Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bllokohet përpjekja për shkarkimin e Hegsethit

Pete Hegseth

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bllokuar përpjekjen për nisjen e procedurës së shkarkimit (impiçmentit) ndaj sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Të martën mbrëma, Dhoma e Përfaqësuesve votoi që rezoluta për shkarkimin e Hegsethit t’i referohej një komisioni, duke e larguar kështu nga shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare. Kjo do të thotë se tani çështja do të shqyrtohet në komisione dhe me gjasë nuk do të arrijë për votim në seancë plenare gjatë legjislaturës aktuale.

Nëse Kongresi aktual përfundon pa e nxjerr në votim, atëherë nisma bie me përfundimin e legjislaturës. Legjislatura aktuale përfundon më 3 janar 2027.

Legjislatura e re mund të nisë përpjekjet për shkarkimin e Hegsethit nga fillimi. 

Ky zhvillim u konsiderua si një shfaqje e unitetit të republikanëve, pavarësisht përçarjeve brenda partisë dhe humbjeve të theksuara në zgjedhjet e mesmandatit të javës së kaluar. 

Sharkimi i Hegsethit ishte nismë e kongresmenit republikan Thomas Massie, një kritik i Donald Trumpit.