Arbëri

Dështon përpjekja e 12-të për konstituimin e Kuvendit

Për të 12-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Edhe në seancën e sotme, sikurse në tri të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces, nuk ka marrë votat e mjaftueshme. Zhvillimet para, gjatë dhe pas seancës mund t’i përcillni këtu

Haradinaj: Më mirë të shkojmë zgjedhje, nuk është mirë me vonu pa kufi Kosovën

14 o. më parë / 7 maj 2025 11:18
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se shpreson që të gjendet një zgjidhje për ngërçin në Kuvend e të vazhdohet tutje. Ai ka thënë se do të ishte më mirë të shkohet në zgjedhje, nëse vazhdon situata kështu. 

“Më mirë të shkojmë në zgjedhje. Nuk është mirë me vonu pa kufi Kosovën”, ka thënë Haradinaj pas dështimit të 12-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës. 

Ai ka përsëritur qëndrimin se AAK-ja është pro një qeverie të opozitës. 
 

Murati: Zgjedhjet janë opsioni i fundit, votimi i fshehtë është zgjidhja

14 o. më parë / 7 maj 2025 11:11
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë opsioni i fundit, pasi u shpreh se opsioni më i mirë për dalje nga kriza është votimi i fshehtë në Kuvend.

Ai ka thënë para mediave të mërkurën se kundërshtuesit e votimit të fshehtë nuk po japin zgjidhje.

“Duam që zgjedhjet të jenë opsioni i fundit. Opsioni më i mirë që kemi është votimi në mënyrë të fshehtë për kryetare të Kuvendit. Ata që po e kundërshtojnë këtë, s’po ofrojnë zgjidhje”, ka deklaruar Murati.

Ai tha se është e çuditshme kërkesa e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qeveri transicionale, duke thënë se ekziston mundësia e një qeverie stabile.

VIDEO:

Haxhiu: Qëndrimi i LDK-së, injorim i vullnetit të popullit

14 o. më parë / 7 maj 2025 11:01
Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, emri i të cilës ka dështuar në disa tentime për zgjedhje për kryeparlamentare, ka thënë se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri të tranzicionit është përpjekje për injorim të vullnetit të popullit.

“Sa i përket qëndrimit të LDK-së, mendoj se është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve. Ne nuk është se kemi pasur zgjedhje para 2-3 vitesh, por para 3 muajve. Prandaj ka tendencë të hapur që ky vullnet i popullit të injorohet. VV-ja është subjekti më i madh në vend dhe kryeministri Kurti është kandidati me më së shumti mbështetje. Kushdo që tenton ta injorojë këtë vullnet e ka gabim dhe kjo fare nuk mendoj se mirëkuptohet nga qytetarët”, ka thënë ajo pas dështimit të seancës së 12-të për konstituim.

Haxhiu e ka cilësuar të pakuptueshëm pozicionin e partive opozitare që po refuzojnë të votojnë komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

VIDEO: Deklarata e plotë

Limaj: Ka potencial për të krijuar qeveri të shumicës

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:53
Fatmir Limaj - 7 maj

Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, i pyetur për propozimin e Lidhjes Demokratike për një qeveri tranzicionale ka thënë se preferon një qeveri të shumicës.

Sipas tij, ekziston potenciali për këtë.

Ai ka thënë se në ditët në vijim pret të ketë më shumë informata për propozimin e LDK-së.

“Ne preferojmë qeveri të shumicës. Kosova ka nevojë për qeveri të shumicës. Po mund të ndodhë sepse ka potencial për të krijuar shumica”, ka thënë ai pas dështimit të serishëm të Kuvendit.

VIDEO:

Bajrami: Qeveria transicionale, e vetmja zgjidhje për ta zhbllokuar situatën

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:54
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se formimi i një qeverie transicionale është e vetmja zgjidhje për zhbllokimin e situatës dhe formimin e institucioneve për një afat të caktuar.

Sipas Bajramit, do duhej që partitë të bëheshin bashkë dhe të adresonin problemet e shumta të qytetarëve, veçanërisht ato të sektorit të energjisë.

“Po shihet kush po bllokon. Kur nuk i kanë numrat, si rasti i Vetëvendosjes, nuk mund të diktosh mënyrën e të tjerëve se si propozojnë të zhbllokohet formimi i institucioneve. Qeveria transicionale kish me zhblloku situatën komplet dhe do të konstituoheshin institucionet. Do të kishte agjendë të qartë dhe afat të caktuar kohor.  Po presim përgjigje zyrtare nga liderët e partive për propozimin. Besojmë se, për momentin, e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet. Nga 1 qershori, 1270 kompani dalin në tregun e hapur të energjisë, me vendim të ZRRE-së dhe kjo është fatale. Ky është anashkalim i problemeve të qytetarëve që po bëjmë nga kjo sallë, veçanërisht me vetëvendosjen e cila po insiston ta bëjë Haxhiun kryeparlamentare”, ka thënë ajo.

