Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se i ka ftuar në takim kryetarët e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun që të arrijnë dakordim për përzgjedhjen e nënkryetarëve.
Tutje ka bërë thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.
Kurti ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë. Meqenëse na nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për situatën rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Kurti ka thënë se deklarata e përfaqësuesit të kësaj partie ishte, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
Ai ka theksuar se propozimi i dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa mënyra se si u deklarua në Kuvend ishte, sipas tij, “në shpërputhje flagrante”.
Edhe
Kurti sërish: Konstituimi nuk i shmang zgjedhjet
“Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë, kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq, e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante”, ka thënë Kurti.
Kurti ka përmendur edhe reagimet brenda grupit parlamentar lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe, duke thënë se ishte ngritur mundësia që ajo të ishte ndikuar nga “euforia” pas varrimit të Ratko Mlladiqit.
“Sido që të jetë, nuk mund të votohet në Kuvendin e Republikës ai lloj propozimi që u deklarua. Vetëm ai propozimi i cili është dërguar me shkrim është në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.