje edhe për angazhimin e Qeverisë në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, duke vlerësuar se nuk ka pasur përpjekje serioze për ta çuar përpara këtë çështje.
“Cila është përpjekja e kësaj qeverie për ta zbuluar apo zbardhur rastin Dehari? Thonin se do ta dërgojnë rastin jashtë vendit, por çka u bë realisht?”, pyeti ai.
Ai përmendi edhe djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke thënë se në atë vend kishte dëshmi të rëndësishme.
“Tri herë u dogj Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe disa nga dëshmitë që kanë qenë aty. Kur e shohim sot mënyrën se si sulmohet sistemi i drejtësisë, mund të themi se ky sistem është sulmuar për ta lejuar korrupsionin e strukturuar – hajninë me zot shtëpie”, përfundoi Selmanaj. /BetimipërDrejtësi
Tahiri: E vetmja qeveri në Ballkanin Perëndimor që s’ka miratuar Strategji Kundër Korrupsionit
Besnik Tahiri, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se kjo Qeveri është e vetmja qeveri në Ballkanin Perëndimor që nuk ka miratuar Strategji Kundër Korrupsionit.
Ai tha se nuk ka qenë tendenca e reformimit të sistemit të drejtësisë, por ndërrimi i tij me një tjetër për të pasur ndikim të drejtpërdrejtë politik.
“A e dini ju që kjo është Qeveria e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk ka miratuar Strategji Kundër Korrupsionit”, tha ai.
Tahiri tha në emisionin “Tempus” në KTV, se miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit, kjo Qeveri për një mandat 5-vjeçar nuk ka arritur ta bëjë. Po ashtu, ai potencoi se një problematikë për të cilën duhet të fliet më shumë, është pavarësia financiare e sistemit të drejtësisë.
“0.99% është buxheti i këtij sektori.. është miratuar buxheti i këtij viti me 35 milionë euro dhe që nga viti 2026 të gjithë menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë e ka tashmë sistemi i drejtësisë”, tha Tahiri.
Gjithashtu, Tahiri tha se Vettingu me ndryshime kushtetuese nuk është i mundshëm, pasi që përveç minoriteve, është e nevojshme edhe shumica e pakicës serbe për ndryshime të cilitdo nen të Kushtetutës./BetimipërDrejtësi
Selmanaj i LDK-së: Askush askujt s’mund t’i thotë “Unë jam për Vetting, por ti s’je”
Driton Selmanaj, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë t’i mohojë tjetrit qëndrimin pro procesit të Vettingut, duke theksuar se ky proces tashmë ka kaluar në Kuvend dhe ka dështuar për shkak të mungesës së votave.
I ftuar në “Tempus” në KTV, Selmanaj tha se Qeveria e ka sjellë procesin e Vettingut në Kuvend, por ai ka mbetur i papërfunduar, ndonëse, sipas tij, opozita kishte udhëhequr komisionin përkatës.
“Askush askujt s’mund t’i thotë ‘unë jam për Vetting, por ti s’je’, sepse kjo Qeveri e ka sjellë në Kuvend dhe e ka lënë në Kuvend, ndërsa opozita e ka udhëhequr komisionin për Vetting. Kujtim Shala ka qenë nga LDK udhëheqës i atij procesi”, theksoi Selmanaj.
Ai shtoi se procesi përfundoi pa sukses në fazën e votimit, çka, sipas tij, tregon nevojën për një qasje më realiste dhe më të menduar mirë ndaj reformës në drejtësi.
“Në fund rezultoi me dështim të votimit. Ne jemi duke folur për situata reale se si duhet të sillemi, sepse mund të shprehim dëshira, por mund të votohet prapë dhe të dështojë prapë”, deklaroi ai.
Selmanaj vlerësoi se para se të rikthehet procesi i Vettingut në Kuvend, është e domosdoshme një analizë më e thellë për të siguruar efikasitet të shpejtë dhe rezultate konkrete.
“Duhet t’i hyjmë një analize pak më të thellë që në fakt rezulton të ketë efikasitet të shpejtë”, përfundoi ai./BetimipërDrejtësi
Gruda i PDK-së: Nuk jemi kundër, por Vettingu i plotë s’është i nevojshëm
Përparim Gruda, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se PDK nuk është kundër procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë, por vlerëson se Vettingu i propozuar nga Qeveria nuk është i mjaftueshëm dhe se procesi duhet të jetë i plotë.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Gruda tha se qëndrimi i PDK-së nuk është refuzues ndaj reformimit të drejtësisë, por kritik ndaj qasjes së pjesshme që, sipas tij, është propozuar nga qeveria.
“Nuk mund të them që jemi kundër Vettingut, por nuk mund të them që Vettingu i plotë është i nevojshëm në këtë moment. Unë mendoj që nëse hyjmë në Vetting, duhet me hy në Vetting të plotë”, theksoi Gruda.
Ai shtoi se modeli i Vettingut të pjesshëm, i propozuar nga Qeveria, nuk garanton reformë reale dhe të mjaftueshme në sistemin e drejtësisë.
“Nuk mendoj që Vettingu i pjesshëm që është propozuar prej qeverisë është i mjaftueshëm”, deklaroi ai.
Gruda u shpreh gjithashtu optimist se procesi i reformimit të drejtësisë mund të marrë mbështetjen e nevojshme edhe nga komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk mendoj që do të jetë problem me i siguru votat edhe të pakicave për procesin e reformimit të drejtësisë, pasi që një reformim i tillë nuk ka interes etnik”, tha ai.