Ajo i është përgjigjur edhe deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu, që e akuzoi LDK-në se po frikësohet të hyjë në pushtet qoftë me VV-në apo me opozitën.

“Nuk e di çfarë mendojnë të tjerët për definicionin e frikës. Nëse do të ishim të interesuar për pushtet, do të hynim në koalicion me VV-në. Nuk është frikë, është premtim që i kemi dhënë qytetarët. VV-ja e ka krijuar këtë hendek, që për momentin është i pakalueshëm”, ka shtuar Bajrami.

VIDEO: Deklarata e plotë

Krasniqi: Për deputetin Kurti, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:47
Memli Krasniqi

Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, po e mban peng Kuvendin e Kosovës, teksa  tha se “deputeti Albin Kurti po e sheh më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa qytetarët e Kosovës”.

Krasniqi tha pas seancës se Kosova duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara sa më parë, duke shtuar se VV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Ky është degradim që asnjë s’e ka paramenduar se do të ndodhë ndonjëherë. Është dhunim i verdiktit të qytetarëve. Pasnesër bëhen 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Ky Kuvend ka obligim të konstitojë organizmin përfaqësues të secilit qytetar, por tendenca e VV-së, mospajtimi se s’kanë shumicë po e mban peng këtë proces”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka shtuar se kandidatja e VV-së për kryeparlamentare “do të dështojë sa herë që vjen në Kuvend”.

“Ftoj deputetin Albin Kurti që të na tregojë se a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhiun, apo qytetarët. Për deputetin Kurt, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët”, u shpreh ai.

VIDEO: Deklarata e plotë:

Dështon sërish përpjekja për konstituim të Kuvendit

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:35
Kuvendi 7 maj

Photo: Driton Paçarada

Me vetëm 56 vota pro, sërish ka dështuar përpjekja që të formohet një komision zgjedhor për votim të fshehtë për kryeparlamentar të Kuvendit. Si rrjedhojë, pas vetëm 4 minutash seancë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu punimet dhe Kuvendi do të mblidhet sërish pas dy ditësh në përpjekjen e 13-të për konstituim.

Teksa zhvillohej procesi i votimit, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pyesnin se për çka po votohej.

Një votë ishte kundër e nuk pati asnjë abstenim.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 9 maj në fillim prej orës 10:00.

VIDEO: Momenti i votimit në Kuvend


Krasniqi: Abdixhiku përjashtoi komunitetet joshumicë

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:26
Elbert Krasniqi

Elbert Krasniqi (arkiv)

Photo: Driton Paçarada

Elbert Krasniqi, deputet i zgjedhur nga radhët e komunitetit egjiptian, në emër të grupit të disa partive të komuniteteve joshumicë joserbe, ka thënë se kanë vërejtje ndaj deklarimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për qeveri tranzicioni.

Ai ka thënë se Abdixhiku në thirrjen e tij ka përjashtuar komunitetet joshumicë.

“Jemi si zakonisht për formimin e institucioneve sa më parë e sa më shpejt.

Po i përcjellim me vëmendje këto zhvillimet e fundit. Parti të përbashkuara në një grup politik, kemi një vërejtje të madhe në deklarate për media të Lumir Abdixhikut që u bën thirrje vetëm partive politike shqiptare dhe përjashton komunitetet joshumicë”, ka thënë Krasniqi në hyrje të Kuvendit.

Ndonëse letra e Abdixhikut drejtuar kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i përfshinte përfaqësuesit e partive joshumicë, Krasniqi ka thënë se ankesa vlen për konferencën për media të Abdixhikut.

VIDEO: Deklarata e plotë

Kusari-Lila për propozimin e LDK-së: Nuk është në të mirën e qytetarëve

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:23
Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e subjektit politik Alternativa, Mimoza Kusari-Lila thotë se ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri trancizionale nuk është e mirë as për qytetarët dhe as nuk i sjell dobi vendit, raporton KosovaPress.

Deputetja Kusari-Lila, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në këto momente fokusi duhet të jetë tek procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është në rregull...Të pasurit të gjitha partitë bashkë në qeverisje nuk e besoj që është në të mirë as të qytetarëve dhe as që do t’i sjellë ndonjë dobi vendit. Megjithatë, unë mendoj se para se të shkojmë tek ajo pikë tek diskutimi për koalicionin qeverisës duhet fokusuar tek ajo se çfarë po ndodh me procesin në Kuvend në vazhdimësi çdo 48 orë ne jemi duke mos pasur kuorumin për votim procedural përkundrejt faktit që po del se është kandidatja apo propozimi i LVV-së që po dështon nuk është ashtu. Ju e dini që po dështon votimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë“, tha ajo.

