Futboll

Pëllumbi pret fitore ndaj Omonias me ndihmën e tifozëve

Jorgo Pëllumbi

Qendërmbrojtësi i Dritës, Jorgo Pëllumbi, mbështetet në përkrahjen e tifozëve për të marrë rezultat pozitiv ndaj Omonias qipriote.

Ndeshja Drita – Omonia luhet të enjten nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon xhiros së dytë të fazës së ligës, në Ligën e Konferencës. 

Drita barazoi në ndeshjen e parë në udhëtim te KuPS-i, 1:1. 

Ishte pika e parë në debutim për Dritën. 

“Kemi bërë analizën. Kemi parë si luajnë si ekip. Jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën që t’i ndalojmë dhe pse jo të fitojmë. Pika me KuPS-in ishte diçka e mirë edhe pse besoj se mund të kishim bërë akoma më mirë, të dilnim me fitore atje. Por kjo ka shkuar. Besoj se kemi shumë mundësi. Jemi të gatshëm të japim më të mirën nesër dhe pse jo të dalim me fitore. Presim mbështetej të madhe nga tifozët. Bëjmë thirrje për tifozët, jo vetëm të qytetit tonë por gjithë kombit. Drita përfaqëson jo vetëm Gjilanin por gjithë kombin shqiptar. Sa më shumë përkrahje të kemi, më shumë motiv do të kemi gjatë ndeshjes”, deklaroi Pëllumbi në konferencën për shtyp të mërkurën.