Futboll

E frymëzuar nga Kosova, Drita synon fitore ndaj qipriotëve

drita

Fitoret e Kosovës kundër Suedisë dhe barazimi ndaj Sllovenisë, i kanë shërbyer shumë edhe trajnerit të Dritës, Zekirija Ramadani.

Trajneri shkupjan të mërkurën në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër skuadrës qipriote, Omonia, ka theksuar se ka marrë mësim se si një skuadër mund të dalë fituese ndaj favoritëve. 

Drita të enjten e luan ndeshjen e dytë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

Dueli Drita – Omonia luhet nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Sa i përket reprezentacionit të Kosovës, padyshim që si trajnerë gjithmonë shohim ndeshje. Dhe në tri ndeshjet e fundit që ka bërë Kosova, unë për vete kam marrë shumë mësim se si duhet të vendoset ekipi kur ka përballë një ekip ose kombëtare që është në nivel më të lartë. Shpresoj se kemi marrë mësimin e duhur. Do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda do të kishte merita të mëdha nëse skuadra gjilanase do të dilte fituese nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

“Nëse do të dalim me fitore padyshim se edhe Franco Foda ka meritë për shkak që i kam parë shumë mirë ndeshjet e fundit të Kosovës, i kam analizuar, jo për të bërë analizë nëpër debate televizive, por thjesht për të pasur një material më tepër në të ardhmen për mua si trajner”, deklaroi Ramadani.

Drita e nisi rrugëtimin historik në Ligën e Konferencës me barazim 1:1 kundër skuadrës finlandeze, KuPS. Ndeshja u zhvillua në Finlandë.

Drita është në seri pozitive. Ka tri fitore rresht në Superligë. 

Ramadani pret fitore edhe ndaj qipriotëve.

“Unë do të kisha hequr dorë nga ndeshja e bukur, por do të doja të jetë ndeshje e luftuar sportive dhe në fund trepikëshi do të ishte shumë i mirëseardhur. Ne nuk kemi çfarë të humbim, e mund të fitojmë shumë. Jemi këtu në grupe, me shumë mund dhe angazhim kemi ardhur deri këtu. Tani prioritet, siç e kam potencuar gjithmonë, është Superliga. Mirëpo ne do ta japim maksimumin edhe në ndeshjen e nesërme që të dalim të pamposhtur”.  

Qendërmbrojtësi i Dritës, Jorgo Pëllumbi, thotë se fitoja ndaj qipriotëve do të ishte fitore e gjithë kombit shqiptar. 

“Presim mbështetje të madhe nga tifozët. Bëjmë thirrje për tifozët, jo vetëm të qytetit tonë, por të gjithë kombit. Drita përfaqëson jo vetëm Gjilanin por gjithë kombin shqiptar. Sa më shumë përkrahje të kemi, më shumë motiv do të kemi gjatë ndeshjes”, deklaroi mbrojtësi 25-vjeçar nga Shqipëria.

Ai ka shtuar se pika e fituar ndaj KuPS-it do t’u shërbejë si motiv për ndeshjen kundër Omonias.

“Pika me KuPS-in ishte diçka e mirë edhe pse besoj se mund të kishim bërë akoma më mirë, të dilnim me fitore. Por kjo ka shkuar. Besoj se kemi shumë mundësi. Jemi të gatshëm të japim më të mirën nesër dhe pse jo të dalim me fitore”.

Omonia humbi nga Mainzi me rezultat 1:0 në xhiron hapëse të Ligës së Konferencës.

Në kampionatin qipriot ka pesë fitore, një barazim e një humbje.