Kusari-Lila pak para se të nisë seanca për konstituim të Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet për herë të 12-të tha se për zhbllokim të ngërçit politik duhet diskutime të mëtutjeshme me subjektet politike.
 

Tahiri: Konstituimi i Kuvendit, kur të kemi një kandidat të pranueshëm

14 o. më parë / 7 maj 2025 10:19
Abelard Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri deklaroi se shpejt do të mbahet mbledhja e kryesisë ku do të diskutohet për ftesën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për qeveri tranzicionale.

Ai nuk dha qëndrimin e tij sa i përket kësaj çështjeje, veçse sa tha se konstituimit të Kuvendit do t’i japin rrugë atëherë kur ka “kandidat të pranueshëm”.

“Besoj që shumë shpejt do të na vjen ftesa për takim, janë takime të rregullta të kryesisë që mbahen. Kështu që edhe do të diskutohet [ftesa e Abdixhikuit]. Qëndrimin tim personal nuk mund ta them këtu sepse është qëndrim i partisë. Konstituimit të Kuvendit i japim rrugë atëherë kur kemi një kandidat të pranueshëm. Sot me kandidaten në fjalë [Albulena Haxhiu] normalisht qëndrimi do të jetë i njëjtë”, deklaroi Tahiri.

I pyetur se a janë pro qeverisë së përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, Tahiri tha se “do të flasë kryetari i partisë për këto çështje”.

Kështu u shpreh Tahiri para vazhdimit të seancës konstituive, e cila është përpjekje e dymbëdhjetë për konstituim të Kuvendit.
 

Limaj për ftesën e LDK-së për qeveri të tranzicionit: Preferoj të flasë pas seancës

15 o. më parë / 7 maj 2025 10:16
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk është deklaruar nëse ai do të bëhej pjesë e një qeverie tranzicioni, të cilën e ka propozuar Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Limaj ka thënë se për këtë çështje do të flasë pas seancës konstituive të Kuvendit. 

“Të shohim si po shkojnë zhvillimet në seancë. Ka lëvizje. Të shohim çfarë lëvizje, nuk do të thotë se gjitha lëvizjet shkojnë në drejtim të duhur. Por, ka lëvizje. Ka propozime siç e keni parë. Ka pasur letra, komunikime me letra. Ka pasur zhvillime ditët e fundit”, ka thënë Limaj para seancës. 
 

Haradinaj: Pranojmë konsulta me LDK-në, pa VV-në

15 o. më parë / 7 maj 2025 10:15
Ramush Haradinaj dhe Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i mirëpret konsultat me LDK-në për një qeveri me partitë opozitare, por u përgjigj me “jo” kur u pyet nëse pranon të ulet në një tavolinë diskutimi ku është Vetëvendosje.

Ai u shpreh para mediave të mërkurën se mirëpret formimin e një qeveri me partitë opozitare, teksa shtoi se “s’e pengon propozimi i LDK-së”.

“S’na pengon propozimi i LDK-së për opsionin e qeverisjes...S’ka ndryshuar qëllimi ynë për qeveri të opozitës, por s’na pengon ftesa e LDK-së për konsulta për qeveri”, ka thënë Haradinaj.

Ai shtoi se është i hapur për diskutime me LDK-në dhe partitë e tjera, por jo me VV-në.

Zemaj: Në mëngjes i marrin turr LDK-së, pasdite e duan të gjithë

15 o. më parë / 7 maj 2025 10:09
Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se në mëngjes të gjithë i marrin turr partisë ku bën pjesë e pasdite e duan të gjithë, duke aluduar në lutjen për koalicion.  

“A folët me partitë e tjera, a ishin nxeh hiç? Në mëngjes marrin turr ndaj LDK-së, pasdite flladiten, e duan të gjithë LDK-në. Të gjithë, edhe Simiqi”, ka thënë Zemaj.

Para hyrjes në Kuvend, deputetët e LVV-së, PDK-së e AAK-së e kritikuan propozimin e Abdixhikut për qeveri transicionale.

Rexhaj i VV-së: LDK-ja s’do të ecë para pa AAK-në e PDK-në

15 o. më parë / 7 maj 2025 09:55
Arbër Rexhaj

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka deklaruar para mediave se Albin Kurti është lideri më i votuar që nga shpallja e pavarësisë, duke shtuar se është më i votuar edhe se ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Ai ka thënë të mërkurën kërkesa e LDK-së për qeveri transicionale është devijim i vullnetit të popullit.

