Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se para vitit 2020 shoqëria civile ka qenë më e organizuar, kurse tani zëri kritik s’është i njëjtë.
Sipas Miftarajt, nëse marrim për bazë periudhën para vitit 2020, mund të themi se shoqëria civile në Kosovë ka qenë shumë më e organizuar.
Ai tha në “Tempus” se atëkohë ka pasur më shumë kërkesa për llogaridhënie dhe protesta në rastet kur janë shfaqur afera korruptive apo fenomene që kanë cenuar të drejtat e qytetarëve.
“Fatkeqësisht prej vitit 2020, 2021 e më tej, në njëfarë mënyre zëri kritik i shoqërisë civile nuk është i njëjtë siç ka qenë më herët”, u shpreh ai.
Sipas tij, Kryeministri Kurti një pjesë të madhe të shoqërisë civile e ka akomoduar në pozita si ambasadorë ose në borde.
“Para pesë vitesh, u kanë e paimagjinueshme që një aktivist i shoqërisë civile me punu në një OJQ, por edhe me punu nëpër borde”, tha Miftaraj.
Ai tha se ka persona që punojnë nëpër borde nëpër universiteteve publike dhe në të njëjtën kohë janë aktivistë të shoqërisë civile.
“Kjo në njëfarë mënyre ndikon ndoshta edhe në atë që nuk e kemi artikulimin e duhur ose sa e kemi pasur në të kaluarën, për të mbajtur llogaridhënëse institucionet e ndryshme”, përfundoi ai.
Miftaraj: Në lista ka persona të dënuar për korrupsion dhe për vepra tjera penale
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, deklaroi se në lista ka persona të dënuar për korrupsion dhe për vepra tjera penale.
“Në bazë të listave që partitë politike i kanë propozuar, por në shikim të parë fatkeqësisht, mund të themi se në këto lista ka persona që janë dënuar në shkallë të parë për vepra penale korruptive. Ka persona, do të thotë kandidatë që janë dënuar në shkallë të parë për vepra penale korruptive, janë kthyer lëndët në rigjykim, por ka pasur edhe persona të shumtë të cilët kanë vepra penale që janë në procedurë”, tha Miftaraj.
Sipas tij, monitorimi tregon një pasqyrë jo të mirë, ku deputetët, ministrat dhe zyrtarët e lartë, në vend se të përmbushin detyrat e tyre, në zyrat e tyre, ballafaqohen në Gjykatë për vepra penale të caktuara.
Miftaraj përmendi se gjatë dy muajve të fundit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një seancë të fundit, i kërkoi Gjykatës që të mos caktohen më seanca në rastin e saj deri pas 9 shkurtit.
“Përveç vënies në një pozitë jo të mirë edhe vetë sistemin gjyqësor, për më tepër është edhe këqperdorim i taksapagueseve, kur deputetët apo ministrat shkojnë me vetura zyrtare në seanca gjyqësore”, përfundoi ai.
Osmanaj: Nëse ne i kontestojmë institucionet, bie besueshmëria në çka kemi ndërtuar
Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Fondacionin Friedrich Ebert (FES), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nëse i kontestojmë institucionet, nëse Kuvendi nuk e luan rolin e vet dhe gjyqësori nuk përfillet, atëherë japim sinjal që sistemi nuk është i duhuri.
Sipas tij, nëse kontestohen këto institucione, bie besueshmëria e qytetarëve në raport me atë që kemi ndërtuar.
“Në momentin që ne i kontestojmë të gjitha këto institucione, mandej bjen edhe besueshmëria e qytetarëve dhe bjen besueshmëria komplet në raport me krejtë këtë çka kemi ndërtu, e kjo mandej na vendos para një krize shumë më të madhe socio-politike që sjell pasoja shumë më të mëdha”, tha Osmanaj.
Ai shtoi se partitë tentojnë të maksimizojnë votën e tyre.
“Ne çfarë kemi pa në tri-katër zgjedhjet e fundit, ka qenë vazhdimësia që kanë pasur probleme me ligjin ose në procese gjyqësore. Do të ishte mirë nëse fillon ndonjë hetim ndaj ndokujt, të pezullohej angazhimi politik. Partitë do të duhej që këta persona të involvuar… të kishin kujdes se çka përfshijnë listat e tyre”, tha Osmanaj.
Smajljaj për legjislaturën aktuale: S’kemi pasur debate për arsimin, shëndetësinë, sigurinë e mjedisin
Politologu Avdi Smajljaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në legjislaturën aktuale ka munguar debati për arsimin, shëndetësinë, sigurimin e mjedisin.
Sipas tij, puna e kësaj legjislature dhe atyre të kaluara, ka reflektuar në përbërjen e listave.
“Kryesisht puna e legjislaturës së fundit, por edhe legjislatura para kësaj, besoj se ka reflektuar atë punën e përgjithshme të partive dhe sidomos përbërjen e listave, sepse kur flasim për lista ne po flasim për Parlamentin- Kuvendin. Kur flasim për Kuvendin ne flasim për politikat që do të bëhen për qytetarët të cilët do i prekin qytetarët, do rregullojnë jetën e qytetarit, do kufizojnë ose do e rrisin jetën e qytetarit”, tha Smajljaj.
Politologu thotë se duke qenë se listat kanë qenë të tilla, edhe në këto që janë tani nuk është pritur që në këtë legjislaturë dhe të kaluarën të ketë debat cilësor sa i përket jetës së qytetarit dhe politikave që prekin jetën e qytetarëve.
