Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Akordet e Kosovës” gati për talentet e rinj e në nderim të historisë muzikore

Akordet

“Jemi duke vazhduar sivjet me një emërtim të ri, ‘Akordet e Kosovës’. Po duam të vlerësojmë historinë, gjithë ata njerëz që kanë kontribuar në realizimin e Akordeve, kompozitorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar me vite e dekada”, ka thënë drejtori artistik, Florent Boshnjaku

Tradita e “Akordeve të Kosovës”, përveç tentimit për rikthim, përfaqëson një trashëgimi të madhe kulturore. Vlerësimi i historisë është përmendur të hënën në konferencën për media, para edicionit të katërt të Festivalit. Drejtoresha e Festivalit, bashkë me drejtorin artistik dhe prezantuesit, kanë treguar para mediave se të premten gjithçka do të jetë gati që spektakli të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin publik

Festivali i Këngës në RTK, që sivjet vjen si “Akordet e Kosovës”, ka nisur numërimin mbrapsht. 30, 31 tetori dhe 1 nëntori janë datat e rezervuara për ngjarjen e madhe të muzikës. Tradita e “Akordeve të Kosovës”, përveç tentimit për rikthim, përfaqëson një trashëgimi të madhe kulturore. Vlerësimi i historisë është përmendur të hënën në konferencën për media, para edicionit të katërt të Festivalit. Drejtoresha e Festivalit, bashkë me drejtorin artistik dhe prezantuesit, kanë treguar para mediave se të premten gjithçka do të jetë gati që spektakli të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin publik.
“Jemi duke vazhduar sivjet me një emërtim të ri, ‘Akordet e Kosovës’. Po duam të vlerësojmë historinë, gjithë ata njerëz që kanë kontribuar në realizimin e Akordeve, kompozitorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar me vite e dekada”, ka thënë drejtori artistik, Florent Boshnjaku. Sivjet, për herë të parë, do të mbahet edhe mbrëmja e fëmijëve. Festivali është konceptuar që të ketë dy mbrëmje për të rritur dhe një për fëmijë.

“Përveç dy mbrëmjeve të mrekullueshme të muzikës moderne, kemi për herë të parë edhe mbrëmjen e fëmijëve. Prapa nesh qëndron një skenë fantastike, e punuar nga Vesë Kraja. Veç sot, kur e kam parë, emocionohem kur e mendoj se të gjithë ata talentë të rinj do të ngjiten në këtë skenë, do të këndojnë live, do të përcillen nga Orkestra dhe nga të gjithë mekanizmat e Radiotelevizionit të Kosovës”, ka thënë ai. Për ta prekur traditën, ekipi ka menduar edhe t’i rikthejë disa këngë të disa dekadave më parë, në mënyrë që të kujtohet historia.

“Një prej këngëtareve që jam jashtëzakonisht i lumtur që do të jetë pjesë e Festivalit është Deniza Begolli – Gjini. Ajo ka marrë pjesë në Akorde, e ka pasur një këngë të jashtëzakonshme, ‘Dëshirat’, dhe sivjet e kemi në festival pas sa e sa vjetësh”, ka thënë ai. Boshnjaku ka ndarë edhe një emër tjetër që do të ngjitet në skenën e festivalit: grupin “Telex”, i cili vjen enkas nga Gjermania për këtë ngjarje. Kurse drejtoresha e “Akordeve të Kosovës”, Arta Avdiu, ka thënë se kjo ngjarje do ta nxjerrë në pah shpresën për krijimtari të mirë artistike.

“Çdo natë ka një mesazh të veçantë përmes interpretimeve dhe performancave të ndryshme. Mirëpo, mesazhi i tri netëve është se e kaluara takohet me të tashmen dhe, përmes fëmijëve, na jep shpresë se ka një të ardhme të ndritshme”, ka thënë ajo. Sipas drejtoreshës, “Akordet...” po takohen tashmë me talentet e rinj dhe janë pikërisht fëmijët ata që po japin shpresë se do të vazhdojë krijimtaria e mirë artistike.

Prezantuesit e këtij edicioni janë një treshe e njohur, me figura të ekranit nga profesione të ndryshme. Moderatori i RTK-së, Agron Krasniqi, dhe aktorja Flaka Latifi do të jenë prezantues në netët për të rritur.

“Për një prezantues televiziv të profilit tim, nuk ka ngjarje më të mëdha se kjo. Unë jam në programin e mëngjesit tash e disa vjet dhe kam provuar gjithçka që mund të provohet në televizion, por paralelisht kam udhëhequr edhe koncerte, evente dhe ngjarje të ndryshme. Është ngjarja kulmore kulturore që organizohet në Kosovë. Duke qenë prezantues i këtij profili, normalisht që ke dëshirë të jesh i pranishëm aty dhe të japësh dinamikën e shpirtin tënd. Është përgjegjësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm të japësh shpirtin tënd edhe aty…”, ka thënë Krasniqi.