“Vullneti i qytetarëve ka treguar se Kurti është lideri më i votuar që nga shpallja e pavarësisë. Kjo nuk tregon arrogancë...ky është devijim i vullnetit të qytetarëve. Nuk jemi bllokues ne, kemi kërkuar koalicion me LDK-në, por ajo dëshiron të kthehet prapa. S’do të ecën përpara pa AAK-në e PDK-në”, ka shtuar ai.

Deputeti i VV-së shtoi se zgjidhja e vetme e kësaj krize është hyrja në sallë të Kuvendit dhe votimi i kryetarit të Kuvendit.

Musliu: LDK-ja, duke u frikësuar të marrë vendime, e ka lënë Kosovën shumë prapa

15 o. më parë / 7 maj 2025 09:50
Ganimete Musliu

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, se nga frika parë të marrë vendime e ka lënë Kosovën prapa. 

Musliu, duke folur para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, ka thënë se një qëndrim zyrtar i PDK-së për ofertën e LDK-së për qeveri tranzicioni, do të vijë pas mbledhjes së kryesisë së partisë. 

Por, ajo ka thënë se personalisht mendon se “LDK-ja s’po guxon të bëhet as me Kurtin e as me PDK-në”. 

“Qëndrimi im personal si deputete, e si Ganimete, është se Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë duke u frikësuar me marrë vendime e ka lënë Kosovën bukur shumë prapa. 'As nuk shtyhet, as nuk ngrehet', siç thotë populli. Ata s’po guxojnë të bëhen as me Kurtin as me ne. Duhet të jetë lider që tregon pjekuri dhe pozicione të qarta”, tha Musliu. “Nuk bën PDK-ja, nuk bën Vetëvendosja. Tash ka thënë hajde se po bëhemi të gjithë bashkë. Është me bë hajgare me votën e qytetarëve të Kosovës dhe thjeshtë me thellu edhe më tej krizën politike në vend”. 

Musliu ka thënë se “adoloshenca politike, duhet të marrë fund”. 

“E kryetarët e partive, të cilët se meritojnë as me i quajt lider, duhet përfundimisht të tregohen të përgjegjshëm ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Musliu. 
 

Berisha: Kurti e Abdixhiku, dy anët e të njëjtës medalje

15 o. më parë / 7 maj 2025 09:43
Beke Berisha

Bekë Berisha

Photo: Driton Paçarada

Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dalë kundër propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri tranzicioni si zgjidhje për ngërçin për konstituim të institucioneve. Ai ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti “janë dy anët e të njëjtës medalje”.

“Ky (Abdixhiku) po na fton neve ‘s’po guxoj veç vet me e nda fajin për Asociacionin me kryeministrin Kurti në një qeveri të përbashkët’ e po na thotë ‘hajdeni të bëhemi bashkë të tërë të marrim përgjegjësinë të tërë nga pak’. Unë s’jam i interesuar të marr faj sepse s’kam lidhje me atë punë”, ka deklaruar Berisha në hyrje të Kuvendit, para përpjekjes së 12-të për konstituim të Kuvendit. “Nuk ka nevojë Abdixhiku me më thirre në qeveri të përbashkët me Albin Kurtin”.

Berisha ka thënë se ky është qëndrimi i tij, edhe pse një ditë më parë Abdixhiku tha se ka marrë mbështetjen e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për propozimin e tij.

Një ditë më parë Abdixhiku iu përgjigj negativisht ftesës së kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për bashkëqeverisje. Abdixhiku propozoi qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit.

 

 

 

Peci: Kosova ka nevojë për qeveri stabile, jo transicionale

15 o. më parë / 7 maj 2025 09:41
Faton Peci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka thënë se Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe jo transicionale, duke iu përgjigjur propozimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

Para nisjes së seancës konstituive gjatë ditës së sotme, Peci ka thënë se duhet ezauruar çdo mundësi që të formohet Qeveria Kurti 3 e më pas nëse nuk ndodh, sipas tij, ftesën që e bëri Abdixhiku i takon ta bëjë kandidat për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza.

“I pari që i ka fitu zgjedhjet, Albin Kurti, e ka mundësinë të afrimit të akterëve politikë se si ecet tutje. Në funksion të saj, i dërguar ftesë kryetarit të LDK-së, i cili e ka refuzuar kategorikisht takimin me Kurtin dhe ka ardh me një propozim. Derisa të ezauruohet mundësia që të kemi Kurti 3, nëse nuk ndodh, logjika politike dhe institucionale, një ftesë të tillë mund ta bëjë Bedri Hamza, por jo partia e tretë, e katërt apo e pestë. Kosova ka nevojë për qeveri stabile”, ka shtuar ai.

Nëse nuk ka zgjidhje, Peci ka thënë se duhet të ketë marrëveshje politike për të shkuar në zgjedhje.