“Ka qenë kryesisht një debat i dominuar me çështje personale, fyerje të niveleve të ndryshme, ka pasur edhe konfrontime fizike të cilat normalisht nuk japin një mesazh të mirë tek shoqëria. Kur flasim për Kuvendin, ne do të flasim për elitat dhe kur flasim për elitat, duhet të jenë njerëz të zgjedhur që janë më të mirët në shoqëri”, tha ai.
Puna e partive në Kuvend, tha se është reflektuar në ato që kanë bërë.
“Nuk kemi pas debate për rritjen e cilësisë në arsim, nuk kemi pas debate pse s’kemi sigurim shëndetësor, nuk kemi pas debate pse ende gjatë kontrollës mjekësore ende merren të dhënat në 3-4 fletore me lapsa, me kimika, nuk kemi pas debate për të rritur sigurinë, për mjedisim, për cilësinë e ajrit të cilin e thithim vazhdimisht, nuk kemi pas debate për mirëqenien- edhe nëse ka pas debate të tilla, është dominuar me atë që e kaluara ka qenë keq, ne jemi më të mirët”, tha Smajljaj.
Kastrati: Listat e partive nuk janë gjithëpërfshirëse, kemi stagnuar tek kuota gjinore
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se do të monitorohen listat e kandidatëve për deputetë për t’i informuar qytetarët për integritetin e tyre.
Kastrati tha se publikimi i këtyre listave të partive politike në Kosovë, shpërfaq një problem shumë esencial që është një shpërfillje totale nga partitë politike në raport me promovimin e njerëzve me etikë dhe me integritet.
“Ideja e tendencës, normalizimet prej partive politike në raport me njerëzit të cilët kanë procese të hapura gjyqësore apo edhe çfarëdo probleme të tjera ligjore është një praktikë shumë e dëmshme jo për partitë e caktuara, por në përgjithësi të sistemit tonë politik dhe jo vetëm”, tha Kastrati në “Tempus“ të KTV-së.
Sipas saj, kjo është një lloj tendence e tyre për normalizim të kësaj çështje, por edhe në anën tjetër thotë se është një lloj mos-sinqeriteti në raport me votuesin.
“Ka qenë një problematikë që e vërejta se në publikimin e këtyre listave, nuk janë me shumë gjithëpërfshrije sidomos në aspektin gjinor, pra kemi mbet shumë të stagnuar tek kuota gjinore siç e parasheh ligji, fatkeqësisht”, tha Kastrati.
Ajo tha se si organizatë civile do të bëjnë monitorimin e këtyre listave për deputetë, që të informojnë qytetarët në Kosovë rreth problemeve që këta njerëz kanë me ligjin.
“Meqenëse kemi parë 4 vitet e fundit kjo legjislaturë që po mbaron kemi pasur deputetët të cilët nuk kanë qenë shumë përgjegjës për punën që e kanë bërë, kemi pas probleme të mëdha me çështjen e kuorumit ku nuk është bërç kuorumi për shumë ligje vitale në legjislaturë, pra janë probleme të cilat besoj që qytetari dhe votuesi duhet që të jetë shumë i ndërgjegjshëm, e në këtë rast është detyra jonë si organizata, si shoqëri civile që duhet të jemi më të zëshëm në këtë periudhë që do të jemi në muajt në vazhdim për me qenë më afër qytetarit për të bërë promovimin e këtyre listave që do të jenë të dimë se cilët njerëz po shkojnë, po dalim, po i votojmë”, tha ajo.
Smajljaj: Lista e partisë në pushtet, më e dobët sesa ajo e partive opozitare
Politologu Avdi Smajljaj, tha se lista e partisë në pushtet me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e shkurtit 2025, është më e dobët sesa ajo e partive opozitare.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Smajljaj tha se tek partitë opozitare vërehet një përpjekje për t’i freskuar listat.
“Vërehet një lloj përpjekje për t’i pasuruar këto lista. Megjithatë, edhe kjo përpjekje mendoj se nuk është e mjaftueshme”, tha Smajljaj.
Sipas tij, ende dominon në këto lista frymë jo e mjaftueshme për të bërë reforma që do të ishin reflektim i votës së zgjedhjeve të shkurtit 2021.
“Te lista e partisë në pushtet, mendoj se është listë më e dobët sesa lista e partive opozitare, në kuptimin se nuk është marrë për bazë ajo kërkesa që prapë po kthehna tek pikënisja e votës së 14 shkurtit, që kjo Qeveri e ka marrë votën për ta luftuar korrupsionin, krimin dhe nepotizmin”, tha Smajljaj.
Politologu tha se përkundrazi, në këtë listë janë figurat që dyshohen se janë përfshirë në afera korruptive, e të cilat gjatë qeverisjes 4-vjeçare nuk kanë dëshmuar një qeverisje efekektive, madje vërehen emra që janë avancuar në listë.
“Në çdo zgjedhje që po kalojmë po kemi lista më të dobëta sesa ajo paraprake. Legjislatura që po e lëmë tani është ndër legjislaturat më të dobëta që ka pasur Kuvendi i Kosovës. Lista e partisë në pushtet tregon që nëse prapë fiton kjo parti, pritet të kemi legjislaturë më të dobët se kjo tash”, tha ai.