Kurse Latifi ka treguar se “roli” i ri i është besuar për shkak të besimit që i është dhënë.

“U jam mirënjohëse për besimin që më keni dhënë për të qenë moderatorja e këtij festivali. Unë vij nga bota e aktrimit. Për mua, skena është pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime, mirëpo moderimi ka një dinamikë tjetër”, ka thënë ajo.

Në natën e fundit, atë të fëmijëve, Festivali do të moderohet nga Adea Pula, e cila dikur ishte vetë pjesë e skenës muzikore si fëmijë.

“Një ndjenjë tejet e veçantë. Për herë të parë jam ngjitur në skenë pikërisht në këtë sallë, në vitin 2000. Pas 26 vjetësh, do të ngjitem sërish në skenë për të prezantuar festivalin për fëmijë. Nuk mund ta përshkruaj këtë emocion. Ftesën e kam pranuar pa menduar dy herë”, ka thënë Pula.
Festivali, i cili përkrahet nga Ministria e Kulturës, shoqërohet nga njëfarë mjegulle. Marrëveshja e nënshkruar më 20 maj nga ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe Zana Spahiu, asokohe ushtruese e detyrës së drejtorit të RTK-së e tash drejtoreshë, ka kohëzgjatje prej tre vjetësh. RTK-ja do të marrë 1.2 milion euro, nga 400 mijë euro në vit, duke filluar nga sivjet. Në këtë dokument, çështjet e “Akordeve të Kosovës” dhe të Festivalit të Këngës në RTK, si dhe ajo e Festivalit të Fëmijëve, janë të ndara.

“Ndërmerr të gjitha veprimet për zhvillimin e ‘Akordeve të Kosovës’ dhe dy festivaleve (Festivalit të Këngës në RTK dhe Festivalit të Fëmijëve në RTK), në baza vjetore”, thuhet në njërin prej neneve që përcaktojnë përgjegjësitë e RTK-së në bazë të marrëveshjes. Por “Akordet e Kosovës” po i rikthehen Festivalit të Këngës në RTK vetëm si emërtim, ndërsa ky festival ka nisur të mbahet në vitin 2023.
KOHA kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Kulturës dhe RTK-ja. Asnjëra palë nuk është përgjigjur.
“Teknikisht dhe praktikisht janë dy festivale: ai i muzikës moderne dhe ai i fëmijëve. Ombrellë bëhen ‘Akordet e Kosovës’ dhe të dy festivalet mbahen në kuadër të ‘Akordeve...’”, kishte sqaruar drejtori artistik, Florent Boshnjaku. Sipas tij, për arsye teknike, “Akordet...” do të organizohen në tri net me radhë, dy për muzikën moderne dhe një për fëmijët.

“Që të mos jemi konfuzë brenda festivalit, ‘Akordet...’ do të jenë Festivali i Këngës dhe ai i Fëmijëve. Ideja ishte të inkorporohen nën një ombrellë dhe të bëhen dy festivale në një infrastrukturë”, kishte thënë Boshnjaku. Sipas tij, mbrëmja për fëmijë ka spektaklin, jurinë dhe grafikat e veta, por do të shfrytëzojë infrastrukturën e Festivalit të Këngës në RTK.

Por rikthimi i njërit prej festivaleve më të rëndësishme në historinë e muzikës në Kosovë nuk përfundon vetëm me këtë huti. Tash rezultojnë dy nisma të ndara për të njëjtën ngjarje. Derisa Radiotelevizioni i Kosovës ka nisur përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës, i cili sivjet synon ta rikthejë traditën e “Akordeve të Kosovës”, një grup ish-punëtorësh të Radiotelevizionit të Prishtinës, së paku përmes rrjeteve sociale, ka bërë të ditur se do t’i organizojë po ashtu “Akordet e Kosovës”.

Në këtë situatë, krahas përgatitjeve artistike, në qendër të vëmendjes sivjet është edhe debati rreth trashëgimisë dhe të drejtës për organizimin e festivalit, i cili për dekada ka qenë sinonim i muzikës së lehtë në Kosovë. Këtë të drejtë pretendojnë ta kenë ish-punëtorët e ish-RTP-së, e cila u mbyll dhunshëm më 5 korrik të vitit 1990, kur forcat policore dhe ushtarake okupuan ndërtesën e institucionit dhe i larguan me dhunë punëtorët e tij. Pas përfundimit të luftës, ndërtesa dhe institucioni u morën në administrim për krijimin e mediumit të ri publik, Radiotelevizionit të Kosovës.