Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka thënë se Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe jo transicionale, duke iu përgjigjur propozimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Para nisjes së seancës konstituive gjatë ditës së sotme, Peci ka thënë se duhet ezauruar çdo mundësi që të formohet Qeveria Kurti 3 e më pas nëse nuk ndodh, sipas tij, ftesën që e bëri Abdixhiku i takon ta bëjë kandidat për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza.
“I pari që i ka fitu zgjedhjet, Albin Kurti, e ka mundësinë të afrimit të akterëve politikë se si ecet tutje. Në funksion të saj, i dërguar ftesë kryetarit të LDK-së, i cili e ka refuzuar kategorikisht takimin me Kurtin dhe ka ardh me një propozim. Derisa të ezauruohet mundësia që të kemi Kurti 3, nëse nuk ndodh, logjika politike dhe institucionale, një ftesë të tillë mund ta bëjë Bedri Hamza, por jo partia e tretë, e katërt apo e pestë. Kosova ka nevojë për qeveri stabile”, ka shtuar ai.
Nëse nuk ka zgjidhje, Peci ka thënë se duhet të ketë marrëveshje politike për të shkuar në zgjedhje.
