Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Kemi nevojë për takim sqarues me Hamzën, PDK-ja të vijë të dielën në seancë

Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kanë nevojë për takim sqarues me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në mënyrë që të diskutohet se cili kandidat i PDK-së mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit. 

Gjatë ditës së sotme, vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre dy herë. Herën e parë u ndërpre pasi PDK-ja lëshoi sallën meqë VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitaku për nënkryetare, anise PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. Hamza më pas deklaroi se nuk kanë më arsye të marrin pjesë në asnjë seancë dhe paralajmëroi se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Por pasi doli nga Kuvendi, Kurti ka thënë se emri i Çitakut nuk mund të votohet pasi ka dalë kundër çdo propozimi të VV-së. 

“Ju e dini që vitin e kaluar Çitaku pat kërkuar që Albulena Haxhiu të tërhiqet, sivjet që Feride Rushiti të tërhiqet, pardje e bojkotoi votimin e Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe njëkohësisht ka paralajmëruar bojkotin edhe për presidentin. Kjo është që ne medoemos një deputet të PDK do ta votojmë për nënkryetar, dhe të LDK-së, mirëpo ju i dini aktgjykimet, nuk është e thënë që të jetë emri unik. Uroj që të jenë konstruktiv siç kemi qenë ne vitin e kaluar. Në një takim timin me Hamzën do ta sqaronim se cili deputet do të mund të votohej”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

Kurti u shpreh se ky takim është në interesin e Hamzës, meqë sipas tij, është PDK-ja ajo që ka nevojë për votat e LVV-së për zgjedhjen e kandidatit të saj nënkryetar kuvendi, derisa partisë se tij edhe vota kundër i kryen punë për zgjedhjen e presidentit.

“Besoj që PDK-ja nuk është dashur ta braktis procesin e konstituimit të Kuvendit, shpresoj që të vjen të dielën, në mënyrë që të bëjmë edhe këtë katër nënkryetarët e tjerë dhe të procedojmë me qeveri e zgjedhje të presidentit. Ritheksoj se duhet të evitojmë zgjedhjet e reja, që janë të panevojshme, të përsëritura e të kushtueshme dhe për këtë na nevojitet marrëveshja politike. Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk është përgjigjur për takim, këtë e ka bërë publikisht, por unë mendoj që kemi nevojë për takim. PDK-ja për ta zgjedhur nënkryetarin i nevojiten votat e VV. VV-së për të zgjedhur presidentin i nevojitet mungesa e bojkotit apo madje edhe vota kundër e PDK-së. Atyre ju nevojitet vota jonë për, neve na kryen punë edhe ajo kundër”, deklaroi Kurti.

Ani se doli gati i fundit nga ndërtesa e Kuvendit, Kurti nuk u përgjigj nëse do të marrë pjesë në marshin e të shtunës para vendimit final në Hagë. Pyetjes së njëjtë iu shmang edhe në mëngjes duke premtuar do të përgjigjej dikur më vonë gjatë ditës.

Vazhdimi i seancës konstituive është thirr për të dielën në orën 10:00. 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosovës 11 shatator

Mosmarrëveshjet për nënkryetarët ndërpresin sërish seancën konstituive