Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dua Lipa kuratore e Festivalit të Literaturës në Londër

Dua Lipa

Dua Lipa

Foto: Associated Press

Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, do të marrë një rol të ri të rëndësishëm në botën e kulturës: ajo do të jetë kuratore e Festivalit të Literaturës “London Literature Festival” 2026, që zhvillohet në Southbank Centre.

Festivali do të mbahet nga 21 tetori deri më 1 nëntor 2026 dhe është pjesë e festimeve për 75-vjetorin e këtij institucioni të njohur kulturor, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë rast, këngëtarja do të zgjedhë shkrimtarët që i pëlqen, temat që i interesojnë dhe mënyrën si do të prezantohen, duke i dhënë festivalit stilin e saj personal.

London Evening Standard ka shkruar se Lipa do të organizojë një seri aktivitetesh gjatë fundjavës së hapjes (24-25 tetor), si dhe përgjatë gjithë festivalit, përmes klubit të saj të leximit “Service95 Book Club”.

“Leximi më ka mbajtur të qëndrueshme në çdo fazë të jetës sime, nga momenti kur isha nxënësja e re në një vend të ri, deri te gjetja e qetësisë gjatë turneve. Të jem kuratore e këtij festivali është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë e emocionuar të thellohem në librat dhe mendjet brilante të autorëve të mi të preferuar”, ka thënë ajo.

Klubi i saj i leximit u themelua në vitin 2023 dhe sot është shndërruar edhe në një platformë kulturore, ku çdo muaj ajo zgjedh një libër dhe bisedon me autorin në podcast. Lipa është gjithashtu një zë i fortë në mbrojtje të leximit, sidomos për grupet që kanë më pak qasje në libra.

Romani “She Who Remains” i autores bullgare Rene Karabash është përfshirë në listën e gjatë të "International Booker Prize" për këtë vit dhe është libri që rekomadohet për lexim nga klubi i leximit, "Service95 Book Club", ka bërë të ditur vet Lipa, përmes një postimi në llogarinë zyrtare të podcastit.

Ngjarja zhvillohet në Bjeshkët e Nemuna, në një fshat ku jeta rregullohet nga ligjet e vjetra të Kanuni.

Historia ndjek Bekijen, një vajzë që për t’i shpëtuar një martese të detyruar, merr një vendim drastik, bëhet burrneshë, duke hequr dorë nga identiteti i saj si grua dhe duke jetuar si burrë.

Ky vendim sjell pasoja të rënda, duke shkatërruar familjen e saj dhe duke e ndarë nga dashuria e jetës.

Burrneshat nuk janë thjesht pjesë e imagjinatës. Ato kanë ekzistuar realisht në shoqërinë shqiptare. Gratë që merrnin këtë betim jetonin si burra, bënin punët e burrave dhe gëzonin të drejta që zakonisht u takonin burrave. Por në këmbim, ato duhej të jetonin gjithë jetën në beqari.

Me fjalë të thjeshta, ky ishte një shkëmbim, liria dhe pavarësia në një shoqëri patriarkale, kundrejt heqjes dorë nga jeta personale si grua.

Autorja është frymëzuar nga fotografitë e Pepa Hristova, të cilat dokumentojnë jetën dhe transformimin e këtyre grave.

“E gjithë prania dhe sjellja e tyre ndryshon… dhe sa të forta dhe të sigurta në vetvete duhet të jenë këto gra për të marrë një vendim që ndryshon jetën kaq shumë”, ka thënë Hristova.

Ndërkohë drejtori artistik i Southbank Centre e ka quajtur Lipan “forcë globale kulturore”, pasioni për librat i së cilës po frymëzon breza të ri lexuesish.

“Dua Lipa është një forcë globale kulturore dhe pasioni i saj për librat ka frymëzuar një brez të ri lexuesish. Jemi shumë të lumtur që ajo do të udhëheqë festivalin tonë më të rëndësishëm letrar”, ka thënë drejtori, Mark Ball.

Ky edicion është i 19-i i festivalit dhe përkon edhe me një vit të dedikuar leximit në Britani. Organizatorët synojnë të afrojnë më shumë të rinj me librin, përmes aktiviteteve kreative, bashkëpunimeve me industrinë e lojërave dhe ngjarjeve falas.

Statistikat tregojnë se interesi për leximin është në rënie.

Sipas “National Literacy Trust”, vetëm 1 në 3 fëmijë të moshës 8-18 vjeç lexojnë në kohën e lirë, një rënie e madhe krahasuar me vitet e mëparshme.

Për këtë arsye, festivali i këtij viti do të fokusohet veçanërisht në angazhimin e të rinjve dhe në rikthimin e dashurisë për librin dhe tregimin.