Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa pritet të jetë një nga emrat kryesorë të festivalit të njohur britanik “Reading and Leeds” vitin e ardhshëm. Ajo është gjithashtu në bisedime për të qenë performuesja kryesore në festivalin “Coachella” në SHBA.
Festivalet pritet të zhvillohen nga 26 deri më 29 gusht të vitit të ardhshëm.
Sipas një burimi të cituar nga gazeta The Sun, marrëveshja për pjesëmarrjen e saj në festivalin “Coachella” është pothuajse e përfunduar, ndërsa po zhvillohen negociata edhe festivalin britanik.
“Viti i ardhshëm do të jetë i jashtëzakonshëm për Duan. Marrëveshja me ‘Coachellan’ është pothuajse e mbyllur dhe ajo është gjithashtu në bisedime për të qenë këngëtarja kryesore e festivalit ‘Leeds and Reading’”, ka deklaruar burimi.
Lipa ka performuar për herë të fundit në festivalet “Reading and Leeds” në vitin 2018, kur ishte pjesë e programit kryesor, por jo ndër emrat kryesues.
Edhe
Dua Lipa interviston emrat e njohur të letërsisë në Festivalin e Londrës
Pjesëmarrja e mundshme në festival pritet të përkojë me një turne të madh në stadiume. Sipas raportimeve, këngëtarja mund të rikthehet edhe në stadiumin “Wembley” në Londër, ku në muajin qershor të vitit 2025 mbajti dy koncerte, biletat e të cilave u shitën plotësisht.
Datat dhe vendet e koncerteve ende nuk janë konfirmuar, por “Wembley” dhe stadiumi “Tottenham Hotspur” përmenden si alternativat më të mundshme.
Ndërkohë, Lipa mund të rikthehet edhe në skenën e ceremonisë së ndarjes së çmimeve "Brit Awards", në prag të publikimit të mundshëm të albumit të saj të ri vitin e ardhshëm. Organizatorët thuhet se dëshirojnë ta kenë sërish këngëtaren në këtë ngjarje, pasi ajo ishte pjesë e ceremonisë edhe dy vite më parë.
Edhe për festivalin amerikan “Coachella” po zhvillohen bisedime të avancuara. Në vitin 2023, Lipa kishte zgjedhur të performonte në “Glastonbury”, duke hequr dorë nga mundësia për të qenë pjesë e festivalit në Kaliforni.
Edhe
Dua Lipa kuratore e Festivalit të Literaturës në Londër
Megjithatë, pas suksesit të turneut të saj ndërkombëtar në stadiume, organizatorët e “Coachellas” thuhet se po bëjnë përpjekje të mëdha për ta bindur të marrë rolin e artistes kryesore.
Në bisedime fillestare me festivalin amerikan ishte përfshirë edhe grupi koreano-jugor BTS, por negociatat nuk vazhduan, pasi anëtarët e grupit vendosën të përqendroheshin te turneu i tyre.